BE miratoi Planin e Rritjes për Ballkanin, reagon Rama: Moment historik! Jemi plotësisht të përgatitur dhe entuziastë, do e afrojë vendin drejt familjes evropiane

May 7, 2024 | 15:12
SHPËRNDAJE

“Moment historik” e ka cilësuar kryeministri Edi Rama vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

edi rama

Në një reagim në rrjetin social “X”, kreu i qeverisë shprehet se ky vendim e gjen Shqipërinë plotësisht të përgatitur dhe entuziaste.

Ndër të tjera, Rama thekson se Shqipëria ka paraqitur një Reform-Agjendë ambicioze që do të ekzekutohet gjatë tre viteve të ardhshme.

“Kjo axhendë synon ta afrojë vendin drejt së ardhmes si pjesë përbërëse e familjes evropiane”, thekson ai.

Reagimi i plotë:

E përshëndes miratimin sot nga Këshilli Evropian të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky është një moment historik i rëndësishëm që i paraprin fillimit të zbatimit të tij, për të cilin ne jemi plotësisht të përgatitur dhe entuziastë.

Plani i Rritjes injekton një vrull të ri në procesin e zgjerimit, me një theks të veçantë në fusha vendimtare si sundimi i ligjit, transparenca dhe reformat. Për më tepër, ai prezanton burime të reja financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, në varësi të performancës së tyre. Fantastike të shohësh në realitet ato për të cilat je përpjekur të ndodhin prej shumë kohësh. Faleminderit të gjithëve atyre që janë përfshirë.

Shqipëria ka paraqitur një Reform-Agjendë jashtëzakonisht ambicioze që do të ekzekutohet gjatë tre viteve të ardhshme. Kjo axhendë synon ta afrojë vendin drejt së ardhmes si pjesë përbërëse e familjes evropiane.

I pres me padurim diskutimet në Samitin e ardhshëm në mes të Majit në Malin e Zi piktoresk.

Qëllimi i Planit të Rritjes për rajonin

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të mbulojë periudhën midis vitit 2024 dhe 2027.

Plani i Rritjes arrin shumën prej gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.

Në deklaratën e lëshuar nga Këshilli i BE-së, theksohet se qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.

Burimet financiare janë planifikuar për të mbështetur një sërë reformash socio-ekonomike dhe themelore, duke përfshirë reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Ndihma financiare nuk është e pakushtëzuar

Për të marrë mbështetje në kuadër të këtyre instrumenteve, vendet e rajonit duhet të përgatisin një agjendë reformash, duke theksuar reformat që planifikojnë të ndërmarrin për të arritur qëllimet.

Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mënyrës sesi vendet e Ballkanit Perëndimor do të kontribuojnë në përafrimin progresiv dhe të vazhdueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së sipas Planit të Rritjes përfshijnë mbështetjen dhe respektimin e vazhdueshëm për mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumë-partiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pakicave.

Kosova dhe Serbia kanë edhe një kusht, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas vendimit të miratuar, në mënyrë që këto dy vende të përfitojnë nga Plani i Rritjes, ato duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive “me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me qëllim zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme për dialogun dhe t’i bashkohet negociatave për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

LEXO EDHE: BE miraton Planin e Rritjes për Ballkanin: Dy pagesa vjetore, në varësi të kushteve të përmbushura

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura