“Janë përfunduar mbi 23 mijë çështje, 26% janë pushuar”- Olsian Çela raporton në KLP: Ja Prokuroria me performancën më të ulët

Apr 17, 2024 | 10:37
SHPËRNDAJE

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, ka raportuar  para Këshillit të Lartë të Prokurorisë punën vjetore të institucionit që drejton.

olsian cela raportin ne KLP

Çela ka bërë një raportim mbi gjendjen e kriminalitetit ku përfshihet dhe raporti mbi ngarkesën e punës së prokurorive për vitin 2023.

Në këtë raportim, ai shprehet se gjatë vitit 2023 janë përfunduar 23419 çështje që përbën ulje prej 9,41 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2022, prej të cilave: 41,21 % janë dërguar për gjykim, 25,76 % janë pushuar, 30,04 % janë pezulluar dhe 2,99 % janë transferuar në prokuroritë kompetente

Çela u shpreh se Prokuroria me performacën më të ulët është ajo e Sarandës, pasi ka përfunduar vetëm 28 % e procedimeve në ndjekje.

“Konkretisht vërehet se Prokuroria Sarandë ka performancën më të ulët pasi janë përfunduar vetëm 28 % e procedimeve në ndjekje, dhe vijon me rend rritës në Gjirokastër, Korçë, deri në 32 %. Tregues me performancë më të lartë vërehen në prokuroritë Shkodër e Kukës, që kanë përfunduar mbi 65 % të procedimeve në ndjekje ndërkohë që në prokuroritë e tjera ky raport varion nga 37 % deri 49 %”, tha ndër të tjera ai.

grafike

Raportimi i Olsian Çelës:

Veprimtaria e prokurorive të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm

Raporti mbi gjendjen e kriminalitetit, ku përfshihet dhe raporti mbi ngarkesën e punës së prokurorive për vitin 2023 që i janë vënë në dispozicion këtij Këshilli, paraqesin të dhëna të hollësishme për treguesit e punës dhe ecurinë e veprimtarisë për të gjithë prokuroritë.

Në këtë raportim, vlerësojmë të ndalemi në disa tregues të performancës së prokurorive, problematikat dhe disa çështje që kërkojnë vëmendjen tuaj.

Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55253  materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5,2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje  prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022. Janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje  prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946  referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22,2 % në krahasim me vitin 2022.

 Tek kjo shifër e materialeve të trajtuara përfshihen: procedimet e mbartura; procedimet e reja të regjistruara gjatë vitit 2023 për veprat penale të parashikuara në Kodin Penal; procedimet e rifilluara gjatë vitit 2023; si dhe vendimet e mosfillimit të marra gjatë vitit 2023 pa procedimet e regjistruara sipas kodit penal ushtarak.
Tek kjo shifër e materialeve të trajtuara përfshihen: procedimet e mbartura; procedimet e reja të regjistruara gjatë vitit 2023 për veprat penale të parashikuara në Kodin Penal; procedimet e rifilluara gjatë vitit 2023; si dhe vendimet e mosfillimit të marra gjatë vitit 2023 pa procedimet e regjistruara sipas kodit penal ushtarak.

Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 23419 çështje që përbën ulje prej 9,41 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2022, prej të cilave: 41,21 % janë dërguar për gjykim, 25,76 % janë pushuar, 30,04 % janë pezulluar dhe 2,99 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.

Janë dërguar në gjykatë 9652 çështje me akuzë ndaj 11401 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2022 rezulton një ulje prej 12,13 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 11,87 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Raporti ndërmjet çështjeve dërguar në gjykatë dhe çështjeve të pushuara është 61,54 % me 38,46 %.

Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 janë dënuar 7254 të pandehur që krahasuar me vitin 2022 përbën ulje 31,22 % të numrit të pandehurve të dënuar, dhe për 199 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose për 2,67 %.

Siç u paraqit më lart, evidentohet se përgjithësisht ka tendencë në ulje të numrit të procedimeve të regjistruara. Vlerësojmë se në këtë ulje ka patur ndikim edhe Memorandumi i Bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe udhëzimi mbi zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe trajtimin e referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të ndonjë vepre penale, në bazë të të cilave për vitin 2023 rezultojnë 4588 materiale.

Këto akte nënligjore, ashtu si dhe institutet e reja procedurale, urdhri penal dhe marrëveshja e fajësisë, synojnë të vijnë në ndihmë të prokurorëve për të ulur ngarkesën e panevojshme dhe për të mundësuar zgjidhje të shpejtë ligjore për çështje të një rrezikshmërie më të ulët. Megjithatë, këto institute siç vërehet nga shifrat më sipër, nuk rezultojnë të japin impaktin e duhur.

Raporti evidenton se 11 prokurori kanë tregues nën 50 % të çështjeve të përfunduara brenda vitit 2023, rrethana që evidentojnë nevojën për të vlerësuar dhe plotësuar vakancat.

Konkretisht vërehet se Prokuroria Sarandë ka performancën më të ulët pasi janë përfunduar vetëm 28 % e procedimeve në ndjekje, dhe vijon me rend rritës në Gjirokastër, Korçë, deri në 32 %. Tregues me performancë më të lartë vërehen në prokuroritë Shkodër e Kukës, që kanë përfunduar mbi 65 % të procedimeve në ndjekje ndërkohë që në prokuroritë e tjera ky raport varion nga 37 % deri 49 %.

Mesatarja e çështjeve të regjistruara gjatë vitit 2023 në raport me numrin faktik të prokurorëve në prokuroritë e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm në rang vendi, rezulton të jetë 136 procedime penale për çdo prokuror, një nga treguesit që nevojitet të mbahet në konsideratë për shpërndarjen e balancuar e numrit të prokurorëve në rang vendi. Nga të dhënat rezulton se rreth kësaj mesatare afrohen prokuroritë Shkodër, Kukës, Korçë e Berat ku mesatarja e regjistrimeve të reja varion nga 123 në 143 procedime.

Nëse do të llogarisim ngarkesën mesatare faktike bazuar në procedimet në ndjekje (regjistruara dhe të mbartura), situata rezulton shumë e  rënduar në prokuroritë Sarandë, Berat, Fier, Korçë, me një mesatare të ngarkesës nga 301 në 371 procedime për çdo prokuror, ndërsa ngarkesa mesatare faktike më e ulët është në prokuroritë Kukës, Shkodër, Durrës ku varion nga 199 në 209 procedime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura