Ekskluzive/ Humbja e Teutës kundër Vllaznisë, presidenti Gorea: U trukua me arbitra

Apr 30, 2024 | 9:40
SHPËRNDAJE

Nga një fitore treshi frore me 30 pikë diferencë në Durrës, Teuta vetëm pak ditë më vonë u mund në Shkodër nga Vllaznia me rezultatin 86-81, në gjysmëfinalen e dytë të “play off”-it për kampionatin kombëtar të basketbollit të meshkujve.

gorea

Presidenti i bregdetarëve, Arqile Gorea, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka shfaqur pretendime për gjykimin, duke lëshuar akuza të forta në drejtim të arbitrave si dhe ndaj FSHB-së. Gorea pretendon se ndeshja kundër Vllaznisë është trukuar nga gjyqtarët në favor të ekipit kuqeblu. Kujtojmë që takimi u arbitrua nga treshja Edison Gjoni, Olti Kasmi dhe Ani Balliu, ndërsa komisioner i ndeshjes ishte Salvator Kurti.

PRETENDIMET – Gorea e nis duke e komentuar kështu transfertën kundër Vllaznisë: “Në Shkodër ndodhi ajo që ne nuk dëshironim të ndodhte, pasi kishim një ndeshje ‘copy paste’ si ajo e sezonit të rregullt kundër Vllaznisë, ku edhe aty u mundëm. Arbitrat ndikuan në mënyrë të njëanshme, gjë që u vërtetua edhe nga vetë masat që mori federata ndaj tyre, duke i dënuar. Edhe në ‘play off’ ndodhi po e njëjta gjë. Pra, mund të themi që ‘federata shkodrane e basketbollit’ i kishte marrë masat më përpara për trukimin e ndeshjes nëpërmjet arbitrave”, shprehet drejtuesi i Teutës, i cili më pas argumenton pretendimin e tij: “Këtë e them, sepse duke nisur që nga tavolina, kishim komisarin që ishte nga Shkodra. Pra, njeriu që përgjigjet për arbitrimin dhe për të gjitha rregullat dhe rregulloret e federatës ishte nga qyteti i skuadrës vendëse. Kjo nuk më pëlqeu dhe ia thashë që në fillim referencat, që kjo gjë nuk shkon. Më pas ngjarjet u rrokullisën sipas planifikimit. Pra, demonstrojnë elementët e dyshimit që nuk ndihmojnë as basketbollin dhe as Shkodrën, në respektin më të madh për lojtarët shkodranë dhe për këtë qytet që është një fabrikë për prodhimin e lojtarëve në të gjitha sportet”.

“I FRYNË ZARFIT” – Vetëm pak kohë më parë presidenti i Teutës, nëpërmjet një batute kishte kërkuar që arbitrat “mos t’u fryjnë zarfeve, por bilbilit”, por sipas tij në ndeshjen Vllaznia-Teuta, i është fryrë zarfit: “Në ndeshjen tonë në Shkodër kundër Vllaznisë mendimi im është që arbitrat i kanë fryrë zarfit dhe qofsha i gabuar. Por fakti panorama është po e njëjta, duke na nxjerrë me 5 personale kapitenin në momentin kyç të ndeshjes, kur rezultati ishte 65-65. Ndërkohë që një ndeshje më parë na dëmtuan qëllimisht edhe një lojtar dhe po kjo trupë arbitrash nuk denjoi për të dhënë asnjë teknikë për atë që e dëmtoi. Kjo është një metodë e studiuar dhe e trashëguar nga ‘specialistët’ e bilbilit, por që po pëlqehet edhe nga përfaqësuesit e federatës, si dhe nga këta arbitrat e rinj. Këtu problemi nuk është se bilbili po fryn keq, por sepse po krijohet modeli që për të bërë karrierë dhe për të ecur përpara, duhet të jesh shërbëtor i dikujt dhe të qenit shërbëtor është ajo që garanton suksesin e karrierës së tyre. Por këta njerëz nuk mendojnë së prapa këtij arbitrimi fshihet një mal me sakrifica, tensione, përkushtim, financa dhe emocione”, shprehet Gorea.

NDRYSHIMET – Sipas kreut të ekipit bregdetar, as ndryshimet në federatë nuk po i eliminojnë problemet në sportin e koshit në Shqipëri: “Nga njerëzit e federatës, megjithëse shpeshherë pretendohet që po fshihen merimangat, por ato krijojnë sërish pëlhurat e të kaluarës. Por mënyrat meskine, ku edhe pse ka ikur një drejtues nga Shkodra, kanë mbetur po të njëjtat, jo se kanë ardhur shkodranë të tjerë, por sepse ka ardhur i njëjti mentalitet. Duhet të hiqet dorë një herë e mirë nga trukimi i ndeshjeve nëpërmjet arbitrimit”.

THIRRJA PËR PONARIN – Në fund Arqile Gorea ka edhe një thirrje për Avni Ponarin, presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit:”Apeli im për z.Avni Ponari është që ti mbledhë arbitrat dhe t’u flasë, sepse në kushte të tilla ne do të detyrohemi të tërhiqemi nga gara. Ne nuk garojmë për të parë fytyrat e matrapazëve që na qeshin nën hundë, sepse po u ecën pazari mbarë, pasi kjo është fyese në të gjitha drejtimet. Është fyese në adresë të federatës, është fyese në adresë të shoqërisë dhe gjithashtu edhe në drejtim të sportit. Kush janë këta njerëz?! Nuk dua të përdor fjalë ofenduese, por një palaço arbitër që merr udhëzime dhe krenohet se i zbatoi duke na buzëqeshur nën hundë është shumë e rëndë për mua që kontribuoj për ekipin dhe basketbollin si dhe për ata lojtarë që rropaten gjithë javës në stërvitje. Arbitra që janë bërë specialistë të trukimit, të cilët dinë edhe kur t’i frynë bilbilit drejt, dinë kur të mbajnë ekuilibra dhe kur t’i përmbysin ekuilibrat, pra kur të zbatojnë udhëzimet që kanë marrë. Nuk mundet që një palaço që mund të jetë aty rrotull, i cili kërkon për t’u bërë personalitet, e kupton vetë ai se cili është, një shërbëtor pis i atyre që e komandojnë, të luajë me djersën e lojtarëve. Këtë herë nuk dua t’ia përmend emrin, por herë tjetër do t’ia përmend dhe do të përplaset pikërisht me rrugët që ky njeri ndjek për t’u bërë dikush. Më vjen shumë keq, pasi kemi të bëjmë me një garë të bukur sportive, me adrenalinë, me emocione nga publiku, nga lojtarët dhe nga ne si drejtues që lidhen edhe me xhepin, por nuk mund të na trajtojnë në këtë mënyrë. Apeli im është i thjeshtë dhe i qartë, që z.Ponari ti mbledhë gjyqtarët dhe t’u flasë, bashkë me arbitrat edhe ata të interesuarit për Vllazninë, në mënyrë që gjyqtarët ti kthehen korsisë së arbitrimit në mënyrë të drejtë. Një sistem drejtësie që nuk funksionon shemb aspiratat, shpresat dhe demoralizon njerëzit në adresë të sakrificave dhe kontributeve”, përfundon Gorea.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura