Iu bë atentat në Durrës, kush është prokurori Arjan Ndoji. Nga pasuritë e shumta, akuzat e Ramës e deri tek rrahja e një avokati

Nov 1, 2019 | 17:47
SHPËRNDAJE

Prokurori Arjan Ndoj, ndaj të cilit u organizua një atentat pasditen e sotme, u lakua jo pak në publik javët e fundit nga Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe, pas urdhrit të arrestit që prokurori kishte lëshuar ndaj shefit të Kadastrës, Liridon Pula. Kryeministri Edi Rama e akuzoi prokurorin për bashkëpunim me grupet kriminale.

5bb3fa39-d60d-48ea-bd20-fddbaf9264b0

Sa kohë kam që e them, këto kanë vënë pasuri marramendëse. Me çfarë i bërë zotrote, faturat e bixhozit në Monte Karlo. Nuk është pushim nga puna vetting por do të hetohet. Sot është prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe u bën shantazh nëpunësve të shtetit. Nuk arreston qeveria, arreston drejtësia dhe procesi i një drejtësie që arreston është ky që po bëjmë“, tha Rama në fillim të tetorit.

Shefi i Kadastrës akuzohej nga prokurori për shpërdorim detyre, ndërsa Braçe theksoi se Prokurori vuri nën akuzën drejtorin për shkak se nuk legalizoi pallate të ndërtuara në mënyrë monstruoze.

“Të akuzosh një nëpunës shteti për shpërdorim detyre duhet të provosh që vepra që ka konsumuar është kryer me dashje, dhe që ka sjellë dëme, o publike, o të tjera private. Nuk ishte provuar që drejtuesi i kadastrës të kishte sjellë dëme mbi shtetin, që nuk e pretendon as prokurori dhe dëme mbi privatin, kompaninë që ka bërë ndërtime në Lalëz ose partnerët e saj që janë pronarët e truallit.

Çdo gjë në gjykimin tim personal është e stisur dhe prokurori dhe gjykatësi duhet të vërtetojnë në Apel ato që nuk i provuan por edhe u përgjigjën që deri në këtë moment kemi këto, nëse na sillni prova ne ndryshojmë qëndrim. Nuk sjell i akuzuari prova, por prokurori. E kuptoni se në ç’shkelje të rëndë kushtetuese është ky prokuror?”, ka thënë Braçe disa javë më parë, pasi ndoqi seancën gjyqësore të Pulës.

Arjan Ndoj është emëruar prokuror në qytetin e Durrësit në vitin 2008, pasi ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku e shkarkoi atë nga detyra si prokuror. Pas shkarkimit, Ndoj punoi si avokat.

Sipas të dhënave zyrtare te “Open Data”, Ndoj ka arritur që të dhjetëfishojë pasurinë e tij për vetëm 4 vite!

Në vitin 2004, Ndoj ka patur 20 mijë euro dhe 200 mijë lekë, ndërsa katër vite më vonë, pasuria e tij ishte 760 mijë euro. Në 2016, Ndoj ka deklaruar se ka në pronësi 21 apartamente në Shëngjin, bodrume, vreshta, si dhe një truall në Krujë.

Më 19 korrik 2018, Ilia Ilia, avokati që ka mbrojtur Lul Berishën u dhunua fizikisht nga dy persona teksa po dilte nga Gjykata. Avokati akuzoi se pas ngjarjes fshihej prokurori Ndoj, me të cilin ka debatuar gjatë një seance gjyqësore.

“Kam dalë nga seanca gjyqësore e Gjykatës së Durrësit rreth orës 10:30 dhe po ikja nga Prokuroria. Më del një person përpara dhe më thotë ti je ai që i ke bërë karshillëk prokurorit Arjan Ndoja dje në seancë gjyqësore, ke bërë të fortin. I thash kush je ti, ai më ofendoi, i ktheva të njëjtën përgjigje. Jam goditur nga ky dhe personi tjetër që erdhi. Dje në seancë gjyqësore më kanosi prokurori.”-u shpreh avokati Ilia.

Vetë prokurori Ndoja pranoi përplasjet në seancë me Ilia Ilian, por mohoi se ka gisht në goditjen e tij.

Por, babai i personit që ushtroi dhunën, Mond Vogës, siç njihet shkurtimisht në Durrës për miqësinë e tij me prokurorin Ndoji, fajësoi këtë të fundit se qëndron pas dhunës ndaj avokatit Ilia.

Ai akuzoi prokurorin edhe se i ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe përmes korrupsionit pronat familjare.

Kadri Voga tha në një intervistë për gazetën “Panorama” në korrik të 2018 se djali i tij përdorej nga prokurori Arjan Ndoja.

“Kam pasur probleme ligjore me atë kriminel me kollare.  Ai më ka zhvatur në mënyrë të paligjshme pronën e familjes. Me këtë prokuror jam në gjyqe ka 10 vjet. E kam denoncuar për vjedhje, për korrupsion, për veprime antiligjore, kam bërë kërkesa, letra të gjitha instancave shtetërore deri në ambasadën amerikane për këtë prokuror, por asnjë lloj veprimi nuk është marrë mbi të. Është një prokuror që është gabimisht në organet e drejtësisë. Është një prokuror që përkrah vetëm kriminelët. Është një prokuror, që ka gjetur djalin tim që e përdor për mashë dhe e shtyn në krime, e përdor për të fortë dhe e përdori dhe me këtë veprim ndaj avokatit Ilia Ilia”, deklaronte ai.

Pak më shumë se një dekadë më parë ai është hetuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, por akuzat ndaj tij u rrëzuan nga Prokuroria.

Me firmën e Ndojit, u arrestua edhe ish-shefi i Krimeve në drejtorinë vendore të Policisë Durrës.

Krenar Behari u arrestua, pasi akuzohej se kishte kryer veprime për arrestimin e nje personi ne kundërshtim me prokurorin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura