Investime në sektorin automotiv, Ahmetaj: Vlerë e shtuar për ekonominë

Feb 24, 2018 | 11:04
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ishte dje në një vizitë në kompaninë italiane “Mabiel”, pjesë e grupit Martinetto, e cila nisi aktivitetin e saj në Shqipëri në industrinë automotive. Kreu i Financave, Ahmetaj, nisjen e aktivitetit të kompanisë italiane e vlerësoi si një vlerë të shtuar për ekonominë.

ahmetaj komision

“Këtu jemi në një fabrikë të re, të ndërtuar nga grupi Martinetto, të cilët prodhojnë produkte specifike për industrinë automotive. Kanë vetëm dy muaj që kanë filluar. Siç e shikoni, industria është pothuajse e gjitha robotike, pra, nuk është nga ato industri ku punësohen me qindra e me mijëra, por është nga ato industri që kanë vlerë të shtuar serioze për ekonominë shqiptare. Unë besoj që, ajo që qeveria “Rama 1″ kishte në axhendën e vet, në mandatin e parë dhe tani po e shtyn me forcë, industrializimi i lehtë i vendit, stili italian sigurisht, pra, kompani të vogla dhe të mesme që prodhojnë produkte specifike për eksport, është duke ndodhur. Sigurisht është rrugë e gjatë, por është duke ndodhur”, tha Ministri Ahmetaj.

I pyetur se sa kanë ndikuar lehtësitë e ofruara nga qeveria për ardhjen në Shqipëri të kompanisë italiane, ministri Ahmetaj tha:

“Grupi italian përmendi disa nga lehtësitë. Patjetër, është lehtësia që ne kemi krijuar me heqjen e TVSH-së së makinerive dhe pajisjeve, është imazhi i mirë i përmirësuar i Shqipërisë, është dëshira për të mësuar. Më thanë që nuk kanë ardhur këtu për koston e lirë të fuqisë punëtore, përkundrazi. Janë këtu për arsye të tjera, që nga ambientit i të bërit biznes, që nga afërsia me tregjet, që nga sistemi tatimor, që nga lehtësia e futjes së makinerive dhe pajisjeve, etj. Realisht, ndihem shumë i kënaqur që pashë diçka të kësaj natyre specifike, që rrit gamën e eksporteve shqiptare” u shpreh Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura