Intrigat që fshihen pas debatit të Eni Çobanit mbi konfliktin gjyqësor të nuses me vjehrrën

Oct 6, 2018 | 22:14
SHPËRNDAJE

Disa ditë para rikthimit të saj në ekran me sezonin e ri “Shihemi në gjyq”, juristja e njohur Eni Çobani është bërë kryepersonazhi i medias, pas një lajmi që erdhi nga Gjykata e Apelit të Gjirokastrës.

eni cobani

Çobani, kësaj here në pozitat e avokates, ishte në mbrojtje të klientes së saj, Merushe Makri, e cila ka një konflikt pronësie me ish-nusen e djalit, Rudina Islamaj.

Në media u shpërnda me shpejtësi lajmi se Çobani ishte shoqëruar në Komisariatin e Gjirokastrës pas një debati, që kishte pasur në seancë gjyqësore me ish-nusen e klientes së saj. Mirëpo, e kontaktuar fillimisht nga “Gazeta Shqiptare”, Eni e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se përkundrazi ajo ka bërë të ditur se në Gjykatën e Apelit është zhvilluar një seancë normale dhe nuk ka pasur asgjë nga ato që flitet nëpër media.

Juristja e ka konsideruar “skandaloze” një gjë të tillë, ndërsa theksoi se po kthehej në Tiranë dhe se nuk kishte pasur asnjë shoqërim në Komisariat. “E gjitha është një dezinformim. Skandaloze, nuk e di se si ka dalë ky lajm që unë jam shoqëruar në Komisariat. Është një lajm i rremë dhe s’e di se si mund të luhet me figura publike. Unë jam duke u kthyer për në Tiranë dhe një gjë të tillë e kam marrë vesh nga të tretë. Në Gjykatën e Apelit është zhvilluar një seancë normale dhe nuk ka pasur asnjë gjë nga ato që thonë mediat”, pohoi Çobani. Edhe Policia e Gjirokastrës, e kontaktuar nga mediat, pohoi të njëjtën gjë.

Madje, kërkesës për një komunikatë lidhur me këtë ngjarje, ajo iu përgjigj negativisht. Por të tjera media dhanë lajmin se në Komisariat u shoqërua nga forcat “Shqiponja” Eni Çobani dhe denoncuesja Rudina Islamaj për të sqaruar situatën e krijuar në sallën e gjyqit.

Por burime jozyrtare pranë Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës e kanë hedhur poshtë këtë version dhe treguan për “Panorama Plus” se nuk figuron asnjë denoncim i tillë nga Islamaj për Eni Çobanin, e cila, sipas disa mediave, u mor në pyetje nga Policia e Gjirokastrës për disa minuta.

“I gjithë ky konflikt është nxitur nga Rudina Islamaj, e cila ka kërkuar ndryshimin e trupit gjykues të çështjes, ndërsa ka kërkuar të viktimizohet”, treguan burimet. Të tjerë persona që janë në dijeni të çështjes kanë pohuar se “tendenca e saj për të marrë vëmendje mediatike dhe për të bërë bujë, është konsideruar një bllof”, ndërkohë që ka nga ata që besojnë se “ajo mund të jetë nxitur nga të tjerë persona”, që mund t’i kenë dhënë garanci për të fituar çështjen me ish-vjehrrën”.

Kujtojmë që Çobani ka udhëtuar katër herë drejt Gjirokastrës në mbrojtje të klientes së saj, ndërsa Islamaj kishte kërkuar disa herë shtyrjen e gjykimit.

Lajmin e plotë e lexoni në linkun: http://www.panorama.com.al/panoramaplus/intrigat-qe-fshihen-pas-debatit-te-eni-cobanit-mbi-konfliktin-gjyqesor-te-nuses-me-vjehrren/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura