6 Tetor, 2018

Intrigat që fshihen pas debatit të Eni Çobanit mbi konfliktin gjyqësor të nuses me vjehrrën


Disa ditë para rikthimit të saj në ekran me sezonin e ri “Shihemi në gjyq”, juristja e njohur Eni Çobani është bërë kryepersonazhi i medias, pas një lajmi që erdhi nga Gjykata e Apelit të Gjirokastrës.

Çobani, kësaj here në pozitat e avokates, ishte në mbrojtje të klientes së saj, Merushe Makri, e cila ka një konflikt pronësie me ish-nusen e djalit, Rudina Islamaj.

Në media u shpërnda me shpejtësi lajmi se Çobani ishte shoqëruar në Komisariatin e Gjirokastrës pas një debati, që kishte pasur në seancë gjyqësore me ish-nusen e klientes së saj. Mirëpo, e kontaktuar fillimisht nga “Gazeta Shqiptare”, Eni e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se përkundrazi ajo ka bërë të ditur se në Gjykatën e Apelit është zhvilluar një seancë normale dhe nuk ka pasur asgjë nga ato që flitet nëpër media.

Juristja e ka konsideruar “skandaloze” një gjë të tillë, ndërsa theksoi se po kthehej në Tiranë dhe se nuk kishte pasur asnjë shoqërim në Komisariat. “E gjitha është një dezinformim. Skandaloze, nuk e di se si ka dalë ky lajm që unë jam shoqëruar në Komisariat. Është një lajm i rremë dhe s’e di se si mund të luhet me figura publike. Unë jam duke u kthyer për në Tiranë dhe një gjë të tillë e kam marrë vesh nga të tretë. Në Gjykatën e Apelit është zhvilluar një seancë normale dhe nuk ka pasur asnjë gjë nga ato që thonë mediat”, pohoi Çobani. Edhe Policia e Gjirokastrës, e kontaktuar nga mediat, pohoi të njëjtën gjë.

Madje, kërkesës për një komunikatë lidhur me këtë ngjarje, ajo iu përgjigj negativisht. Por të tjera media dhanë lajmin se në Komisariat u shoqërua nga forcat “Shqiponja” Eni Çobani dhe denoncuesja Rudina Islamaj për të sqaruar situatën e krijuar në sallën e gjyqit.

Por burime jozyrtare pranë Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës e kanë hedhur poshtë këtë version dhe treguan për “Panorama Plus” se nuk figuron asnjë denoncim i tillë nga Islamaj për Eni Çobanin, e cila, sipas disa mediave, u mor në pyetje nga Policia e Gjirokastrës për disa minuta.

“I gjithë ky konflikt është nxitur nga Rudina Islamaj, e cila ka kërkuar ndryshimin e trupit gjykues të çështjes, ndërsa ka kërkuar të viktimizohet”, treguan burimet. Të tjerë persona që janë në dijeni të çështjes kanë pohuar se “tendenca e saj për të marrë vëmendje mediatike dhe për të bërë bujë, është konsideruar një bllof”, ndërkohë që ka nga ata që besojnë se “ajo mund të jetë nxitur nga të tjerë persona”, që mund t’i kenë dhënë garanci për të fituar çështjen me ish-vjehrrën”.

Kujtojmë që Çobani ka udhëtuar katër herë drejt Gjirokastrës në mbrojtje të klientes së saj, ndërsa Islamaj kishte kërkuar disa herë shtyrjen e gjykimit.

KONFLIKTI NUSE-VJEHËRR, DHE MBROJTJA E ENI ÇOBANIT

Në lidhje me këtë histori, deklarimet në media u ndanë në dy palë. Nga njëra anë u komunikua lajmi se nga informacioni i marrë nga Gjykata e Apelit në Gjirokastër pohohet se ka qenë një seancë normale dhe të tjerë që informuan se juristja Çobani ka dhënë për disa minuta sqarim në Policinë e Gjirokastrës, pasi nusja e klientes së saj e kallëzoi se e ka kërcënuar në sallën e gjyqit.

Duke qenë se Islamaj kërkonte ndryshimin e trupit gjykues, citohet të jetë shprehur kështu Çobani gjatë seancës: “Atëherë, edhe një herë i nderuar kryetari i seancës dhe trupi gjykues! Kjo është një zvarritje e padrejtë. Unë kam reagimin tim si përfaqësuese e dy personave, si Merushes dhe Mihalit. Në qoftë se kjo zonja e ka ngjitur me shtëpinë Gjykatën e Apelit, unë vij katër orë nga Tirana dhe në qoftë se kësaj nuk i bën përshtypje, po ia përsëris prapë: Këtu do më kesh! Jo trup tjetër gjykues, por kudo që ta çosh ti, unë do të jem këtu. Unë e kuptoj se për çfarë i bën ti këto. Nuk i bën as për këto zotërinjtë që ke këtu, ti e bën për përfaqësuesin ligjor. Kaq po të them!”.

Kujtojmë se Çobani është avokatja e shtetases Merushe Makri, e cila në vitin 2016 u përfshi në një konflikt me ish-nusen e djalit të saj, Rudina Islamaj. Sherri mes tyre u bë publik edhe në rubrikën “Shihemi në gjyq”, që drejton Çobani, ku vjehrra akuzoi nusen se e kishte rrahur dhe nxjerrë nga banesa. Konflikti në familjen e tyre nisi në momentin që nuk mund të paguanin dot një kredi 70 milionë lekëshe të marrë nga nusja dhe djali i zonjës Merushe.

KUSH ËSHTË NUSJA, QË I KA SHPALLUR “LUFTË” ENI ÇOBANIT

Rudina Islamaj, nusja që pretendon të jetë kërcënuar nga avokatja Eni Çobani, u bë e njohur pasi publikoi incizimin e kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi, që i kërkonte favore seksuale me qëllim që të përfitonte pronën e përbashkët që ka pasur me bashkëshortin e saj dhe njëherësh babanë e dy fëmijëve.

Në rubrikën “Shihemi në gjyq” të Eni Çobanit dy vite më parë ishte vjehrra e saj ajo, që tregoi gjithë historinë. Merushe Makri tregoi se ishnusja e djalit ia ka marrë banesën me një vendim të papritur, të marrë brenda ditës, të Gjykatës së Apelit, ndonëse Merushja i kishte fituar gjyqet e Shkallës së Parë dhe Shkallës së Dytë.

Gruaja e moshuar tregoi se si nusja me pretendimin për t’u zhvendosur nga Gjirokastra në Tiranë, kërkonte të shiste banesën, që ajo e kishte ngritur me paratë e saj. Djali dhe nusja, sipas të moshuarës, kishin marrë kredi në bankë, por nuk paguanin, duke rrezikuar sekuestrimin e shtëpisë nga banka.

Për të kërkuar zgjidhjen e situatës, Merushja iu drejtua Prokurorisë, por pas kësaj, nusja nisi ta dhunonte vjehrrën dhe akuzonte burrin për dhunë. Po ashtu mësohet se ajo mori urdhër mbrojtjeje dhe madje kishte ngritur padi për ushtrim dhune edhe ndaj ish-vjehrrës.

Ndonëse e moshuara iu drejtua Gjykatës, u saktësua se krejt papritur nusja e fitoi të drejtën për të ndenjur në banesë me një vendim të Gjykatës së Apelit. Në Gjykatë, Rudina Islamaj ka kërkuar të shpallë të pavlefshme kontratën fiktive të kalimit të pronësisë së banesës nënës së bashkëshortit, bërë vite më parë.

Por, për këtë padi ish-vjehrra e ka kundërshtuar, duke kërkuar rrëzimin e kërkesës së nuses. Për këtë fakt, 38-vjeçarja ka kërkuar ndihmë nga kryetari i Gjykatës, Guximtar Boçi, për ta ndihmuar. Sipas dëshmisë së saj, kryetari veç orientimit për të paguar lekë, i ka kërkuar edhe favore seksuale në çdo takim.

Ajo ka thënë se pas vendimit të Shkallës së Parë të gjyqtares Blerta Çibuku, e cila është shprehur në favor të ishvjehrrës së dëmtuar, ajo kishte vendosur të regjistronte bisedat gjatë takimeve. Para hetuesve, nëna e dy fëmijëve ka treguar se biseda është regjistruar kur dosja ndodhej në Gjykatën e Apelit, ku Boçi kërkonte vazhdimisht favore seksuale që ta ndihmonte.

Më pas, edhe Gjykata e Apelit i kishte dhënë të drejtë ish-vjehrrës, duke bërë që e dëmtuara të shpresonte në vendimin e Gjykatës së Lartë. Në qershor të këtij viti, në Dhomën e Këshillimit tre gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kishin vendos mospranimin e ankimit të bërë nga e dëmtuara, edhe pse kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës e kishte marrë përsipër për ta ndihmuar.

Por pas këtij vendimi, nëna e 2 fëmijëve kishte mbetur pa shtëpi dhe pa pension ushqimor për fëmijët, duke bërë që të kërkojë ndihmë tek emisioni “STOP” për të publikuar audio-përgjimet dhe kërcënimet e kreut të Gjykatës së Gjirokastrës, i cili është pezulluar nga detyra.

Rudina mësohet se ua ka bërë të qartë hetuesve se kishte vendosur të ndërmerrte hapin e publikimit të të gjithë incizimeve, pikërisht në kohën kur ajo pa që nuk do t’i jepej as pension për fëmijët, jo më shtëpi. Ndërsa çështja vijon të jetë në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër, ndodhi episodi i sipërpërmendur.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al