INTERVISTA/ “Zbulohet vendi ku ruhej letra e Kadaresë për Enverin”

Aug 9, 2017 | 11:58
SHPËRNDAJE

Letra e Ismail Kadaresë për Enverin në vitin 1980, nuk ka dalë nga kasafortat e Nexhmije Hoxhës, por nga fondi i Arkivit të Shtetit. I futur rishtas në debatin që ka ngjallur ditët e fundit publikimi i këtij dokumenti në media, studiuesi dhe historiani i njohur, duke iu përgjigjur analistit Ilir Demalia, që publikoi letrën, Kastriot Dervishi, shpjegon me detaje mënyrën si ka qenë e arkivuar letra e famshme.

Kastriot Dervishi
Kastriot Dervishi

Përtej kësaj, ai argumenton me fakte rrethanat si ka shpëtuar nga kjo korrespodencë e pazakontë e shkrimtarit të madh e motra e tij që ndiqej këmba këmbës nga sigurimi i shtetit. “Vërtetë që Kadria u këshillua nga sigurimi në vitin ’78, argumenton Dervishi, por procesi i saj vazhdoi dhe më tej, ndërkohë që pjesëtarët e tjerë të dosjes së saj u arrestuan në vitin ’80…

Zoti Dervishi! Ditët e fundit në media ka shkaktuar debat një letër që Kadareja i ka dërguar Enverit në vitin ’80. Keni pasur dijeni për këtë dokument, u ka qëlluar ta lexoni më parë dhe çfarë mendoni për publikimin e tij së fundmi?

Letra që shkrimtari i njohur Ismail Kadare i dërgon Enver Hoxhës në prill të vitit 1980, është një çështje që e njoh prej më shumë se 15 vjetësh dhe që vit pas viti e kam kthjelluar akoma më shumë. E kam lexuar e rilexuar disa herë. Më duket disi e çuditshme zhurma që bëhet për të. Në fund të fundit, letra e shkrimtarit për të shpë- tuar motrën e tij nga burgu, është thuajse e ngjashme me mjaft letra të të dënuarve të regjimit komunist apo të të afërmve të tyre, të cilët kërkonin faljen e jetës apo uljen e dënimit. Çdo përpjekje për ta mistifikuar këtë fakt të thjeshtë, është një mundim pa vlerë…

Sidoqoftë, emri i shkrimtarit të madh, konteksti i ngjarjes, zhvillimet e asaj periudhe, e bëjnë të bujshme përmbajtjen e letrës…

Për mua nuk ka kurrfarë konspiracioni në mënyrën si është publikuar ajo. Shumë nga studiuesit e fushës, por jo vetëm, ka qenë i njohur me letrën që shkrimtari Kadare i adresonte kreut të regjimit komunist më 2 prill të vitit 1980. Ajo që ka rëndësi në këtë çështje të bujshme, siç e vlerësojnë disa media, është fakti pak i njohur i lidhjes së saj me zhvillimet e dosjeve agjenturialeoperative “Shtrigat” dhe “Krokodili”. Në bindjen time, kjo letër ka shpëtuar motrën e shkrimtarit, Kadrie Kadare nga burgosja më se e sigurt.

Mirëpo, botuesi i letrës e kundërshton këtë argument me faktin që dosja e motrës së Kadaresë ishte mbyllur në vitin 1978 me një këshillim, ndërkohë që letra për Hoxhën është bërë dy vite më vonë… Është e drejta e gjithkujt t’i komentojë zhvillime të tilla sipas mendimeve të tij, por unë kam tjetër qasje. Vërtetë që Kadria u këshillua nga sigurimi në vitin ’78, por procesi i saj nuk u mbyll aty. Sakaq, pavar- ësisht këshillimit, motra e shkrimtarit të njohur, siç rezulton nga dokumentet, vazhdonte të zhvillonte agjitacion e propagandë kundër regjimit komunist në forma nga më të ndryshmet.

Pikërisht në këtë periudhë u bënë dy arrestime të tjera, që në një mënyrë apo në një tjetër, ndërthureshin me pjesë të veçanta të dosjes së saj. Arrestimi i Eqerem Bibës më 20.2.1980, i Xhelall Ramkut më 21.1.1980 dhe i Hysenil Dumes më 5.7.1980, ishte një kërcënim real për motrën e shkrimtarit. Pra, në analizën e fakteve, rreziku ndaj Kadrie Kadaresë nuk ishte hequr në vitin 1978, por vazhdonte të ishte i njëjtë. Prandaj e theksova që letra e Kadaresë për të shpëtuar motrën, është sikundër letrat e mjaft të tjerëve që në atë periudhë i kërkonin kreut të regjimit për t’i lehtësuar sa të mundnin dënimin e familjarëve apo të afërmve të tyre.

Pra, ju e përjashtoni që kjo letër është publikuar me bekimin e Nexhmije Hoxhës, siç pohojnë disa…

Ata që bëjnë më shumë zhurmë për publikimin e letrës së Kadaresë për Hoxhën, nuk kanë dijeni për dy elementë kryesorë: fondin ku ndodhet dhe statusin e dokumentit. Le ta shpjegojmë qartë për këdo që është i interesuar. Dosja në fjalë ka këtë referencë: AQSH, F.14/AP, strukt, V.1980, D.170. Kjo dosje nuk është deklasifikuar sepse nuk ka qenë kurrë e klasifikuar. Pra, është dosje e zakonshme. Fondi 14 (Komiteti Qendror), është i përbërë në katër nënndarje, njëra prej të cilave është ajo e strukturës, e ndarë sipas Aparatit të Komitetit Qendror (grupi i instruktorëve, statutit, kuadrit, edukimit, artit e kulturës, shtypit, i jashtëm, sektori i përgjithshëm).

Shkurt, nuk ka lidhje me kasafortën e Nexhmije Hoxhës…

Letra nuk ka lidhje me kurrfarë kasafortash apo me emra të përveçëm. Siç e thashë, ka qenë e njohur shumë kohë më parë. Ne që punojmë prej vitesh në arkiva e dimë fare mirë këtë. Ata që nuk punojnë kurrë në arkiva, çuditen edhe për gjënë më të thjeshtë që lexojnë dhe fillojnë e thurin lloj-lloj legjendash. Dosja nr.170 është njëra prej dosjeve të zakonshme të këtij fondi. Ajo nis me një letër të Lefter Dilos drejtuar Enver Hoxhës në lidhje me çështjen e rubrikës “Ditari i një gjirokastriti”, në gazetën vendore të Gjirokastrës, e pastaj vijon me letrën e Ismail Kadaresë. Por, sikurse e thashë, kjo letër, pa historinë e dy dosjeve të mësipërme, është e pakuptueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura