Intervista/ Shqipëria në 4 rajone, deputeti Artur Roshi tregon mangësitë e ligjit: Do centralizojë pushtetin

Aug 8, 2020 | 15:19
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Kundër ligjit që u miratua më 29 korrik në Kuvend është shprehur edhe deputeti opozitar, anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Artur Roshi.

Deputeti Artur Roshi
Deputeti Artur Roshi

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Roshi e ka cilësuar këtë ligj që u miratua nga Kuvendi javën e fundit të sezonit parlamentar si një tentativë të radhës për të bërë një centralizim më të madh të pushtetit.

Sipas tij, nisma ligjore bashkë me objektivat e saj është e destinuar që të dështojë, ashtu siç më herët, sipas tij, kanë dështuar edhe nismat e tjera të qeverisë për të gjallëruar ekonomitë lokale. Sipas Roshit, ky ligj është një tjetër nismë e qeverisë për të shmangur dështimin ekonomik që ka disa vite që ka rënë mbi xhepat e shqiptarëve.

Deputeti i opozitës parlamentare e konsideron ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin” si një vazhdim të politikave të majta për ekonominë që kanë në fokus centralizimin, por që për qytetarët përkthehen në mungesë investimesh dhe në rritje të papunësisë dhe pasigurisë financiare, sidomos për ata që banojnë në zona rurale.

Në fund, Artur Roshi bën edhe një ironi me ndarjen administrative që u bë gjatë regjimit komunist me bazë rrethet.

NDARJA SIPAS AGJENCIVE PËR ZHVILLIMIN RAJONAL

Kuvendi miratoi në seancën e datës 29 korrik ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, përmes të cilit bëhet një ndarje e vendit në 4 rajone ekonomike dhe zhvillimi. Ju si anëtar i Komisionit të Ekonomisë, ku dhe ligji u diskutua para se të kalonte në seancë plenare, si e shikoni këtë hap që merret nga qeveria, duke qenë se në relacionin e ligjit në fjalë citohet se është vijim i Reformës Territoriale të vitit 2014?

Ju e kuptoni se tani mbas shtatë vitesh qeverisje, qeverisë nuk i ka dalë koha të realizojë reformat e premtuara dhe të nisura që nga viti 2014. Ideja është për të harmonizuar zhvillime ekonomike midis rajoneve të ndryshme të vendit. Lind pyetja: Pse u kujtuan tani që u erdhi koha për të ikur, ku kanë qenë shtatë vite? Thjesht është një tentativë tjetër në frymën e centralizimit të pushtetit, sikundër e majta e ka pjesë strukturore të programit dhe nuk duhet të na bëjë përshtypje. Në këndshikimin tim, duhet t’u japim mundësinë që ta provojnë edhe këtë gjë si një dështim të pjesshëm në dështimin e madh të ekonomisë që ata kanë bërë në vendin tonë përgjatë gjithë këtyre viteve që kanë qeverisur.

Mendoni se ndarja në katër rajone e Shqipërisë do të jetë efektive dhe mund të sjellë efektet e dëshiruara ekonomike?

Unë nuk pres asgjë nga politikat ekonomiste të së majtës. Ato i reformojnë për t’i përmbysur gjërat e arritura dhe jo për t’i ruajtur dhe përmirësuar. Rënia ekonomike në përgjithësi, por edhe rënia e buxheteve familjare që qeveria ka sjellë në këto vite, nuk motivon investime dhe sakrifica të njerëzve, prandaj edhe ky ligj është përpjekje e dëshpëruar dhe efekti do të jetë një “bashkësi boshe”, pra zero. Të majtët, sidomos këta që janë fanatikë, kujtojnë se fajin e kanë ligjet dhe merren gjithmonë me pasojën dhe jo shkakun e rëniessë ekonomisë, që është krijimi i institucioneve ekonomike ekstraktive që stimulohen nga politikat centralizuese.

Në ligj nuk është vendosur se si do të bëhet ndarja në 4 rajone, por është lënë në dorën e qeverisë. Në një shikim tuajin paraprak, si mendoni se mund të bëhet kjo ndarje e vendit në 4 rajone ekonomike, duke shkrirë 12 qarqet që kemi aktualisht?

Qeveria mendon se duke pasur katër rajone, e kontrollon dhe e zotëron më mirë zhvillimin ekonomik të pretenduar ndërrajonal. Këto rajone krijojnë një superstrukturë tjetër ekonomike, që më shumë do ta rëndojë për keq duke favorizuar moszhvillimin e ekonomisë. Lëre ta provojnë duke i ndarë si të duan. Ndarja do të ekzistojë vetëm në imagjinatën e qeverisë dhe vulgariteti dhe dështimi i projekteve do të jetë fundi i tyre politik shumë shpejt.

A mendoni se kjo ndarje në 4 rajone ekonomike fillimisht është një fazë e parë e një plani për ta kthyer më pas atë edhe në një hartë administrative të mirëfilltë?

Nuk besoj, sepse referenca e tyre për rajonet janë “26 rrethet” e Partisë së Punës. Këta në administrimin ekonomik nuk i tejkalojnë dot paraardhësit e tyre politikë të Partisë së Punës dhe besoj që edhe këtë herë, aty do ta kenë limitin. Ajo që kanë plus është aplikimi i matematikës së klasës së katërt fillore: “dy plus dy bëjnë katër në xhepin tim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura