Instalacion kujtese në librin e Ylli Demnerit

Apr 14, 2011 | 9:18
SHPËRNDAJE

Duke e shfletuar faqe pas faqeje përmbledhjen me copëza kujtimesh “Më kujtohet” që mban në kopertinë emrin e Ylli Demnerit, kupton se mënyra e konceptimit të librit nuk është pa lidhje me vetë formimin e autorit, kinematografinë, për të cilën studioi dhe në Francë rreth viteve ’90. Këtu nuk është fjala për të sjellë elemente autobiografike, sesa për të pasur në dorë një element më shumë në gjykimin e këtij libri, që për nga forma e përmbajtja paraqitet krejt i veçantë në letërsinë e shkruar shqip. Është fjala për dikë, që prej kohësh ka lënë mënjanë kamerën për të marrë penën në dorë, por nuk duhet këmbëngulur për të gjetur një kufi të qartë midis asaj që ai krijon me ato dy instrumente. Këtu me të vërtetë është rasti të përmendet një thënie e Jean-Luc Godard, që nënvizon se të shkruarit është si të bësh kinema, sepse midis të shkruarit dhe xhirimit ka një ndryshim sasior e jo cilësor. Nga ana e tij, autori kujdeset të mos e rreshtojë në një gjini të caktuar librin e tij, nuk e quan as “roman” e as “kujtime…”, por në të vërtetë lexuesi sikur tundohet ta quajë edhe ashtu edhe kështu. Se aty ai gjen elementë të bollshëm për ta quajtur “roman”, nëse do të nisemi nga përkufizimet që i janë bërë me kohë kësaj gjinie, aftësitë që ajo ka për të na sjellë para sysh epoka të tëra, personazhe e mendësi të caktuara, por askush nuk e ndien veten në gabim, po qe se i quan edhe “kujtime” në kuptimin dhe në atë masë që në shekuj autorë të ndryshëm e kanë ndier të nevojshme të paralajmërojnë se kujtimet e tyre reflektojnë një realitet që është përjetuar nga shumë të tjerë e, për pasojë, ato nuk i përkasin ngushtësisht vetëm atij. Të kujtuarit personal e një të kaluare kolektive, përcakton librin. Demneri, nga ana e tij, që po ashtu shënon se një ngacmim fillestar për ta shkruar atë e ka pasur nga “Je me souviens” i G. Perec, por me sa duket, “ndikimi” fillon e mbaron aty. Që në rreshtat e parë, bashkë me humorin e kudondodhur, lexuesi ndien të përshkohet nga një valë e freskët emocionesh, percepton një lloj “déjà vu”, diçka që e bën të thotë se vërtet edhe ai e kujton një gjë të tillë dhe me kohë harron formën dhe ndjek fillin e një serie të caktuar “sekuencash të kujtesës”. Një “pachwork” i vërtetë elementesh që kujtonim se i kishim harruar, të një kohe ku të duket se njerëzve u ishte ndaluar të rriteshin e të gjykonin me mendjen e tyre. Në të vërtetë, është fjala për një kohë që nuk meriton tjetër veçse të harrohet, po të mos qe i pranishëm edhe fakti i rëndësishëm se ajo ka qenë edhe koha e të gjithë atyre që nuk e kishin zgjedhur me vullnetin e tyre regjimin politik që ishte instaluar në Shqipëri. Dhe këtu ka një dallim që duhet shënuar me terma të qartë e që duket se ka qenë edhe shqetësim i vetë autorit, kur thotë se notat e nostalgjisë që vërehen aty-këtu nëpër libër nuk kanë të bëjnë aspak me atë dimension kohe që i përket diktaturës, por me atë kompleks të papërsëritshëm emocionesh, me të cilat përjetojmë një periudhë aq mbresëlënëse të jetës sonë: fëmijërinë e rininë e parë. Këtu duket se me interes është edhe “temperatura” e ngjyrave që ruan autori, pra qëndrimi ndaj atyre çasteve që sjell në kujtesë, i cili është gjithnjë në pajtueshmëri qoftë me naivitetin dhe aftësitë gjykuese të moshës, ashtu edhe me atë ngarkesë emocionale, me të cilën ngjarje të ndryshme janë përjetuar për herë të parë. “Më kujtohet, shkruan ai, ushtari me automatik në mes të rrugës që të çonte për në Bllok”. I frikshëm nuk ishte ushtari, por hapësira mbrapa…”. Pra, vetëm kaq mjafton se për të ngacmuar kujtesën tonë ku ai vend, për të cilin flet autori, ka rolin e një simboli të vërtetë, ku luheshin intrigat më të pabesa e merreshin vendime sa të çmenduara, aq edhe pa kuptim që fyenin dinjitetin e një kombi e na bënin qesharak në sy të të gjithëve. Pra, vërtet nuk ishte aspak ai ushtari që kishim frikë… Diku tjetër lexojmë: “Më kujtohet dyqani i vajgurit dhe sikleti kur isha adoleshent se mos më shikonte ndonjë vajzë me bidonin në dorë…”. E kush nuk e ka ndier të nevojshme qoftë edhe një herë të vetme ta lëshonte menjëherë bidonin përtokë, e të bënte sikur nuk ishte fare i tiji? Në thelbin e tyre, këto pjesëza kujtimesh jo rrallë marrin trajtën e sintezës së mendësisë së një periudhe të caktuar me një efekt të pashmangshëm semantik që bëhet i dukshëm nga fakti se të njëjtën gjë e ke të vështirë ta formulosh sot me fjalë të tjera. Pra, ajo mënyrë të shprehuri duket sikur mbetet më e përafërta për të shprehur ndjesitë e asaj kohe.
Pasi ke “notuar” në një univers të papërsëritshëm deri në faqet e fundi të këtij libri, ndien nevojën të tërhiqesh pak, sikundër ndodh për të perceptuar më mirë një tablo. Dhe, me të vërtetë aty kupton se para syve ke një kolazh të vërtetë, apo më saktë një instalacion kujtimesh që ka të gjitha karakteristikat e montazhit të një filmi. Nga ana e tij, për këtë lloj “montazhi” autori ruan një frymë krejt eklektike, gjë të në të vërtetë i përgjigjen një realiteti psikologjik. Në jetën e përditshme kujtdo i ndodh që në kujtesë i vijnë copëza të fëmijërisë, pa ruajtur asnjë koherencë kohore, e pa qenë fare i ndërgjegjshëm se shpesh ato janë pasojë e një ngacmimi të rastit të ditëve të sotme. Ajo që ndez emocionet, janë imazhet që shpërthejnë në kujtesë herë gjithë ngjyra e dritës, herë me keqardhje për diçka të lënë pa thënë a pa bërë, por në të shumtën e rasteve pa mundur të gjejmë një shpjegim racional pse ndodh një gjë e tillë. Pikërisht duke ruajtur këtë “strukturë natyrore” për librin e tij, Ylli Demneri ka gjetur çelësin që hap derën e një bote të tërë imazhesh të “ndrydhura” edhe në mendjen e lexuesit, i cili ndihet krejt i lirë t’i bashkëshoqërojë “imazhet” e autorit me përjetimet e tij personale e, madje, nis e ndien vështirësi, kur kërkon të gjejë se ku mbarojnë kujtimet e autorit dhe ku fillojnë të tijat. Kjo është cilësia më tërheqëse e këtij libri.

 

DASHNOR KOKONOZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura