Infeksioni, kushti i sallave të operimit

Sep 22, 2014 | 14:49
SHPËRNDAJE

Goni e shtyu operacionin 2 muaj. Në qershor iu shfaqën shenjat e para të sëmundjes. Doktorët i thanë prit të freskohet njëherë. Nuk e ke me ngut. Gjë që rregullohet, ndërhyrje e rëndomtë, por që duhet bërë. Dy muaj s’ishin asgjë. Madje thuajse e harroi ç’e priste në shtator, për shkak të pushimeve aq të bukura që kaloi. Erdhi dita! Në spital do të rrinte vetëm dy ditë e do dilte. Gjithçka shkoi mirë deri në fazën e parashikuar. I rehatuar siç ishte në shtëpi, me të shoqen përditë në kokë për t’i qenë gati në të gjitha, ndien ca si kruajtje. E pse të shqetësohej për kaq?! Fundja dush nuk kishte bërë, plaga nuk duhej lagur… ndaj. Deri sa “fërkimet” u bënë të vazhdueshme, intensive, justifikimi i dushit nuk pinte më ujë. Vërtet, operacioni kishte qenë i lehtë, në kuptimin e kapacitetit mjekësor, por kjo s’kishte të bënte fare me infeksionin. Ajo ishte çështje tjetër; shumë e mundur, pakujdesi e gruas. Më shumë sesa Goni vetë, duhej qetësuar pikërisht ajo që e kishte mbajtur si drita. Kaçurrelat iu shtrinë ca kur dëgjonte ca si zëra nëpër korridoret e spitalit, që i thoshin se ishin aty për të njëjtën gjë. Fill, pe, moline… Nejse, do ta ndriçonte krejt mjeku që i qëlloi t’i priste. “Zonjë, mund të rrini e qetë, sepse traditat e pastërtisë që keni trashëguar nga gjyshja nuk kanë të bëjnë me rastin!”. Atëherë, çfarë ishte?
Edhe më i qetë e i shtruar se në fjalinë e parë doktori vijoi të shpjegonte arsyet e infeksionit në plagë. Nuk po mbante leksione për shkaqet e zakonshme që i kishte mësuar shkolla e jeta. Jo! Ishte konkret.
“Ju nuk jeni të parët që vini për këtë problem. Mund t’ju ketë zënë veshi edhe raste të tjera që kanë të njëjtin shkak. Vjen prej fillit që qepet plaga. Kështu ka qëlluar ky furnizimi i fundit që na kanë sjellë”. Ç’të thoshin!? Si t’i përgjigjeshin?! Kujt t’i ankoheshin?! Pa i dhënë përgjigje asnjërës, së pari qeshën se e menduan humor të doktorit, meqenëse shquhen. Edhe bluza e bardhë e bëri pak buzën në gaz, por aq sa për të qenë mbështetës, si të thoshte, ç’të të them edhe unë!?
Vërtet ai s’kishte ç’të thoshte më, kishte qenë i hapur boll, madje me intonacion që kërkonte t’i qaje edhe hallin se si ua kishin bërë këtë padrejtësi. Të dy burrë e grua, pas mjekimit, e treguan ngjarjen nga mundën dhe mes rrëfimesh, siç është tipike të të ndodhë të dëgjosh gjëra të ngjashme, mësuan se përvoja e tyre ishte e disata. Filli që përdoret në operacione në spitalin e Tiranës shkakton infeksion! Ta thotë mjeku!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura