Indrit Çobani: Puthja me Olta Gixharin? As stacion që të ndalosh, as të ulësh shpejtësinë

Jan 30, 2016 | 9:03
SHPËRNDAJE

Piktura e një shoqërie të trishtuar të viteve 1900 të Rusisë, vjen e njëkohshme me shoqërinë shqiptare të ditëve të sotme. Mesa duket, kjo shenjë barazimi e ka shtyrë regjisorin Hervin Çuli të vinte në skenë veprën e Çehov “Tri Motrat”, një shfaqje plot tre orë e gjysmë në skenën Teatrin Kombëtar.

Puthja pasionante e Indrit Çobanit me Olta Gixharin, si Andrej me Natashën, ka sjellë dhe një herë në vë- mendjen e mediave se si përjetohen puthjet skenike mes aktorëve. Për Indrit Çobanin, kjo është një marrëdhënie e tejkaluar tashmë. Ai bën këtë rrëfim të dyfishtë artistik, për veten dhe burrin rus të viteve ’900, pasi për të është hera e parë që intepreton një Çehov.

Indriti shqiptar si Andrej rus. E kishe të vështirë të sillje në skenë karakterin e një burri të viteve 900?

Takimi me një personazh është moment shumë special për një aktor. Është një marrëdhënie shumë intime, e sinqertë dhe unike. Bëhen biseda shumë të gjata. Personazhi është krejt i sinqertë me aktorin. Nuk mban të fshehta. I flet për jetën e tij, ëndrrat, frikërat, pasionet, dashuritë, urrejtjet. Aktori nga ana tjetër, duhet shumë i vëmendshëm, që të kuptojë sa më shumë nga personazhi. Një aktor merr përsipër të paraqesë jetën e personazhit. Ashtu si ai ia rrëfen ndër rreshta të shkruar. Dhe që ta bësh këtë, duhet të dish sa më shumë rreth jetës së tij. Edhe për kohën në të cilën ka jetuar, siç ju pyesni. Për gjithçka! Që aktori të fitojë publikun, ata duhet të shohin tek ai jetën e jo imitimin e saj. Duhet ta shohin personazhin tredimensional e jo një siluetë. Vështirësi sigurisht ka pasur… Ato kanë qenë komplekse, por vështirësive unë nuk u trembem, ato më udhëheqin drejt zgjidhjes.

Çfarë ke të përbashkët dhe totalisht të kundërt me personazhin?

Personazhi lind brenda aktorit. Ai merr nga ty frymën, zërin, trupin… Ti merr nga ai historinë, fjalët, të djeshmen, të sotmen. Ne nuk bëjmë dot pa njëritjetrin. Japim dhe marrim sa të mundemi. Herë ngjajmë, herë dukemi krejt të kundërt. Një personazh mund të ketë jetuar me dhjetëra, qindra apo mijëra herë nëpërmjet aktorëve të tjerë. Pra publiku mund ta njohë jetën e tij. Por ai është aty për ta dëgjuar dhe parë të treguar nga ty. Dhe ti je aty për të paraqitur personazhin dhe autorin, jo veten. Në asnjë mënyrë veten. Unë asnjëherë nuk vë në balancë veten me personazhin, as krahasime nuk bëj. Është një marrëdhënie shumë delikate, por për mua nuk duhet të ndodhë krahasimi i aktorit me personazhin.

Kur regjisori Hervin Çuli të ofroi këtë rol, u ndjeve i frymëzuar?

Ftesën nga regjisori e mora një mëngjes të nxehtë vere. Dhe të them të drejtën temperaturat e larta nuk më penguan të nxitoja për të rilexuar tekstin, pasi për mua është hera e parë që interpretoj Çehovin. Fillova të studioj veprën dhe gjithnjë e më shumë bëhesha i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij roli. Andrei filloi të rritej brenda meje. Ditë pas dite më bëhej më i qartë. Shihja se si hynte me dritë, shpresë dhe ëndrra në aktin e parë. E më pas e humbte, deri sa mbulohej nga errë- sira. Ajo që më nxit dhe më motivon të bëj teatër është mundësia për të thënë disa gjëra me zë të lartë si qytetar. Kjo është forca e teatrit që, veç të bukurës, argëtimit, ka mendimin. Teatri duhet të ngrejë pyetje. Kjo më udhëheq kur marr dhe interpretoj një rol: Çfarë do t’u them me zë të lartë atyre që më dëgjojnë, publikut.

Martesa me Natashën, që luhet nga Olta Gixhari, në njëfarë mënyre orienton vazhdimin e shfaqjes. Çfarë gjen të përbashkët me këtë çift tipik të asaj kohe me çiftet sot?

Që të bëhet një shfaqje janë të domosdoshme tri gjëra: teksti, aktorët dhe publiku. Dhe roli i publikut nuk është aspak pasiv në një shfaqje. Por një nga gjërat thelbësore që e bën atë aktiv, është heqja e paraleleve mes vetes dhe asaj që ndodh në skenë. Unë them që regjisori ka qenë i kujdesshëm kur e ka përzgjedhur këtë vepër, e cila ka thekse të forta mbi vendin dhe kohën në të cilën jetojmë. Kjo vlen edhe për çiftin Andrej dhe Natasha. Një çift që mbërthehet shpejt nga kriza e komunikimit, nga vetmia, nga dëshira e njerit për të dominuar tjetrin, nga tradhtitë bashkëshortore.

cobani

Mediat shkruajtën se rikthehesh me një puthje skenike me Olta Gixharin pas nëntë vitesh. Si do ta përshkruaje atë puthje, në dukje pasionante?

Mendoj që sot puthja në skenë nuk është më një stacion, ku jo të ndalosh, por as të ulësh shpejtësinë. E gjej një marrëdhënie të tejkaluar, jo vetëm prej aktorëve, por edhe prej publikut.

olta-cobani

Të pëlqejnë partneret ekspresive si ajo?

Ekspresiviteti është shumë i rëndësishëm për një aktor në skenë. Kur luan, ti duhet të përqendrohesh te partneri, jo te vetvetja. Kjo është shumë, shumë e rëndë- sishme. Aktori në asnjë rast nuk duhet të mendojë se veprimi është ai, jo. Është gjithnjë tjetri. Prandaj ato momente kur dy aktorë e harrojnë veten dhe thellohen në atë çfarë po ndodh me tjetrin, janë momentet më të mira të shfaqjes. Për këtë partneri është shumë i rëndësishëm. Dhe jam shumë i kënaqur me partnerët e mi, me Olta Gixharin si partnerja kryesore, me Mehdi Malkën, Flaura Kuretën, Bujar Asqeriub, Elia Zaharian, Helidon Finon, Ola Hariza jn dhe të gjithë trupën…

Në fund ti e humb shtëpinë në bixhoz. A kishe studiuar karakterin e ndonjë bixhozxhiu të rrënuar, dhe si është të kapësh fundin në jetë?

Teatri lind dhe vdes me hapjen dhe mbylljen e perdes. Shfaqja jonë jeton 3.5 orë në ditë. Kaq jeton edhe personazhi im. Ama unë jetoj në ato çaste që ai të jetojë. Unë eci që ai të ecë dhe flas që ai të flasë. Dhe ndjesinë e rrënimit e jetoj sa herë që jam në skenë. Kuptohet, unë jam aktori dhe jo personazhi, por jam aty për ta treguar të vërtetën e Andreit me sa më sinqeritet dhe vërtetësi të mundem. Nuk kam shembuj të tjerë veç vetë personazhit.

Përgatiti: KLOTILDA HARKA

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura