“Im atë, i bëri Mbretit Zog fotot e dasmës dhe Enverit foton e parë, më pas i mësoi zanatin Sulo Gradecit”/ Historia e panjohur e familjes…

| 8:10
SHPËRNDAJE

Publikohet historia e panjohur e familjes Ristani me origjinë nga Zagoria e Gjirokastrës, ku të parët e tyre, Vasili me Janin, për shkak të varfërisë së madhe që mbizotëronte në atë krahinë, kishin emigruar në Stamboll dhe në Argjentinë, ku dhe mësuan zanatin e fotografit dhe pasi u kthyen në Shqipëri, u vendosën në Tiranë ku me kursimet e kurbetit, në vitin 1935 hapën dyqanin e tyre “Foto-studio Ristani” në Bulevardin “Zogu i Parë” përball Hotel “Donika” ku shumë shpejt u bënë të njohur dhe e detyruan Mbretin Zog që t’i thërriste në ceremonitë e zhvilluara me rastin e dasmës së tij.

20200320_234410

Si e vazhduan Ristanët profesionin e tyre të fotografit edhe në periudhën e pushtimit të vëndit, duke fiksuar imazhe të rralla nga Lufta për çlirimin e Tiranës dhe menjëherë pas Luftës, në dhjetorin e vitit 1944, Vasil Ristani shkoi dhe i bëri Enver Hoxhës edhe foton e parë zyrtare të tij si kryeministër, gjë të cilën ia mundësoi, Alqi Kondi shefi i kabinetit.

Si vijoi gjatë periudhës së regjimit komunist karriera profesionale e familjes Ristani, të cilët e ushtruan atë mjeshtri në katër breza, gjë të cilën e vazhdon ende, Petriti, i fundit i asaj dinastie të famëshme, që me aparatet e tyre, për më shumë se një shekull, kanë fiksuar momente historike nga historia e Shqipërisë.

20200321_002320

“Ishte dhjetori i vitit 1944, kur babai im Vasil Ristani, shkoi tek shtëpia e Enver Hoxhës, dhe i tha sekretarit të tij Alqi Kondit, se donte që t`i bënte një fotografi Komandantit, siç e thërrisnin Enverin atëhere.

Alqi Kondi i telefonoi Enverit dhe i tha se ka ardhur Ristani, e kërkon që të bëjë një fotografi për shtypin. Enveri menjëherë e aprovoi kërkesën e bërë dhe i tha Alqit, që ta fuste brenda Vasilin, për të realizuar fotografinë që kërkonte.

Babai ngeli ngushtë, sepse nuk e kishte menduar se ajo gjë do të ishte aq e lehtë dhe nisur nga ai paramendim, nuk e kishte marrë aparatin me vete. Në ato momente ai i tha Alqi Kondit, se nuk ishte gati, pasi kishte shkuar vetëm për ta pyetur, e në çast i hipi biçikletës dhe me shpejtësi u nis drejt dyqanit, për të marrë aparatin me të cilin do të fotografonte Enver Hoxhën, që po e priste në zyrën e tij”.

Petriti, djali i Vasil Ristanit, për herë të parë bënë publike për Memorie.al, atë ngjarje të largët të dhjetorit 1944-ës, kur babai i tij, një nga fotografët e njohur e të famshëm të kryeqytetit që nga koha e Monarkisë së Zogut, u nis në drejtim të shtëpisë së Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe njëkohësisht kryeministër i qeverisë, gjeneral-kolonel Enver Hoxhës, për t` i kërkuar atij, që t’i bënte një fotografi të cilën ja kërkonin gazetat që botoheshin asokohe.

Vasil_Ristani-1-e1584858324825

Po kush ishte Vasil Ristani, cila ishte origjina e familjes së tij dhe ku e kishte mësuar ai zanatin e fotografit? Çfarë sigurie kishte ai, që ja kërkoi atë gjë Enver Hoxhës, kur deri në atë kohë, asnjë nga kolegët e tij, nuk kishte guxuar që ta shkonte nëpër mend atë gjë?

Ristani, emigrant në Stamboll

Babai i Petritit, Vasil Ristani kishte lindur në vitin 1908, në fshatin Lliar të krahinës së Zagorisë që përfshihej në Qarkun e Gjirokastrës. Asokohe banorët e fshatrave të krahinës së Zagorisë, jetonin në një varfërie të madhe për vetë kushtet që kishte ajo zonë malore. Nisur nga ai fakt, që në vitet e parë të shekullit të kaluar, fshatarët e asaj krahine kishin zgjedhur si mjet jetese, rrugën e kurbetit. Një nga ata ishte dhe Vasil Ristani, i cili që në moshë fare të re, aty nga viti 1919, kur nuk ishte më shumë se 11 vjeç, mori rrugën e largët të emigracionit për në Turqi. Me të mbërritur në kryeqëndrën e Perandorisë Osmane në Stamboll, Vasilin e vogël e priti xhaxhai i tij Koço Ristani, i cili kishte emigruar aty që shumë vjet më përpara dhe punonte si bakall, duke shitur bulmetra. Koço e mori Vasilin që të banonte në shtëpinë e tij, e më pas rregulloi nipin e tij, që të punonte si shitës ambulant në rrugët e Stambollit. Krahas asaj pune, Vasili i vogël kishte dëshirë të madhe që të bëhej muzikant dhe me lekët që kishte kursyer, bleu një violinë me të cilën mundohej të lozte pjesë të ndryshme aty në shtëpinë e xhaxhait. Pas disa kohësh nga dita që Vasili bleu violinën, xhaxhai i tij Koço, u mërzit nga zhurma e tingujt bezdisës të saj dhe ja theu atë copa copa. Më pas për të mos e mërzitur nipin e vogël, ai i dhuroi atij një aparat fotografik dhe i rekomandoi që të mësonte zanatin e fotografit. Pas kësaj, Vasilit i pëlqeu ajo gjë dhe nisi të merrte njohuritë e para rreth atij zanati nëpr foto-studiot e Stambollit. Për një kohë të shkurtër ai mësoi që të bënte fotografi mjaft të mira dhe ato i dërgonte në shtëpinë e tij aty në fshatin Lliar të Zagories në Gjirokastër.

Nga Stambolli në Argjentinë

Vasil_Ristani-1-e1584858324825

Pasi qëndroi për rreth shtatë vjet në Stamboll, aty nga vera e vitit 1926, Vasili u kthye në fshatin e tij të lindjes Lliar. Pasi qëndroi vetëm pak kohë aty, ai u nis përsëri në rrugën e largët të kurbetit, drejt Amerikës së Jugut, në Argjentinën e largët, ku ndodhej babai i tij Kiço Ristani, i cili kishte emigruar aty vite më parë së bashku me disa bashkfshatar zagorias. Edhe në Argjentinën e largët, Vasili bëri të njëjtën punë që kishte bërë dikur në Stamboll, duke shitur mallra si tregtar ambulant. Me atë punë ai u muar për dhjetë vjet me rradhë, deri në vitin 1935, kur mori rrugën për t`u kthyer drejt Shqipërisë. Nga puna me tregtinë ambulante, Vasili fitoi një shumë të madhe parash, gjë e cila e detyroi që të kthehej në vendin e tij, nga ku nuk kishte shkelur që prej dhjetë vjetësh. Kur erdhi në Shqipëri, ai qëndroi fare pak në fshatin e tij dhe së bashku me xhaxhanë tjetër Janin, i cili në atë kohë u kthye dhe ai nga Stambolli, u shpërngulën për në Tiranë. Gjatë viteve që Jani kishte qenë si emigrant në Stamboll, kishte mundur që të hapte një dyqan të vogël fotografie dhe e kishte përvetsuar mjaft mirë atë zanat. Pasi erdhën në kryeqytet, Vasilin së bashku me xhxhanë Janin, zyra Mbretërore e Rekrutimit i mobilizoi dhe i dërgoi që të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak po në Tiranë. Pas lirimit nga ushtria, ata vendosën që të mos ktheheshin më në fshatin e tyre, por të qëndronin në kryeqytet duke hapur aty një dyqan fotografie. Kështu ata e bënë realitet vendimin e tyre dhe hapën dyqanin e parë të fotografisë në Tiranë, në Bulevardin “Zogu i Parë”, (afër ish Restorant “Donika”).

Foto-studio Ristani në 1935

Për hapjen e atij dyqani të cilën e quajtën “Foto-studio Ristani”, Vasili vuri në dispozicion paratë e shumta, të cilat i kishte fituar me djersë nga puna e gjatë që kishte bërë në Argjentinë, kurse xhaxhai i tij Jani, investoi zanatin e përvojën e tij si fotograf, të cilën e kishte mësuar në Stamboll.

20200320_234633

Foto-studio “Ristani”, që hapën në atë kohë Vasili me Janin, ishte një nga më modernet e kohës. Shumë shpejt, duke përfituar dhe nga pozicioni i favorshëm i dyqanit të tyre, që ishte pranë bulevardit kryesor dhe sheshit “Skënderbeg” në qëndër të Tiranës, ata bënë një emër të mirë dhe mundën të fitojnë një klientele të madhe.

Nisur nga kjo gjë, në vitin 1937, në festimet e mëdha me rastin e 25 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, të cilat u kryen me parada e ceremoni të shumta, Vasili me Janin u thirrën në Pallatin Mbretëror, ku do të fiksonin në aparatet e tyre, momente nga ato ceremoni jubilare, ku do të asistonin funksionarët më të lartë të shtetit dhe të Oborrit Mbretëror, e vetë Mbreti Zog. Së bashku me Vasilin e Janin, aty ishin thirrur dhe fotografët e tjerë, si: Kel e Gegë Marubi, e shoqja e fotografit austriak Wiesman që ishte mik personal i Mbretit Zog, Mihal Popi (aktori i famshëm) Dedë Jakova, Ali Bakiu (në 1945 Kryetar i Bashkisë Tiranës) Ymer Bali, Mandi Koçi (më pas fotografi i Enver Hoxhës dhe i Shtabit të Përgjithshëm) dhe fotografët e “Foto Maca” e ata të “Foto- Dajti” (Arvriqi me Kelmendin). Të nesërmen e mbrëmjes së 28 nëntorit, ku Vasili me Janin bënë fotografi të shumta, në vitrinat e dyqanit të tyre, ata afishuan të gjitha fotot që kishin bërë në ceremonitë e rastit. Po atë ditë, në dyqanin e tyre “Foto-studio Ristani”, shkuan për një vizitë, fotografi shkodran Kel Marubi, së bashku me djalin e tij Gegën.

20200320_234544

Marubët e famshëm, (at e bir) kishin ardhur nga Shkodra në Tiranë, pasi ata ishin dhe fotografët zyrtar të Oborrit Mbretëror dhe personalisht të Mbretit Zog. Keli, pasi i pa të gjitha fotot që kishin bërë Vasili me Janin, i përgëzoi ata dhe ju drejtua djalit të tij: “Gegë, merr shembull nga këta djem. Këtë punë që këta e kanë bërë për një ditë, mua do të më duhej një javë për ta bërë”.

Fotograf i shtypit, e në dasmën e Zogut

Përveç në studion e tij, Vasili filloi të aktivizohej dhe me organet e ndryshme të shtypit, duke fiksuar foto të ndryshme kryesisht nga reportazhet që bënin gazetarët. Pasi fitoi një emër të mirë në këtë drejtim, ai u thirr nga redaksia e gazetës “Drita”, që të punonte në mënyrë ekskluzive vetëm për atë redaksinë e saj. Kështu gjatë atyre viteve, Vasili me aparatin e tij, shëtiti pothuaj të gjitha krahinat e Shqipërisë, duke fiksuar me qindra foto të ndryshme, të cilat u pasqyruan në shtypin e kohës. Po kështu, Vasil Ristani ishte i ftuar dhe merrte pjesë si fotograf në të gjitha aktivitete dhe festat zyrtare që zhvilloheshin asokohe. Në këtë kuadër, ai ishte i ftuar dhe mori pjesë në ceremoninë e martesës së Mbretit Zog me konteshën hungareze Gerlardinë Apony, ceremoni e cila u zhvillua në ambjentet e hotelit “Internacional”. Pas disa vjetësh, nga të ardhurat që fituan, Vasili ndërtoi një shtëpi në rrugën e Kavajës dhe nga fundi i vitit 1942, ndërtoi dhe një tjetër në rrugën “Fortuzi”.

Që nga viti 1935, kur Vasili me xhaxhanë e tij, Janin, hapën dyqanin e tyre dhe gjatë gjithë periudhës së pushtimit të vendit, ata u muarën vetëm me zanatin e tyre të fotografit, duke mos u përzier dhe implikuar në asnjë veprimtari tjetër të karakterit politik. Ata ju kushtuan vetëm fotografisë dhe furnizoheshin rregullisht me materialet e nevojshme filmike nga Ali Bakiu, që kishte ekskluzivitetin e “AGFA”-as në Shqipëri.

Gjatë periudhës së pushtimit, (1939-’44) Vasili fotografoi momente të ndryshme nga lufta dhe Tirana e shkatëruar nga bombardimet e aviacionit, foto të cilat ruhen ende në gjendje mjaft të mirë, në foto-arkivën e familjes Ristani. Në ditën e 28 nëntorit 1944, kur qeveria provizore me në krye Enver Hoxhën erdhi nga Berati për në Tiranë, Vasili ju doli atyre përpara që kur zbritën nga makinat tek ura e Lanës, në rrugën e Elbasanit dhe i shoqëroi ata, duke ju bërë foto të ndryshme deri para hotel “Dajtit”, ku u zhvillua parada e madhe e partizanëve fitimtarë.

Enver Hoxha pozon për Ristanin
Kur nuk kishin kaluar vetëm disa ditë nga mbarimi i Luftës, aty nga fundi i dhjetorit të vitit 1944, Vasil Ristani u nis në drejtim të shtëpisë së Enver Hoxhës, ose Komandantit, siç thirrej ai atëhere, me mendimin për t’i kërkuar që t`i bënte një fotografi, të cilën ja kishin kërkuar organet e ndryshme të shtypit që botoheshin asokohe. Lidhur me këtë gjë, i biri i tij, Petrit Ristani, i cili ka trashëguar zanatin e babait dhe të xhaxhajt të tij Janit, duke punuar për 30 vjet në organet e shtypit ushtarak, dëshmon mbi atë ngjarje të largët kur babai i tij, fotografoi Enver Hoxhën, kreun e shtetit komunist.

“Babai u nis në drejtim të shtëpisë së Enverit, me mendimin për ta pyetur, nëse ai do të pranonte të fotografohej. Ai ja tha atë gjë Alqi Kondit, që asokohe ishte sekretar i Enver Hoxhës. Alqi telefonoi përnjëherë Enverin dhe i trasmetoi kërkesën që i paraqiti Vasili. Nga ana tjetër e telefonit, Enveri urdhëroi që të lejohej Ristani të hynte në shtëpinë e tij, për të bërë foton që kërkonte. Babai ngeli ngushtë se nuk e kishte parashikuar se ajo gjë do të ishte aq e lehtë dhe nga kjo as që e kishte marrë aparatin me vete.

Ajo përgjigjie e vuri në siklet të madh babanë dhe ai menjëherë i hipi biçikletës e shkoi në dyqan për të marrë aparatin e u kthye shumë shpejt aty ku e priste Enveri. Vasili nxorri nga çanta një çarçaf të bardhë që e mbante për sfond fotografie në dyqan dhe jua dha ta mbanin tre partizanëve që ishin rojet personale të Enverit. Pas kësaj Enveri u afrua para çarçafit dhe babai i bëri nëntë shkrepje.

Para se t’i bënte shkrepjen e fundit, babai i tha Enverit që të buzëqeshte pak, pasi ai qëndronte shumë i vërjetur. Enveri ju përgjigj babait: ‘Nuk mund të qesh dot, sepse ne vimë nga Lufta’. Pas kësaj babai doli nga shtëpia e Enverit dhe për dy tre orë i stampoi fotografitë e ja çoi ato Alqi Kondit që t`ja jepte Komandantit për t’i parë. Enverit i pëlqeu ajo foto dhe e firmosi që ajo të botohej për shtyp”, kujton Petriti atë ngjarje, kur babai i tij Vasili fiksoi Enver Hoxhën, duke u bërë dhe fotografi i parë zyrtar i tij.

40 napolona për foton e Enverit

Pasi bëri fotografinë e Enverit, Vasilin e thirrën në Bashkinë e Tiranës, ku njeri nga shefat e saj, Drit Çaushi, i kërkoi atij që ta riprodhonte foton që i bëri Enverit, duke harxhuar të gjithë letrën që kishte në dyqan, sepse portreti i Komandantit, do t`ju duhej për të gjitha zyrat e administratës shtetërore. Vasili shkoi në studion e tij dhe e përdori të gjithë materialin e pakët filmik që i kishte ngelur, duke bërë 200 foto me format 50 me 60, të cilat ja dërgoi Drit Çaushit në zyrën e tij, pranë Bashkisë së Tiranës. Çaushi e pëlqeu shumë atë foto dhe e pyeti sa para i detyroheshin. Vasili i tha, se për hakun e punës, nuk donte asgjë, por vetëm për materialin filmik.

Çaushi i dha 40 napolona dhe Vasili i harxhoi të gjitha ato, duke blerë miell për bukë, pasi familja e tij ishte në gjendje të keqe ekonomike. Pas dy vjetësh, në 1947-ën, Vasilit e Janit, jua mbyllën dyqanin e fotografisë në kuadrin e shtetëzimeve. Në atë kohë Zeqi Agolli, e mori Vasilin për të punuar pranë Laboratorit Filmik të shtetit shqiptar të pasluftës, që sapo ishte hapur. Gjatë asaj kohe, Vasili mori pjesë si fotograf në grupin hetimor të incidentit të Kanalit të Korfuzit, fotot e të cilit u paraqitën nga pala shqiptare dhe në gjygjin e Hagës.

Në atë laborator që më pas kaloi në varësi të ATSH-së, Vasili punoi deri në vitin 1953. Atë vit kur vdiq Stalini, Vasili ishte i vetmi fotograf që u lejua nga Enver Hoxha, për të bërë fotot e ceremonive e mëdha mortore që u organizuan në sheshin “Skënderbej”. Nga ai vit e deri në 1973 kur doli në pension, Vasil Ristani punoi si fotograf në Ndërrmarjen e Shërbimeve Komunale.

Sulo Gradeci, nxënës tek Ristanët
Aty nga fillimi i vitit 1960-të, Shefi i Shërbimit të Rojeve të Enver Hoxhës, Sulo Gradeci e thirri xhaxhanë e Vasilit, Jani Ristanin dhe e mori në punë si fotograf në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë Brendëshme, e cila mbulonte Sigurimin e udhëheqjes së lartë të partisë dhe shtetit komunist. Qëllimi i marrjes së Janit në atë drejtori, ishte se ai duhet të mësonte Sulo Gradecit zanatin e fotografit, që do t’i duhej për të fotografuar Enver Hoxhën.

Kështu atë zanat që Sulo Gradeci e përvetsoi aq mirë dhe e ushtroi prej shumë vjetësh pranë Enver Hoxhës, e ka si dhuratë nga Jani Ristani, xhaxhai i Vasilit që në vitin 1944, ishte fotografi i parë zyrtar i tij. Jani jeton ende në një moshë të thyer, kurse Vasili është ndarë nga jeta në vitin 1989 dhe zanatin e tij, ja ka lënë djalit Petritit, i cili njihet si një nga fotografët më në zë të para viteve ’90-të./Memorie.al/

 

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU