ILDKP: Arben Ndoka nuk justifikon 1.5 mln euro pasuri

Sep 11, 2015 | 19:00
SHPËRNDAJE

Ish deputeti i PS-së, Arben Ndoka nuk justifikon rreth 1.5 milion euro pasuri. Ky është përfundimi i një kontrolli të bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të pasurive, që ka nisur me urdhër të kryeinspektorit Shkëlqim Ganaj që në 28 korrik.

Arben Ndoka
Arben Ndoka

“Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare në shumën rreth 1,5 milion euro dhe për rrjedhojë subjekti Arben Ndoka është kallëzuar penalisht për veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/2 dhe 287 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e ILDKP-së.

Ky institucion bën të ditur gjithashtu se Ndoka ka refuzuar ftesën për të dhënë shpjegime për këtë pasuri të pajustifikuar.

“Subjekti Arben Ndoka refuzoi ftesën e ILDKPKI dërguar me shkresën nr. 3207/27 prot, datë 27.8.2015, duke mos u paraqitur për të dhënë shpjegime e dorëzuar dokumentacionin justifikues lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, duke u bërë rasti i dytë që deputetë të Kuvendit të Shqipërisë shpërfillin ligjin dhe institucionet ligjzbatuese të shtetit. ILDKPKI i kërkon organit të Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm, për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale, duke mbajtur parasysh faktin që kemi të bëjmë me një deputet të dënuar jashtë vendit për vepra të rënda penale e që pasuria e tij, e pajustifikuar me burime të ligjshme, mund të jetë rezultat edhe i këtyre aktiviteteve kriminale”, vijon më tej njoftimi për shtyp.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura