I kërkoi 15 mijë lekë të dashurës që të mos i publikonte videot intime, shpallet në kërkim Dëfrim Kurti. Ja për çfarë u arrestua një vit më parë

Sep 23, 2020 | 14:00
SHPËRNDAJE

Një 30-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, ndërsa është vënë në pranga kushëriri i tij, 18 vjeç, pasi i kanë bërë shantazh një vajze, duke i vënë gjobë 15 mijë lekë të rinj, për të mos i publikuar disa video intime.

Çifti Defrim Kurti dhe Elida Cani
Çifti Defrim Kurti dhe Elida Cani

I kërkuari është Dëfrim Kurti, i cili vitin e kaluar u arrestua për një vrasje që ndodhi në fshatin Bastar i Mesëm të Tiranës, bashkë me gruan e kunatin. Për krimin e rëndë u fajësua vëllai i gruas së tij, ndërsa ai, bashkë me ishbashkëshorten, Elida Cani, u akuzuan për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës në vrasjen e Arben Gjeçit. Ky i fundit dyshohej se kishte qenë i dashuri i gruas së Dëfrim Kurtit.

Dje, emri i tij doli sërish në skenë. Policia e Tiranës njoftoi se: “Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale Afrim Kurti, 18 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori për shtetasin në kërkim, Dëfrim Kurti, 30 vjeç, pasi në bashkëpunim kanë shtrënguar me anë të kanosjes dhe dhunës për dhënie pasurie një  shtetase, me qëllim t’i përvetësonin shumën prej 15 mijë lekësh të rinj, për mospublikimin e fotove të saja në rrjetet sociale”.

Burimet thanë se Dëfrim Kurti është shpallur në kërkim pas denoncimit të një gruaje, që më pas, sipas Policisë, rezultoi të ketë qenë e dashura e tij. Gruaja e divorcuar, nënë e dy fëmijëve, e ka denoncuar Kurtin, pasi ky i fundit i kishte marrë asaj celularin e më pas e kërcënonte se do t’i publikonte videot dhe fotot intime në rrjetet sociale në rast se ajo nuk i jepte paratë që ai kërkonte.

Pas denoncimit të saj, Policia vendosi të vinte në zbatim metodën speciale të “dorëzimit të kontrolluar”, duke i dhënë paratë të dëmtuarës që t’ia dërgonte personit që i bënte shantazh, por ai nuk shkoi vetë në këtë takim, duke u shpëtuar prangave. Ai dërgoi për të marrë paratë kushëririn e tij, Afrim Kurti, i cili u arrestua në flagrancë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura