Hysni Milloshi, dashuria tragjike e poetit, vuajti gjithë jetën për gruan e vdekur

Sep 7, 2014 | 15:47
SHPËRNDAJE

Hysni Milloshi
Edhe ta dinte fatin e tij, do t’i kishte shkuar pas njësoj. Nuk është fjala për fatin e Partisë, por për atë që pakkush, përveç miqve të tij, ia dinte. Hysni Milloshi, emri i të cilit identifikohet vetëm me Partinë Komuniste, pati me gruan e tij një histori dashurie larg të zakonshmeve. Nuk iu gëzua gjatë, por e deshi pas vdekjes edhe më shumë. Përveç se e tha këtë në poezitë e tij, nuk u fjalos me askënd. Humbi në një heshtje të gjatë që i thyhej vetëm kur shkruante. Ata që e njohën mbase ia njohin më mirë vetminë që kaloi deri sa ndërroi jetë një vit më parë. Vetmi që nuk deshi ta mbushë me askënd tjetër, përveç se me duhan. Thonë se ishin ato 60-70 cigare në ditë që e çuan përtej; në mos ai vetë ka dashur të përshpejtojë takimin me Antonetën. Sot, e motra e Antonetës, Xhekua, bashkë me të shoqin, mikun e tij të ngushtë, poetin Lirim Deda, na e tregAojnë historinë që nga e para. Nga takimet e fshehta në shtëpinë e tyre kur e motra vinte nga Tepelena për të “takuar të motrën” ndërsa miku për të takuar mikun. Nisi kështu historia që do të mbaronte shumë shpejt…

SHËRBIMET E PUNËS PËR TË TAKUAR ANTONETËN Takimet e tyre të para ishin në Tiranë. Aty u panë. Hysni Milloshi, 21-vjeçar, sapo ishte kthyer nga Shkodra për të punuar në gazetë, pranë Lirim Dedës; të parit që pikasi nëpër muret e mensës së Vaut të Dejës poezinë e tij për kuzhinierin që nuk dinte të gatuante as groshët. I kishte bërë të qeshnin të gjithë, përveç se, kishte bërë edhe mensën të ndërronte dorë. “E pash krejt rastësisht atë poezi të varur në mur dhe më tërhoqi vëmendjen. Edhe pse, nuk kishte shumë prurje atje, kështu që elementët ishin të pakët. E propozova në pesë më të mirët që kisha përzgjedhur dhe prej andej rruga iu hap gradualisht vetë. Kishte poezi të tjera të cilat m’i tregoi. Diskutoi më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku edhe Kadareja i kërkoi poezi për t’ia botuar te gazeta ‘Drita’”. Sipas Dedës, kaq u desh që të propozohej e të miratohej transferimi i tij në Tiranë. Në vizitat e para te shtëpia e Lirimit, gjeti për së pari Antonetën, o Netën siç do ta thërriste gjithnjë më vonë. Nuk u desh shumë që t’i prishej gjumi. Të dyve. Askush prej të dyve nuk i tregoi kujt sepse të dy e nuhasnin pengesën. Antoneta nuk mund të rrinte gjatë në Tiranë, fundja te shtëpia e motrës me fëmijë vetëm ca ditë mund të qëndroje. Që të kthehej në Tepelenë, nuk do të thoshte të harronte Hysniun. Ai do t’i gjente të gjitha mënyrat për ta parë. “Unë e dërgoja me shërbime shpesh, sepse e donte puna, por udhëtimet ishin të shpërndara nëpër të gjithë Shqipërinë, duhet të shkonte në Veri, gjithandej. Qëllonte 3-4 herë radhazi që shkonte në Pukë, në Dibër e me radhë deri sa më thotë ‘si nuk më çove një herë në Gjirokastër’. Dhe kështu shkoi për herë të parë pa marrë vesh gjë, që në fakt qëllimi i tij ishte Tepelena. I kishte shkuar Antonetës në shtëpi. E ëma thuajse e kishte përzënë e revoltuar, sepse kishte ende dy vajza më të mëdha se ajo ‘në radhë’ për t’u martuar. Sidoqoftë, i kishte shërbyer kafenë, sepse ashtu e donte zakoni dhe e kishte përcjellë”. Lirimi me të shoqen qeshin tek i kujtojnë. Insistimi i Hysniut vijoi e vijoi derisa e bindi të ëmën e saj se ishte i duhuri. Ndonëse Lirimi e dinte, e shoqja ende nuk e kishte marrë vesh se pse e motra kishte filluar të rrinte kaq gjatë në Tiranë. Aq sa një ditë i pat thënë të shoqit “Ore, ky Hysniu ngeli këtu. Pse nuk shkon të flejë te konvikti i beqarëve, ku ka ndenjur”. Pas kësaj “revolte” qëllimi u dekonspirua dhe u bë martesa e menjëhershme që, sikur të parashikonte fundin, gaz nuk pati. Martesa nuk zgjidhi gjithçka Së pari, pas martese, Hysni Milloshi qëndroi me të shoqen në hotel, nuk kishte shtëpi. Po në këtë kohë do të bëhej dhe i famshmi pushkatim i gjeneralëve që do të prekte edhe “tutorin” e tij, Lirim Dedën për ta degdisur në internim. Prej tij, njësoj do të cenohej edhe Hysniu. Jo vetëm pse ishte mik i ngushtë i poetit, por edhe sepse ishte martuar me kunatën e tij. Ndërkaq, në këto vite pune, emri i  ishte dëgjuar gjithandej. Që prej “Nënë moj do pres gërshetin” që fitoi çmim të parë në Festivalin e Dhjetorit, poezitë ishin shtrirë kudo. Nëse në fillim, kur i shkoi në Shkodër lajmi për t’u paraqitur në festival kishte thënë “Ç’ne unë, më ngatërroni”, tani ishte ai vetë që çonte këngë e poezi gjithandej. Pra, njëfarësoj, emri i dëgjohej. Prandaj edhe kur i çoi letër Hysni Kapos se Lirim Deda nuk ishte ai që thoshin gojët e liga, fjala iu mor në konsideratë. Por jo për gjatë. Ndërhyrësit bën ç’është e mundur që ta përfshinin edhe Hysniun në dënimin e Lirimit, ndaj edhe e transferuan në Delvinë. “Të jem ku të dua, në Delvinë a më tej, unë tani e gjeta burimin tim, Netën. Vetëm ajo më duhet për të shkruar dhe me kaq jam i lumtur”, thoshte sa herë Hysniu, kur ndonjë mik i ngushtë i qante hallin se pse përfundoi në skaj të Shqipërisë. Ishte prapë poezia që do ta zhvendoste. Akoma jo në Tiranë, por të paktën do t’i afrohej. Të qenit i dobishëm për jetën kulturore të qytetit, e bëri Emine Gurin ta transferonte nga një fshat i Beratit ku e çuan pas Delvinës, në qytet. Aty pati shtëpinë e tij të parë. I dha fund pritjes dhe pati më në fund pranë vetes Netën. Patën bashkë tre djem. Jo të tre do të mund ta kujtonin më vonë portretin e bukur të së ëmës, e as dashurinë mes prindërve. Kur Neta vdiq, djali i vogël ishte dy vjeç ndërsa më i madhi shtatë. Prej këtej i nisi një jetë e re, e paparashikuar, e pafrymëzuar… Vaji me ligje që mbyti ceremoninë mortore Hysni Milloshi nuk lejoi njeri tjetër për t’i thënë fjalët e fundit të shoqes në ceremoninë e përcjelljes. I shkroi vetë një poezi që e lexoi si këngë vaji. Askush nga ata që ishin të pranishëm nuk e harrojnë atë ditë. Por edhe të mos ishte prej tij, nuk se do të harrohej aq shpejt varrimi i një vajze 32- vjeçare, sado koha të të ngarkojë. “Qysh në ditën e varrimit, ai u bë përnjëherë i heshtur, ndryshoi papritmas. Kushdo që vinte e ngushëllonte, çfarëdo që t’i thoshte, nuk i ktheu përgjigje. Kjo situatë vijoi për një kohë të gjatë. Thuajse nuk fliste me njeri, ndërsa në vetmi, vazhdonte të vajtonte me ligje”, tregon Lirimi. Pas kësaj, shok iu bë duhani. Nuk e fikte thuajse asnjëherë. Në bishtin e njërës ndizte menjëherë tjetrën, deri sa ndërroi jetë, një vit më parë.

Vetmia që pasoi vitet që mbetën
Antoneta nuk u zëvendësua kurrë. Hysni Milloshi ishte vetëm në të 40-at, kur humbi të shoqen e megjithatë nuk deshi të dijë ç’do t’i ngjiste më vonë. Do t’i rriste fëmijët vetë, do të bënte gjithçka vetë, vetëm e vetëm ta linin të qetë. Të mos i thoshin përditë miq e të afërm ‘hë, a ndryshove mendje?’. Nuk ndryshoi mendje kurrë. Përpjekjet e të tjerëve arrinin deri aty sa i sillnin përherë femra të bukura pranë. Justifikimi ishte i besueshëm; ka për të të sjellë poezi…”. Ore po poezitë ua botova, tani ç’duan që vijnë, ç’janë kaq të ngjitura”, thoshte kur pikaste diçka. “Njëra prej tyre, në gjithë tentativat e dështuara për t’i tërhequr vëmendjen në një aspekt tjetër përtej poezisë, arriti sa ia shprehu dashurinë vetë. “Të dua”, i tha. Moj ti mund të më duash, por mua nuk më është shuar ende malli për Netën, i pati thënë”. Të gjitha këto që tregon Lirimi me Xhekon i kanë të rrëfyera prej tij. Të gjitha tregoheshin thuajse dhunshëm, sepse ashtu ishte Hysniu. Me sa shokë bënte fjalë e nuk u fliste më, vetëm pse i thoshin të martohej sërish. 

Pikturat e grisura të Antonetës
Nuk do shumë mundim të justifikohet piktori nëse, edhe pse mund të jetë më e mira, pas realizimit të një pikture, ta shkatërrojë. Arsyeja, nuk është gjithmonë se nuk i pëlqen. E bën dhe kaq. Ashtu, nën tymin e mendimeve të pazgjidhshme. Afri të tillë me piktorin profesion mund të ketë pasur edhe Hysniu poet, veçse, pikturën e së shoqes, nuk e shkatërronte sepse nuk i pëlqente. E shkatërronte dhe kaq, ngase, ndoshta, nuk donte të afronte një portret aq të gjallë e të mos e prekte. Ishin të shumtë miqtë e tij piktorë që e njohën Antonetën. Pas vdekjes së saj, njëri pas tjetrit (sepse paraardhësja prishej prej tij) i bën asaj portrete. “Hysniu nuk pëlqeu kurrë asnjë. Madje nervozohej kur i shihte. Nuk është Neta ime kjo!, thoshte”, kujton Lirimi. Nuk mbajti asnjërën nga pikturat, i dëmtoi të gjitha. Mjaftohej vetëm me portretin e saj të vogël, fotografinë format pasaporte, që mbante përherë me vete. 

ANI JAUPAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura