Historia e Italisë në ekranin e madh

Apr 11, 2011 | 9:14
SHPËRNDAJE

Përgjatë tri muajve kinemaja italiane do të vijë për publikun shqiptar me disa nga emrat më të njohur të saj. Aktivitetet e organizuara për muajin prill nga Instituti Italian i Kulturës, nën drejtimin e drejtoreshës së re, Fulvia Veneziani, fillojnë nesër në orën 19.00, pranë Akademisë së Filmit “Marubi” në Tiranë, me shfaqjen e një cikli kinematografik me titull “Italia parë përmes ekranit të madh”. Cikli i filmave është përzgjedhur pas një konsultimi mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Cinecittà Luce – Filmitalia, me rastin e 150-vjetorit të Bashkimit të Italisë. Cikli përbëhet nga 11 filma, të cilët përshkojnë dhjetë vitet e fundit të historisë së vendit, duke ilustruar dritëhijet me një gjuhë ndonjëherë të ashpër, por shpesh edhe të duhur dhe therëse. Pranë emrave të njohur të kinemasë italiane, si Ermanno Olmi (“Njëqind gozhdët”), Pupi Avati (“Babai i Xhovanës”), Vittorio De Seta (“Letra nga Sahara”), Michele Placido në rolin e regjisorit në (“Një udhëtim i quajtur dashuri”), gjenden dhe talente të reja me veprat e tyre të para, (“Era bën rrugëtimin e saj”) të Giorgio Diritti, si dhe “Po të isha si ti” i Giulio Manfredonia), si dhe regjisorë tashmë të afirmuar (Alessandro D’Alatri, “Temperatura”, Massimo Venier, “Gjenerata një mijë euro”, Fausto Brizzi, “Ex”, Davide Ferrario, “Që të jem e sinqertë”, Giacomo Campiotti, “Kurrë më si më parë”). Filmat do të projektohen çdo të martë deri në datën 21 qershor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura