Hemingway, dalin nga fondi përkthimet e Kokonës e Kadaresë

Jul 18, 2016 | 15:44
SHPËRNDAJE

Kur kemi lexuar “Plaku dhe deti”, kemi kuptuar se fitore do të thotë të përpiqesh, fitore do të thotë të mos heqësh dorë deri në fund dhe se s’mund të ketë asnjëherë “fat të keq”: fati duhet kërkuar.

EH 1306N    July 1934 Ernest Hemingway with marlin. Havana Harbor, Cuba. Photograph in the Ernest Hemingway Photograph Collection, John Fitzgerald Kennedy Library, Boston.

Një prej “brezit të humbur” bashkë me Remarkun, Hemingway do t’u mësonte shqiptarëve, krahas miliona lexuesve, gjithë çka mësuan nga jeta në ato vite luftërash. Si një homazh në 55-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit amerikan, Ernest Hemingway, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u hap ekspozita përkujtimore “Ernest Hemingway: 1899 – 1961”, vit ky që përkon edhe me botimin e parë në gjuhën shqipe të romanit “Lamtumirë armë”, me përkthimin mjeshtëror të Vedat Kokonës. Shkrimtari amerikan Ernest Hemingway ka ardhur në gjuhën shqipe përmes përkthimeve të Vedat Kokonës, Ismail Kadaresë apo Alqi Kristos.

I botuar për herë në parë në shqip, në vitin 1961, romani “Lamtumirë armë” do të çelte rrugën e përkthimeve dhe botimeve të tjera, aq shumë të lexuara nga publiku shqiptar.

Për publikun dhe lexuesit e Bibliotekës Kombëtare kjo ekspozitë prezanton nga botimet më të hershme në shqip, të cilat ruhen në fondin e arkivës, deri te ribotimet më të fundit, si “Plaku dhe deti” (1963), “Të kesh a të mos kesh” (1963), “Për kë bien kambanat (1973), “E sotmja është e premte: tregime” (1996), “Dhe dielli lind” dhe “Fiesta” (1998), “Tregimet e Nick Adamsit” (1999), “Kopshti i Edenit” (2000), “Lumi i madh me dy zemra” (2007), si dhe novelat “Lumturia e shkurtër e Frensis Mekomberit” dhe “Dëborat e Kilimanxharos” (2009).

Në fondin e Bibliotekës Kombëtare krahas botimeve në gjuhën shqipe ruhen me shumë kujdes edhe botime në gjuhët të huaja, si në anglisht, frëngjisht apo rusisht. Ernest Hemingway (21 korrik 1899 – 2 korrik 1961), i konsideruar si një nga përfaqësuesit e “brezit të humbur”, vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan.

Ai është laureuar me çmime prestigjioze letrare, si çmimi “Nobel”, në vitin 1953, ndërsa në vitin 1954 i akordohet çmimin “Pulitzer”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët, në hollin e Bibliotekës Kombëtare, çdo ditë nga ora 8:00–20:00 dhe gjatë fundjavës nga ora 08:00–14:00.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura