Hapet gara për 20 drejtorë shkollash, ja vendet vakante

May 25, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Drejtoria Arsimore e Tiranës hap konkursin për 20 vende të lira pune. Nuk bëhet fjalë për mësues, por drejtues të shkollave 9-vjeçare në kryeqytet.

Mësuesit në testim
Mësuesit në testim

Aplikimet do të jenë të hapura për rreth një javë, deri më 3 qershor, ndërsa kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara personalisht në sekretarinë e DARit. Në listën e kërkesave të veçanta thuhet që kandidatët të mos jenë me precedentë penalë, të kenë të paktën shkallën e tretë të kualifikimit “mësues i kualifikuar”, si dhe të kenë kryer masterin në fushën e edukimit.

Sipas udhëzimit nr.57 për emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve të institucioneve të arsimit parauniversitar, përzgjedhja bëhet nga komisioni i vlerësimit, i cili ngrihet nga bordi i shkollës në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore. Ai shqyrton dosjet e aplikantëve dhe kryen intervistat me secilin prej tyre për platformën e zhvillimit të institucionit, duke i vlerësuar me 1 deri në 20 pikë, të cilat bëhen publike.

Më pas është drejtuesja e DAR-it, e cila do të shqyrtojë dokumentacionin e dy kandidatëve me më shumë pikë, duke përzgjedhur kështu më të mirin. Shqyrtimi i kërkesave nga DAR, sipas njoftimit, parashikohet të kryhet më 6 qershor.

Por, fillimisht kandidatët potencialë duhet të dorëzojnë personalisht një listë dokumentesh: një kërkesë me shkrim në lidhje me institucionin ku kandidati aplikon, CV dhe një kopje të saj sipas formatit të kërkuar, dëshminë e penalitetit dhe dy rekomandime nga mësues, drejtorë të institucioneve apo titullarë të njësive arsimore vendore që kanë punuar me aplikantin në vitet e fundit.

Sipas të dhënave, rreth një e treta e shkollave 9-vjeçare në vend, nga fillimi i vitit të ri shkollor do të kenë drejtues të rinj. BESARTA BASHA

VENDET VAKANTE NE TIRANE

“Dhora Leka”
“Vasil Shanto”
“Dora D’Istria”
“Sabahudin Gabrani 2”
“Pjetër Budi”
“Hasan Vogli”
“Avni Rustemi”
“Ahmet Gashi”
“Isa Boletini”
“Kol Jakova”

“Naim Frashëri:
“Shkolla E kuqe”
“4 dëshmorët”
“Osman Myderizi”
“Mihal Grameno”
“Ramazan Jarani”
“Bajram Curri”
“Edit’h Durham”
“Emin Duraku”
“Lidhja e Prizrenit”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura