Haliti: Të kthehemi te teknikat e vjetra, po humbet baza e shkollimit

Jul 13, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE
Piktori Helidon Haliti
Piktori Helidon Haliti

Ekspozita që do të çelet sot në orën 19.00 në Muzeun Kombëtar, në fokus të emrit ka Tiranën, por në fakt, shija që do të ekspozohet, vjen nga vende të ndryshme të Shqipërisë.

“Taste of Tirana”, ka vijuar udhëtimin në Berat, Elbasan, Shkodër, Divjakë e Pogradec, për të marrë prej të gjithave ngjyrat e arkitekturën që përfaqëson vendin. Për të mbërritur në Ekspozitën e sotshme, puna ka nisur me Bienalen e Akuarelit e cila muajt e shkuar, bëri bashkë më shumë se 200 artistë nga gjithë bota, në këtë Festival të zhvilluar në Tiranë. Veç atyre shqiptarë, shumë prej artistëve kishin ardhur nga vende të largëta si: Gana, Maruitis, Indonezia, Filipinet, Japonia, Kina, India, Ekuadori, Peruja, Singapori etj. Nuk mungonin as pjesëmarrësit nga vendet e Europës e Ballkanit. Shoqata artistike “VIZart” organizoi kështu “1st International Watercolor Bienale Tirana 2015”, përfundimi i së cilës është pikërisht kjo ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar. Ishte e para Bienale Akuareli, që organizohej në Shqipëri dhe sipas presidentit dhe ideatorit të saj, piktorit Helidon Haliti, kryesore ishte që ta kthenin vëmendjen nga teknika e harruar e akuarelit në vendin tonë. Sot ai e quan të mbyllur me sukses sipërmarrjen e tij të parë të këtij lloji e të këtyre përmasave. Për ta vërtetuar këtë, mjafton të përmendin faktin se rrugëve të Tiranës, piktorë amatorë a profesionistë, iu janë rikthyer teknikës së akuarelit, kancelaritë po shesin më shumë letër akuareli se më parë, vëmendja e studentëve të cilët nuk e studiojnë më në shkollë, është rikthyer te zhanri i harruar. Ishte pikërisht ky qëllimi fillestar i Halitit dhe nga rezultatet që pa, ishte i sigurtë që në edicionin e dytë, interesi do të shumëfishohet.

Nga udhëtimet e piktorëve akuarelistë nëpër Shqipëri
Nga udhëtimet e piktorëve akuarelistë nëpër Shqipëri

Pse menduat se ishte e nevojshme për vendin organizimi i Bienales së Akuarelit në Tiranë? A nuk është piktura a arti, në përgjithësi sot, i lirë të jetë si të dojë, pa guida e udhëzime…

Pikërisht kjo është arsyeja. Arti sot nuk ka korniza, çdokush mund të zgjohet e të ketë dëshirë të bëhet artist. Askush nuk ka asnjë kundërshtim për këtë, mirë bëjnë. Nga ana tjetër, zhvillimi i teknologjisë dhe gjithë këtij delli artistik, nuk ka pse të ndikojë te teknikat e vjetra, ato nuk kanë pse të zhduken sepse janë baza e pikturës. Të bësh një akuarel duhet të dish së pari të vizatosh çka nuk po mësohet më, po humbasin bazat e shkollimit. Pra, ideja fillestare ishte për të rikthyer vëmendjen te ky zhanër dhe për të krijuar në të ardhmen disa piaca të akaurelit, inekzistente te ne, teksa në Europë e botë kanë mbi 100 vjet që zhvillohen.

Posteri i ekspozitës që hapet sot në Muzeun Historik Kombëtar
Posteri i ekspozitës që
hapet sot në Muzeun Historik Kombëtar

Muaj më parë erdhën në Tiranë e në rrethe të tjera të Shqipërisë, piktorë të shumtë nga e gjithë bota. Nga aq sa patë, a patën ndikim? Pra, a u përmbush qëllimi juaj?

Më shumë se sa prisnim. Përveçse për të pikturuar, disa prej artistëve dhanë leksione në Liceun e Shkodrës. Duhet të ishit atje për të parë interesin dhe entuziazmin e nxënësve të pikturës te shihnin e dëgjonin profesorët më të mirë të akuarelit nëpër botë, që flisnin për ta. Sidoqoftë po ta nisim që nga ardhja, nuk ishte i gjithi një proces kaq i thjeshtë; ata vijnë nga vende që pak e njohin Shqipërinë, por pranuan falë një këmbënguljeje të ekipit të “VIZart”. Shpresojmë që përveçse do të ketë ndikim te ne, e gjithë kjo do të ndikojë edhe në promovimin e Shqipërisë nëpër botë sepse kjo është fuqia artit. Këta artistë vijnë dhe prezantohen të gjithë së bashku, duke kthyer vëmendjen nga Shqipëria, nga Tirana, duke njohur mikpritjen, bukurinë, ngjyrat e këtij vendi, i shërben shumë promovimit të Shqipërisë në botë.

Si do të ndodhë kjo? Ata erdhën, pikturuan dhe…çfarë ndodhi më pas?

Ata jo vetëm që pikturuan dhe u mrekulluan me shumicën e vendeve ku i çuam por bënë edhe fotografi pafund. Pjesa më e madhe e tyre, kur janë kthyer në vendet ku jetojnë, i kanë përdorur këto fotografi për të vijuar pikturën. Njëri prej tyre, nga më të famshmit, piktori e profesori Ihor Yurchenko, hapi një ekspozitë në Kiev me të gjitha punët që kishte bërë këtu.

ani 3

Na flisni pak për Shoqatën Ndërkombëtare të Akuarelit, si funksionon dhe a është edhe ndikimi i saj që Festivali mori të tilla përmasa?

Realizimi i këtij Festivali do të ishte i pamundur nëse ne nuk do të ishim të anëtarësuar në Shoqatën Ndërkombëtare të Akuarelit. Kemi marrë presidencën e shoqatës për Shqipërinë dhe njihemi botërisht si një shoqatë, që përfaqëson akuarelin nga shqiptarët në botë, ku marrim ftesa të ndryshme, përfaqësojmë Shqipërinë jashtë vendit dhe më në fund, organizuam edhe festivalin tonë ndërkombëtar, duke ftuar artistët më të mirë të botës për momentin. Është një performancë në zhvillim, ku artistët më të mirë vijnë dhe performojnë live, ekspozojnë dhe kjo po bëhet e mundur. Unë jam president i shoqatës ndërkombëtare të Akuarelistëve për Shqipërinë dhe anëtar i kësaj shoqate prandaj edhe jam përpjekur në të gjitha mënyrat të jap aq sa mundem pa u ndikuar fare nga fakti që artistët që pikturojnë të njëjtin zhanër si unë e mund të jenë më të mirë apo të barabartë me mua, do të tërheqin më tepër vëmendje. E them këtë sepse realizimi i festivalit u bë shumë i vështirë për arsye fondesh. Fondet e Ministrisë së Kulturës ishin shumë modeste. Buxheti i Ministrisë ishte për të përmbushur nevojat minimale.

Çfarë ndodh me organizime të ngjashme nëpër botë?

Ka padyshim më tepër vëmendje. Projektet paralele në vende të ndryshme jo shumë larg nesh kanë numër shumë herë më të madh artistësh pjesëmarrës, kanë mbështetje nga institucionet e tyre kulturore dhe ndikojnë aq shumë sa tjetërsojnë vendet ku zhvillohen pavarësisht se nuk zgjidhen qytete të mëdha për t’i realizuar. Që këtu nis kufizimi ynë, sepse nuk kishim mundësi financiare për të ftuar shumë nga artistët pjesëmarrës. Vetëm disa prej tyre mundën të ishin prezentë e të performonin live, proces ky aspak i lehtë e që në botë njerëzit paguajnë për ta parë. Por edhe me kaq sa u arrit, si herë e parë që ishte, jam i kënaqur.

Sa punë do të ekspozohen sot?

Janë rreth 50 punë që do t’i tregohen publikut për herë të parë sot pasdite e për ditë me radhë në vijim.

Pikturat kanë ardhur vetëm për t’u ekspozuar apo janë dhuruar?

Të gjitha janë të dhuruara, do të jenë kujtimet e këtij edicioni të parë që shpresojmë ta kthejmë në traditë e ta zhvillojmë aq sa teknika e akuarelit të mos i përkas më së shkuarës. Mbase kështu edhe financuesit do të jenë më të shumtë dhe nuk do të jemi të detyruar të racionojmë gjithçka deri në kufijtë e të mundshmes e të përjashtojmë artistë që do të mund të ishin pjesë e kësaj sipërmarrjeje në dobi të artit dhe gjithë vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura