Guvernatori i BSH: Masa në rast se Greqia del nga euro, në 2015 rritja ekonomike 3%

Apr 23, 2015 | 14:28
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë ka marrë gjithë masat e nevojshme për skenarin e mundshëm të daljes së Greqisë nga zona euro.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, guvernatori, Gent Sejko theksoi se nuk ka nevojë për panik lidhur me bankat greke dhe se ato janë të mirëkapitalizuara. Ai u shpreh se në shtator do të hartohet plani përfundimtar për zgjidhjen e problemit të kredive të këqija.

RRITJA EKONOMIKE

“Është e vërtetë se rritja ekonomike e vitit të kaluar në Shqipëri ishte në nivelin e 1.9, apo 1.89. Ne kemi pasur një rritje ekonomike prej 1.4 për qind në vitin 2013, dhe këtë vit si Bankë e Shqipërisë kishim parashikuar një rritje në nivelin e 1.8 për qind, ndërkohë që qeveria shqiptare dhe FMN-ja kishin parashikuar një rritje të 2 për qind. Ne parashikojmë të kemi rritje më të lartë. Nuk ka rëndësi nëse është 2.8 apo 3.2 për qind. E rëndësishme është që trendi i rritjes të jetë pozitiv. Dhe Banka e Shqipërisë gjithashtu, njëlloj si FMN dhe në bashkëpunim me FMN parashikon një rritje prej 3 për qind në vitin 2015”.

NORMA E INTERESIT

“Banka e Shqipërisë ka ulur disa herë me radhë gjatë vitit 2014, normën bazë të interesit. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë këtë politikë dhe gjatë vitit 2015. Vërtetë nuk ka pasur një rritje të kreditimit në nivele të larta, por është për t’u theksuar se kemi patur rritje të kreditimit gjatë vitit 2014. Kjo rritje ka qenë në nivelin 4.6 përqind. Kjo është një tendencë e qëndrueshme afatgjatë. Instrumenti i uljes së normës bazë të interesit si metodë konvencionale që Banka e Shqipërisë ka përdorur, ka pasur efekt vetëm në portofolin e kredisë në lekë dhe jo në euro”.

KREDITË E KËQIJA

“Kemi një shifër të konsiderueshme, pavarësisht se sot është në rënie. Është në nivelin e 22.5 për qind nga 25 për qind që ka qenë. Pra, trendi është në rënie dhe ky është një element shumë pozitiv. Ne kemi pasur takime intensive me drejtuesit ekzekutiv të bankave të nivelit të dytë, si unë dhe ministri i Financave. Praktikisht ka një plan masash që lidhet me ristrukturimin e kredive, me fshirjen e tyre nga bilancet. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe FMN-në, në muajin qershor, ne do të organizojmë një forum të posaçëm, ndërsa në muajin shtator do të hartojmë një program strategjik për të trajtuar këtë problem, që përfundimisht ta kemi të zgjidhur. Duhet pasur parasysh se, pavarësisht të gjithë hapave të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, elementi kryesor që do të ndikojë në uljen e kredive me problem është rritja e kredisë në ekonomi. Ajo që presim e që ne kërkojmë dhe synojmë, është që bankat të jenë proaktive në kreditim, por një kreditim të matur, të rregulluar dhe të mirëmonitoruar. Pra, që kreditë e reja të jenë të shëndetshme dhe të mos jenë më kredi të këqija”.

DALJA E GREQISË NGA EURO

“Jemi të përgatitur për çdo skenar të mundshëm. Ne nuk do të donim që Greqia të dilte nga eurozona. Po të marrim skenarin më të keq është detyra jonë të jemi të përgatitur për çdo skenar. Ky është një ndër rolet dhe detyrat kryesore të Bankës Qendrore si institucion rregullator dhe ligjvënës në sistemin financiar. Ka kohë, jo tani, që Banka e Shqipërisë po analizon të gjithë skenarët e mundshëm për të qenë të përgatitur, në rast se do të kishim një dalje të Greqisë nga eurozona. Ne kemi tri banka greke që veprojnë në Shqipëri. Dua të theksoj, për të qenë i sinqertë dhe i saktë, jo për të dhënë mesazh pozitiv, por për të thënë atë që është reale. Këto banka janë të mirëkapitalizuara, kanë shtuar kapital nga mëmat e tyre gjatë viteve të fundit. Kanë një normë mjaftueshmërie kapitali në nivelin 17 për qind, që është shumë më lartë se ç’është niveli i kërkuar nga Banka e Shqipërisë dhe kanë tepricë likuiditeti. Bankat greke, ashtu si dhe të gjitha bankat e tjera të huaja që veprojnë në Shqipëri kanë portofolet e tyre të investimit si në kredidhënie, ashtu dhe në vendosje në bankat e huaja, pasi teprica e likuiditetit sigurisht do të vendoset në bankat e huaja, por e rëndësishme është që të jenë banka të shteteve të rëndësishme e të fuqishme, banka të zonës A. Ne kemi parë dhe monitoruar që bankat greke të mos kenë, dhe ato nuk kanë ekspozime me shtetin mëmë, me bankat mëmë kundrejt riskut që mund të kenë. Pra, bankat greke nuk kanë vendosje me shtetin mëmë, e para. Janë likuide. Këto vendosje i kanë sikurse i kanë dhe bankat e tjera. Ne nuk i kemi bërë thirrje, sepse nuk shohim arsye ta bëjmë këtë”.

QEVERIA

“Deri tani, qeveria shqiptare ka ndjekur disa reforma strukturore. E rëndësishme është që të fillohet nga problemet më kryesore, më prioritare dhe reformat e qeverisë shqiptare kanë filluar si nga energjia, infrastruktura dhe të tjera që nuk po i përmend. Ne duhet të vazhdojmë të përqendrohemi te reformat strukturore. Banka e Shqipërisë ka qenë pjesë e këtyre reformave strukturore, sidomos ajo në sistemin bankar dhe financiar. Kemi përdorur të gjithë instrumentet tona në drejtim të lehtësimeve monetare, në drejtim të stimulimit të kreditimit. Por vetëm me këto mjete është e pamundur në rast se nuk kryejmë reforma të gjithanshme strukturore në ekonominë shqiptare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura