Gruaja e pasur dhe e çmendur pas Bakuninit, që tronditi Rusinë dhe frymëzoi Tolstoin

Jun 30, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Nëse do të kishte qenë dashuri, rezultati i ngjarjeve me siguri që do të kishte qenë ndryshe, sepse dashuria, pas stuhive të kohës së parë, përgjithësisht zbehet, kalon, sidomos në rastet kur jeta bëhet e vështirë, me pengesa të çdo lloji përgjatë rrugës.

Princesha Zoe Obolenskaja
Princesha Zoe Obolenskaja

Më fatal është pasioni intelektual, admirimi pa kufij, që të bën të humbasësh arsyen, ndonjëherë të bën edhe të verbër. Ishin pikërisht këto ndjenja që njëqind e pesëdhjetë vite më parë pushtuan princeshën ruse Zoe Obolenskaja, gruaja jashtëzakonisht e pasur e guvernatorit të Moskës, nënë e pesë fëmijëve, për revolucionarin Mikhail Bakunin.

Ndjenjat hapën telashe të pariparueshme, që u ndryshuan jetën njëherë e përgjithmonë. Ngjarjet zhvillohen kryesisht mes Napolit dhe Ischia-s, aty ku u njohën dy emigrantët. Të gjitha rrëfehen në librin “Zoe, princesha që magjepsi Bakunin” (sapo është botuar në Itali). Autorja Lorenza Foschini, për të nxjerrë këtë botim ka qëndruar për një kohë shumë të gjatë mbi dokumente, letra e ditarë, si dhe ka intervistuar të afërm të partnerëve protagonistë.

Revolucionari, një burrë trupmadh, i pakrehur, i veshur keq, fare i pakujdesur për veten, megjithëse bir i një familjeje aristokrate gjendej në Napoli, pasi kishte arritur t’i shpëtonte burgut siberian. Në xhep nuk ka asnjë dyshkë, por në kokë ka projekte për anarki. Princesha, trupvogël, mjaft elegante, e ngopur nga lukset e kota të jetës që kishte, aspak tolerante ndaj padrejtësive që, pavarësisht të gjithave, arrinte t’i mbante jashtë pallateve me pretekstin e shëndetit të brishtë të njërës prej vajzave.

U nis për në Itali me të pestë fëmijët dhe një radhë të tërë njerëzish që kishte në shërbim të saj dhe përfundoi në Napoli. Sapo u njohën, shkëndija ishte e menjëhershme. U dallua menjëherë që do të ishte e rrezikshme dhe do të kthehej në ato zjarret që nuk shuhen lehtë.

Sipas titullit të librit, ishte princesha që magjepsi Bakunin, por në përfundim të leximit nuk mund të mos pyesësh nëse përtej inteligjencës, pasionit dhe një qëllimi të përbashkët, edhe bujaria dhe “gatishmëria” ekonomike e princeshës ishin elementë të rëndësishëm pse Bakunin u deh prej saj.

ana karenina

Në këmbim, ai i dha patentën e një revolucionareje të vërtetë. Gjatë 10 viteve të “lojës” së rrezikshme të princeshës, ishte edhe një histori dashurie (edhe një fëmijë) me një nga ndjekësit më besnikë të Bakunin, më pas cari Aleksandër II, urdhëroi princin Obolensky të rikthente fëmijët në atdhe dhe ta mbyllte të shoqen në manastir. U arrit vetëm pjesa e parë e urdhrit, madje edhe kjo me vështirësinë për t’i shkëputur fëmijët nga krahët e së ëmës, e cila nuk do t’i shohë për shumë vite me radhë.

Për më tepër, natyrisht që iu sekuestrua edhe pasuria. Në ato kohë, ngjarja bëri aq bujë në Rusi sa që frymëzoi Tolstoin për të shkruar Anna Kareninën. Më pas, protagonistja e romanit doli mbi frymëzuesen dhe Zoe u harrua. Autorja e librit, Lorenza Foschini, me pasion dhe durim ka nxjerrë princeshën nga harresa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura