Greqia, Sejko: Nuk prek bankat, por rritjen e GDP

Jul 2, 2015 | 12:15
SHPËRNDAJE

Guvernatori i BSH, Gent Sejko

Banka e Shqipërisë dje ka garantuar edhe një herë qytetarët se sistemi bankar shqiptar është i sigurt nga zhvillimet në shtetin fqinj, Greqi. Në daljen e tij para mediave pas vendimeve të Këshillit të Mbikëqyrjes, guvernatori Gent Sejko vuri theksin te fakti që filialet e bankave greke në vendin tonë funksionojnë sipas legjislacionit shqiptar. Madje, një tjetër faktor që duket se zvogëlon riskun është që bankat greke në Shqipëri zënë vetëm 15 për qind të tregut sipas shifrave të fundit, çka tregon se zgjerimi i tyre ka ardhur në tkurrje.

“Banka e Shqipërisë ka ndjekur prej vitesh një politikë të shtuar kujdesi ndaj bankave me pjesëmarrje të kapitalit grek, duke u imponuar atyre kushte më konservatore në lidhje me kapitalizimin e veprimtarisë dhe nivelin e likuiditetit. Të dhënat e fundit tregojnë se sistemi bankar shqiptar nuk është i ekspozuar ndaj sektorit publik grek apo ndaj grupeve private greke. Bankat me kapital grek përbëjnë 15% të totalit të sistemit bankar shqiptar, krahasuar me 25% në fund të vitit 2008”, vlerësoi Sejko.

EKONOMIA

Kriza greke edhe pse mund të mos ketë një ndikim direkt në sektorin bankar në vendin tonë duket se nuk do të kalojë kaq lehtë edhe për ekonominë. Kjo e fundit nuk duket të jetë “imune” edhe për faktin që Greqia është një nga tre partnerët tanë kryesorë tregtarë. Banka e Shqipërisë e sheh se një situatë e përkeqësuar në Greqi do të sjellë rishikim të parashikimit për rritjen e PBB në 2015. Kjo sigurisht do të jetë në kahun ulës dhe nën 2.7 për qind, pasi kjo shifër u vendos pas përmbytjeve në jug të vendit. “Këshilli Mbikëqyrës garanton publikun se po monitoron pandërprerë situatën brenda dhe jashtë vendit. Ne po vlerësojmë me kujdes çdo skenar që mund të rrjedhë nga evoluimi i krizës greke, i cili mund të kërkojë rishikimin e parashikimeve tona ekonomike. Në çdo rast, ne mbetemi të gatshëm të marrim të gjitha masat e nevojshme për të respektuar objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, veçanërisht FMN dhe BQE, do të ndërmarrim veprimet e duhura për të ruajtur të paprekur stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit”, tha Sejko.

VENDIMI

Këshilli i Mbikëqyrjes vendosi dje që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, duke e cilësuar nivelin prej 2 për qind si të përshtatshëm për stimulimin e aktivitetit ekonomik. Guvernatori Gent Sejko u shpreh se ekonomia pritet të performojë më mirë në pjesën e dytë të këtij viti. “Parashikimet tona për ecurinë e ekonomisë në afat të mesëm nuk kanë ndryshuar. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015 dhe në dy vitet e ardhshme. Kushtet monetare stimuluese do të nxitin rritjen e konsumit dhe të investimeve, duke krijuar premisa për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe për kthimin e ekonomisë në ekuilibër”, tha guvernatori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura