Hetimi/Grabitja spektakolare në Rinas, dyshimet e para të policisë

Jul 1, 2016 | 9:01
SHPËRNDAJE

Grabitja e mbi 3 milionë eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit dyshohet të ketë qenë e planifikuar edhe me ndonjë bashkëpunëtor të brendshëm.

grabitja rinas

Të vetmit persona të shoqëruar deri tani në lidhje me ngjarjen, jo vetëm në cilësinë e dëshmitarëve, por edhe si të dyshuar, janë punonjësit e dy policive private që ndodheshin në vendngjarje.

Burime nga Policia e Shtetit thanë se janë shoqëruar menjëherë pas ngjarjes policët privatë të shoqërisë “Nazeri 2000” dhe “Jaguar”. Nga ana tjetër, Policia ka sekuestruar edhe makinën e SHRSF “Nazeri 2000”, ku ndodheshin thasët me shumën e konsiderueshme të parave, e cila do të ekzaminohet për ndonjë gjurmë të mundshme të autorëve.

Edhe pse të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ishte marrë ndonjë masë për policët e shoqëruar, burimet thanë se nuk përjashtohet mundësia që ata të mbajnë përgjegjësi penale për atë që ndodhi. Nga hetimet e kryera në vendngjarje, mësohet se asnjëri nga efektivët e SHRSF-ve nuk ka reaguar gjatë kryerjes së grabitjes dhe nuk ka bërë rezistencë, edhe pse të gjithë kanë qenë të armatosur me automatikë.

Nga ana tjetër, shuma e konsiderueshme, orari dhe vendi kur do të transportoheshin jashtë Shqipërisë, janë të dhëna që e kanë bërë grupin hetimor të dyshojnë për ndonjë informator të brendshëm.

Burimet thanë se informacionet mund të kenë dalë nga vetë banka, por edhe nga ana e punonjësve të sigurisë. Për këtë arsye janë kërkuar tabulatet telefonike të disa personave që kanë pasur dijeni për transferimin e parave.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura