Grabitja në Vlorë/ I moshuari: Më morën 4 mijë eurot që më dërgoi djali

Sep 26, 2018 | 9:43
SHPËRNDAJE

Njëri prej pasagjereve të grabitur ditën e djeshme pohoi se i kishin marrë 4 mije euro. Sipas tij, personat e maskuar dhe të armatosur kishin behur krejt papritur te furgoni sapo ishin ndaluar dhe të gjithë pasagjerët e drejtuesi nuk mundën të reagonin për të ndaluar autorët. Ai ishte mjaft i tronditur dje dhe ndonëse pranoi të flasë para mediave, nuk deshi të identifikohej edhe me emër. Ai është rreth 80 vjeç dhe pohoi se priste të merrte lekët që i biri i kishte dërguar nga Italia. Ai shpreson që autorët të kapen dhe të mund të marrë paratë mbrapsht, pasi siç thekson, janë para të vëna me mund nga djali i tij. Sipas të moshuarit, personat mbanin tri armë dhe të gjithë pasagjerët dhe qytetarët që u ndodhën në vend nuk mundën të ndalonin veprimet e tyre të dhunshme, nga frika se kjo mund t’iu kushtonte deri edhe me jetë.

kryesore

Çfarë shume parash ju morën?

Unë kisha rreth katër mijë euro, që m’i dërguan nga Italia. Po m’i dërgonte djali dhe sot dola t’i marr këtu, m’i dorëzoi shoferi. Por nuk u grabita vetëm unë, por edhe të tjerë. Ishim shumë vetë që prisnim të merrnim lekët apo mallrat që na dërgojnë nga Italia, kur ndodhi gjithçka shumë shpejt.

Çfarë ndodhi, si arritën të vepronin grabitësit dhe të merrnin gjithçka kishte furgoni?

Ishin tre persona, ose të paktën kaq pashë unë. Njëri, me sa mbaj mend, ishte me një pistoletë dhe dy të tjerët me armë të tjera kallashnikovë. Kështu m’u dukën mua armët që ata kishin në dorë. Grabitën ç’të mundnin, edhe bizhuteri dhe një çantë, që nuk di nëse kishte lekë apo jo. Askush nuk mundi të reagonte nën kërcënimin e tri armëve.

Erdhi policia në kohë pas sinjalizimit që dhatë ju?

Po, po, ata erdhën shumë shpejt dhe u vunë në ndjekje. Mbaj mend që kishin një makinë të zezë dhe policia shkoi pas tyre, ndërsa disa të tjerë morën dëshmitë tona. Nuk di çfarë të them, jam shumë i shqetësuar dhe i tronditur. Të shpresojmë se do të kapen dhe do të marrim lekët tona mbrapsht.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura