Grabitja e bankës/ Zbardhet dëshmia e Dash Kupës: Kur ndodhi ngjarja…

Feb 24, 2017 | 9:50
SHPËRNDAJE

Zbardhet dëshmia e anëtarit tjetët të bandës së grabitësve të rrugës së Rinasit, arrestuar dje në kuadër të operacionit “Patriot”.

dashkupa

Ai është Dash Kupa, 41 vjeç, djali i xhaxhait të Ernest Kupës, i arrestuar tashmë si i dyshuar për veprime aktive gjatë sulmeve të blindave me para.

Njëkohësisht edhe bashkëpronar i picerisë, që ndodhet pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë.

Policia tha dje se 41-vjeçari, i dënuar më parë në Greqi dhe në Shqipëri, u arrestua në pikën e kalimit kufitar të Morinës, kur po kthehej nga Kosova. Ai ishte shpallur në kërkim prej disa ditësh dhe menjëherë u krye arrestimi dhe transportimi i tij drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Burime nga grupi hetimor thanë se edhe personi i gjashtë i arrestuar tashmë për dy grabitjet në rrugën e Rinasit, ka pasur funksionin e organizatorit në grup dhe nuk ka kryer veprime aktive, ashtu siç dyshohet kushëriri i tij.

Sipas Policisë, 41-vjeçari nga Kruja dyshohet se ka përgatitur planin e masave, si dhe ka koordinuar grupet në terren me informatorët. Por vetë i arrestuari, njësoj si i djali i xhaxhait të tij, Ernest Kupa, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke mos pranuar ngjarjen. Madje ai ka paraqitur edhe një alibi para hetuesve.

“Ditën kur ka ndodhur ngjarja, madje para, gjatë dhe pasi ka ndodhur grabitja, unë kam qenë në picerinë që kam bashkë me djalin e xhaxhait. Këtë mund ta provoni lehtësisht. Shkoni shikoni kamerat e sigurisë”, është shprehur Kupa, raporton “Panorama”.

I KERKUARI

Përveç Admir Muratajt (Nikajt), që dyshohet të jetë organizatori kryesor i grabitjeve, emri i të cilit doli që ditën e parë të operacionit “Patriot” si person i kërkuar, tashmë është bërë publik edhe një emër tjetër, mes disa personave që kërkohen. Ai është Klement Çala, 28 vjeç, nga Elbasani.

Emri i tij figuron në kërkim ndërkombëtar në listën e Interpolit, por për akuza të ngritura nga autoritetet greke. Ndërsa në lidhje me grabitjet e ndodhura, ende nuk ka ndonjë provë konkrete për përfshirjen e tij, por dyshime, që sipas Policisë janë ngritur për shkak të miqësisë dhe bashkëpunimit të mëparshëm në krime që ai ka pasur me Admir Muratajn.

Çala u arrestua në qershor të vitit 2015 nga Policia e Vlorës, pasi ishte pjesë e grupit të të arratisurve të Burgut të Trikallas, ngjarje e ndodhur në 2013. Në këtë ngjarje u arratisën bashkë me të edhe Admir Murataj e Ilir Kupa. Klement Çala dhe Admir Murataj akuzoheshin nga autoritetet greke si autorë të grabitjes së 1 milion eurove në bankën e Larisas në Greqi.

E me gjithë akuzat e shumta që ndodheshin në dosjen greke, Çala bëri vetëm 3 muaj për armëmbajtje pa leje me vendim të Gjykatës e Shkallës së Parë. Ndërsa Apeli e shpalli atë fajtor edhe për disa akuza të tjera të rënda dhe në këtë formë u bë shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura