Gjykata, 20 vjet burg vrasësit me pagesë

Nov 1, 2012 | 14:16
SHPËRNDAJE

ELBASAN – Gjykata e Elbasanit shpalli fajtor dhe dënoi me 20 vite burg një 32-vjeçar të dyshuar si vrasës me pagesë. Saimir Bako akuzohet për vrasjen e Ardian Ibrahimit, ngjarje e ndodhur më 28 maj të vitit 2006. Prokuroria dha pretencën një seancë më parë dhe kërkoi 25 vjet burg për Saimir Bakon, i dyshuar si autor i vrasjes së 34-vjeçarit Ardian Ibrahimi. Akuza e argumentoi pretencën e dhënë në sajë të provave shkencore të kryera në Tiranë si edhe ADN–së. Ardian Ibrahimi u vra në lagjen “11 Nëntori” të këtij qyteti. Ende nuk dihen motivet e vrasjes së 34-vjeçarit, ndërsa sipas prokurorit të çështjes, provat e analizave shkencore dhe ADN–së u morën nga disa fije floku që u gjetën në kapelën e autorit të dyshuar. I riu u gjykua për veprën penale “vrasje me paramendim”, por ai gjatë të gjithë këtyre viteve nuk e ka pranuar akuzën dhe përfshirjen e tij në vrasje. Në vitin 2006, në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan, rreth orës 21:00, në një lokal u qëllua me armë zjarri tip pistoletë Ardian Ibrahimi, 34 vjeç. Sipas Prokurorisë, edhe ky i fundit ka qenë person me precedent penal dhe se vrasja e tij ka ndodhur për motive banale. Disa vite më pas policia arrestoi si të dyshuarin kryesor Saimir Bakon. Prokuroria nisi hetimet ndaj këtij shtetasi, i cili dyshohej se është vrasës me pagesë, dhe ditën e djeshme, në sajë të provave të paraqitura nga organi i akuzës, gjykata e dënoi atë me 20 vite burg. Fillimisht u dyshua se ngjarja kishte të bënte me konflikte mes bandave në Elbasan, të cilat kishin kryer disa vrasje në këtë qytet. Por më pas Prokuroria tha se kjo ngjarje nuk kishte të bënte me grupet kriminale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura