Gjashtë magjistratët padisin KLD-në në Gjykatë për emërimet me short

Jun 23, 2016 | 21:22
SHPËRNDAJE

Gjashtë magjistratë të profilit gjyqtarë të vitit akademik 2014- 2015 padisin në Gjykatën Administrative të Tiranës Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

13523977_10209856503038039_1321700899_oPaditësit janë pjesë e nëntë magjistratëve për të cilët në mbledhjen e fundit të KLD-së, atë të 20 qershorit 2016, u propozua emërimi përfundimtar i tyre në gjykata të ndryshme të vendit.

Ky propozim është në pritje të dekretimit të Presidentit të Republikës. Ka qenë procedura jo e zakontë e ndjekur nga ana e anëtarëve të KLD-së për propozimin e emërimit të tyre, ajo që ka investuar gjashtë gjyqtarët magjistratë në përpilimin e një padie.

Për herë të parë, që pas brezit të parë të magjistratëve të emëruar në vitin 2000, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka propozuar emë- rimet e magjistratëve gjyqtarë bazuar në një procedurë shorti.

Magjistratët e kanë vlerësuar të paligjshme dhe jotransparente procedurën e ndjekur nga ana e KLD-së. Sipas tyre, ky Këshill nuk ka zbatuar neni 20 i ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”.

Ky nen sanksionon procesin e vlerësimit të magjistratëve nga Magjistratura, të dhëna që i përcillen më tej Presidentit të Republikës për të bërë emërimin përfundimtar të tyre në vendet vakante, në përputhje me shkallën e vlerësimit të tyre nga shkolla.

Ata kanë ngritur pretendimet se KLD nuk ka marrë parasysh renditjen e vlerësimit të tyre, si dhe vullnetin e vetë magjistratëve për gjykatat vakante ku donin të emëroheshin. Propozimi për përdorimin e procedurës së shortit për emërimet e magjistratëve është miratuar në një maxhorancë 6 me 5 në mbledhjen e KLD-së.

PADIA

Në padinë e nënshkruar nga gjyqtarët magjistratë Matilda Fetahu, Eslarilda Habilaj, Ina Hoxha, Nertila Kape, Yrfet Shkreli dhe Gentian Marku pretendohet se vendimi i KLDsë për propozimin e gjyqtarëve me short nuk ka lidhje me ligjin.

Sipas tyre, shorti nuk është kriter për emërimin e gjyqtarëve dhe përmes kësaj procedure është cenuar siguria juridike dhe pritshmëritë e ligjshme; është zbatuar ligji me fuqi prapavepruese; është shkelur procesi i rregullt ligjor, si dhe është cenuar e drejta për të përcaktuar lirisht vendbanimin, për të zgjedhur lirisht profesionin dhe kualifikimin profesional, si dhe është cenuar e drejta për jetë të qetë familjare dhe se është cenuar e drejta e tyre për t’u dëgjuar para se të gjykohen nga KLD-ja.

Njëkohësisht, ata kanë kërkuar nga Presidenti i Republikës që të pezullohet procedura e emërimit si masë sigurimi padie, deri sa të zgjidhet çështja me vendim përfundimtar të formës së prerë.

Magjistratët paditës kanë argumentuar se procedura e ndjekur nga KLD-ja është jotransparente, pasi ata nuk janë njoftuar dhe se shorti është hedhur me dyer të mbyllura.

Duke pasur parasysh praktikën 15-vjeçare të zbatimit të nenit 20 të ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”, ata pretendojnë se u është cenuar siguria juridike, pasi kanë hyrë në shkollë me pritshmërinë se ky nen do të zbatohet, janë shkolluar me këtë pritshmëri dhe kanë zbatuar procedurat e kërkuara nga vetë KLD, por janë gjendur para një interpretimi me fuqi prapavepruese, pa pasur dijeni dhe pa qenë në gjendje të mbrohen, të dëgjohen para se të gjykohen.

Sipas tyre, rendi i ditës nuk është respektuar sipas ligjit, pasi pa pasur urgjencë dhe pa kaluar procedurat formale për këtë, ndryshe nga rendi i ditës, është propozuar aty për aty dhe miratuar një procedurë për herë të parë në histori: shorti.

Magjistratët pretendojnë se, kjo çështje duhet të planifikohej në rendin e ditës sipas ligjit dhe më parë se të diskutohej, duhet t’u njoftohej të gjithë anëtarëve bashkëme relacionin përkatës, duke u dhënë mundësi dhe akses në debat dhe në votim edhe katër anëtarëve, që nuk kishin marrë pjesë në mbledhjen e KLDsë.

PETICIONET

Paralelisht me padinë në Administrative, gjashtë magjistratët kanë paraqitur peticione për të ndaluar këtë proces të paligjshëm emërimi gjyqtarësh te Kryeministri, Presidenti, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, Prokurori i Përgjithshëm, shoqatat e gjyqtarëve, ambasada amerikane, EURALIUS, OPDAT, Këshilli Europës, Bashkimi Europian, OSBE e të tjera prezenca ndërkombëtare në Shqipëri. Në këto peticione ata shprehin shqetësimin e tyre dhe pretendojnë se janë të pafuqishëm të ndalin turravrapin e shkeljes së ligjit në emërimin e tyre.

REAGIMI I KLD

Përmes një reagimi zyrtar për gazetën “Panorama”, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pohoi dje se procedura e shortit është përdorur për shkak se vlerësimi i Shkollës së Magjistraturës për nëntë magjistratët ishte i njëjtë.

“Për shkak se nëntë magjistratët janë paraqitur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë me vlerësimin ‘shumë mirë’ nga ana e Shkollës së Magjistraturës, anëtarët e KLD-së vendosën që procedura për propozimin për emërimin e tyre përfundimtar te Presidenti i Republikës për magjistratët e vitit shkollor 2014-2015 të bëhet përmes shortit të hapur.

Detaje më të hollësishme të procedurës së shortit do të mësohen me zbardhjen e vendimit dhe procesverbalit të mbledhjes së KLD-së”, tha dje për gazetën zëdhënë- si i KLD-së, Elis Kuçi.

Në lidhje me padinë e ankesat e paraqitura nga ana e magjistratëve, emrat e të cilëve janë diskutuar në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e datës 20 qershor 2016, Kuçi tha se KLD-ja do t’i marrë në shqyrtim dhe se është e gatshme të përfaqësohet në përputhje me ligjin edhe në kushtet e debatit gjyqësor.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë gjithë veprimtarisë së tij operon në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, përfundoi reagimin e tij zëdhënësi Kuçi.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura