“Gërdeci” nis në Apel, avokati: Luan Hoxha, jashtë Shqipërisë

Nov 1, 2012 | 14:19
SHPËRNDAJE
Dje nga gjyqi në Apel

Gjykata e Apelit Tiranë zhvilloi dje seancën e parë të shqyrtimit të dosjes “Gërdeci”, ndaj të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të municioneve. Të pranishëm në seancën që zgjati vetëm pak minuta ishin disa prej pandehurve, mes të cilëve edhe ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, biznesmeni Mihal Delijorgji e ish-kreu i fabrikës, Dritan Minxolli, por jo i pandehuri Luan Hoxha, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Njëkohësisht, të pranishëm në publikun e sallës ishin edhe familjarë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe numrit të vogël të vendeve në sallën e gjyqit, familjarët e viktimave ishin në radhë pasardhëse të karrigeve ku qëndronin të pandehurit Delijorgji, Pinari e Minxollu. Pasi trupi gjykues thirri me radhë emrat e të pandehurve në proces dhe emrat e avokatëve të tyre mbrojtës, rezultoi se gjashtë nga të pandehurit nuk kishin marrë njoftim. Në përfundim gjykata vendosi ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen e saj për në datën 5 nëntor. Dosja “Gërdeci” mbërriti në Apel në muajin korrik të këtij viti. Vendimi përfundimtar i Shkallës së Parë për Gërdecin, i shpallur më 12 mars 2012, u ankimua nga të pandehurit dhe nga Prokuroria.
GJENERALI HOXHA
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Luan Hoxha, duket se nuk është “shqetësuar” shumë për gjykimin e tij në Gjykatën e Apelit. Në momentin që trupi gjykues thirri emrin e të pandehurit Luan Hoxha, u paraqit para gjykatës mbrojtësi i tij, avokati Brahim Lahi. Avokati tha para gjykatës se ishte ai vetë që kishte nënshkruar marrjen dijeni për në fletën e njoftimit të gjykatës për seancën. Pyetjes së trupit gjykues se përse e kishte firmosur ai dhe jo i pandehuri, avokati iu përgjigj: “E kam firmosur unë, pasi i pandehuri nuk ndodhet këtu. Është jashtë vendit”. Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm rezulton të jetë larguar së bashku me familjen për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditët e para të janarit të këtij viti, gati dy muaj përpara se Gjykata e Tiranës të shpallte vendim përfundimtar të dosjes “Gërdeci”. Pas largimit për disa javë, Hoxha nuk kontaktoi as me mbrojtësin e tij. Në vijim, ai u “bë i gjallë” pas shpalljes së vendimit, sipas të cilit, i pandehuri Hoxha u dënua me 6 vjet burg. Ai kontaktoi me mbrojtësin e tij ligjor për të diskutuar në lidhje me ankimin e vendimit në Gjykatën e Apelit.

Armand Bajrami

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura