Garda, shpëtimtarja e opozitës

Feb 9, 2024 | 8:20
SHPËRNDAJE

NGA LUTFI DERVISHI lutfidervishi-e1598428370347 (2)

Në një vend ku procesi i vendimmarrjes së… mazhorancës i ngjan një karnavali që sfidon logjikën episodi i fundit ku gardistët pengojnë deputetët e opozitës të hyjnë në sallën e Kuvendit, ngre pyetjen: Kemi të bëjmë me satirë të nivelit të lartë, apo thjesht me një skenë kafkiane? Komisioni i Lartë i Etikës së Kuvendit me votat e shumicës vendosi që të përjashtojë deputetët, të cilët u penguan për të qenë të pranishëm në sallën e Parlamentit.

Një deputet i shumicës që për Bibël ka rregullin dhe përpikmërinë tha se: “Përjashtimi erdhi për shkak se kur u morën mungesat, deputetët në fjalë ishin jashtë sallës së Kuvendit. Pra, mungonin në seancën më të rëndësishme, atë të së hënës së parë të muajit kur diskutohen hallet e elektoratit. Por anëtarët e tjerë të komisionit nuk e trajtuan çështjen si një veprim thjesht teknik. Arsyetimi i tyre u ngjan ushtrimeve të vështira të gjimnastikës politike, ku mësimi është si të kapërcesh me një kërcim nga logjika në absurditet. Përjashtimi i deputetëve të opozitës, thotë Komisioni i Lartë i Etikës, nuk është një masë ndëshkuese, por një përpjekje humane për të shpëtuar “Tempullin e Demokracisë” nga shkatërrimi i mundshëm dhe turpërimi publik.

Njeriu për një nder rron. Vendi një Parlament ka! Deputetët e mazhorancës, të njohur për angazhimin e tyre të palëkundur ndaj etikës, rregullave dhe ligjit, sigurojnë publikun vendës dhe partnerët ndërkombëtare se vendimi i tyre është mishërimi i përsiatjes së thellë dhe respektit të pa lëkundur ndaj parlamentarizmit. Kushdo që vë në dyshim madhështinë e këtij vendimi është thjesht një mjeran që nuk është zhytur në thellësitë e procesit të tyre “tmerrësisht” të menduar. Tani, le të shqyrtojmë të kundërtën e asaj që panë të gjithë ‘live’ në 15 kanalet televizive.

Të mendojmë për një moment të pa mendueshmen: Gardistët çmenden dhe lejojnë deputetët e opozitës të hynin në truallin e shenjtë të Kuvendit – në seancë plenare. Tmerr! Deputetët me emra që tingëllojnë si personazhe të një tragjedie shekspiriane – Bardhi, Noka and co – do të shkaktonin kaos në “Tempullin e Demokracisë”. Zhurmë, tym, karrike të përmbysura dhe mos o Zot thirrje kundër qeverisë! Thjesht ky mendim i ka shtirë të dridhurat jo vetëm Komisionit të Lartë të Etikës, i cili besohet se është bastioni i vetëm që ka mbetur në mbrojtje të parlamentarizmit. Në këtë skenar hipotetik përzier me notat e tragjedi-komedisë që na është shfaqur, Komisioni i Lartë i Etikës, si mbrojtës fisnik i virtytit parlamentar, do të detyrohej nga ndenja e lartë e detyrës që t’i pezullonte keqbërësit recidivist opozitarë për 60 ditë/net të plota.

Këtë thotë rregullorja e re e miratuar me unanimitet të plotë nga deputetët e shumicës. Imagjinoni ankthin në fytyrat e opozitarëve të mbetur pa punë, pa rrogë dhe më tragjikisht, pa foltoren e dashur të Kuvendit për 2 muaj, për tetë javë, apo 60 ditë, apo 1440 orë. Është thuajse shekspiriane – një tragji-komedi me shumë akte. Mirëpo ndërhyrja dashamirëse e gardistëve i erdhi në ndihmë deputetëve të opozitës. Falë kësaj ndërhyrje etike, ligjore, burrërore, po të doni edhe kafshërore të gardistëve tani deputetët e opozitës nuk do t’i gëzojnë privilegjet parlamentare vetëm për 10 ditë dhe jo për 60. A nuk duhet që opozita në vend që të kërcënojë me padi, të falënderojë Gardën?

Vetë gardistët, të pyetur nga Komisioni i Lartë i Etikës pohojnë se veprimi i tyre ishte instinktiv – një dëshirë njerëzore për të mos ndarë deputetët e opozitës nga mbështetësit e tyre që po protestonin vetëm pak metra larg. Po të lejonin deputetët e opozitës brenda, turma e protestuesve do të mbetej pa kokë.

“Por ne si ushtarakë e dimë se më e rrezikshme se ushtria e një armiku më të madh në numër, më e frikshme se një tërmet apo pandemi është përballja me një turmë që nuk ka kokë. Përballja me turmën është fatale. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për stabilitet dhe jo fatalitet”.

Gardistët jo vetëm që shpëtuan deputetët nga ndëshkimi, por bënë edhe punën e Policisë së Rendit. Ruajtën qetësinë. Duke mbajtur deputetët të lidhur me elektoratin e tyre, nuk ndodhi asnjë ngjarje e pa këndshme që do të cenonte reputacionin tonë si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat veteran për anëtarësim në BE. Për këtë arsye, gardistët duhen shpërblyer dhe deputetët e opozitës duhet t’i thërrasin mendjes dhe të mos kërkojnë të futen në sallën e Kuvendit.

Ka plot sheshe Shqipëria ku mund të kuvendojnë me veten apo me njerëzit – le ta zgjidhin vetë audiencën. E rëndësishme është që opozita të kuptojë se Garda vepron vetëm në interes të demokracisë dhe parlamentarizmit. * * * Në këtë spektakël madhështor të teatrit politik, ku mbretëron absurditeti dhe arsyeja zë vendin e fundit, nuk mund të mos pyesim veten nëse jemi dëshmitarë të një tragjikomedie apo një çmendurie. Dhe siç kemi bërë ndër dekada, edhe në këtë rast do të zgjedhim të keqen më të vogël.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura