Fytyrat

Aug 30, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

EdmondTupjaPër mikun tim Vangjel Lezeti, tmerrësisht alergjik ndaj dyfytyrësisë në marrëdhëniet njerëzore, nocionet “pozitë” dhe “opozitë” përmblidhen mjerisht po me fjalën dyfytyrësi, dhe kjo, për arsyen se çdo shtet, sado i (pa)denjë për këtë emër, paraqitet detyrimisht
në arenën (ndër)kombëtare, me dy fytyra, pra me atë të qeverisë së dalë nga gjiri i pozitës dhe me atë të opozitës. Me përjashtim të diktaturave, si ajo e Enver Hoxhës ndër të tjera, të bazuara në sistemin njëpartiak, ky këndvështrim, deri tani të paktën, nuk është përgënjeshtruar as nga historia e as nga realiteti politik i dy shekujve të fundit në kontinentin europian.

Meqenëse miku im i sapopërmendur është burrë i vjetër me një barrë mend e përvojë, dashur pa dashur, parapëlqen të përdorë proverba e fjalë të urta, të cilat, nga mënyra se si i thotë, i kanë fort lezet, aq sa mbiemrin e tij ai nuk do ta ndërronte për asgjë në botë, sado e çmuar qoftë ajo. Kështu, për shembull, një ditë, kur ra muhabeti te politika shqiptare (gjuha vete ku dhemb dhëmbi, siç tha vetë), më konkretisht, tek e majta në pushtet dhe tek e djathta në opozitë, ai u shpreh proverbialisht se njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën, por kjo nuk po ndodh në Shqipëri që nga viti 1992 e këtej, sepse fytyra e Shqipërisë tmerrësisht demokratike ka mbetur ende disi e palarë si në sytë e popullit tonë, ashtu edhe në sytë e ndërkombëtarëve.

Ka mbetur ende disi e palarë, sepse sot njëra dorë, e majta, e majta në pushtet, jo vetëm që nuk po e lan të djathtën, por as po përpiqet modestisht për t’u marrë sadopak vesh me atë në të mirë të vendit, kështu që, dhëmb për dhëmb e sy për sy, d.m.th. dy duar për një kokë janë, as opozita s’duket se po nxiton jo vetëm që ta lajë të majtën, por as që të përpiqet të gjejë një gjuhë sadopak të përbashkët me atë. Dy fytyrat e shtetit tonë, pozita dhe opozita, të kujtojnë fatkeqësisht dy krerët e shqiponjës sonë tmerrësisht kombëtare, dy krerë që i kthejnë njëri-tjetrit pjesën e tyre të prapme, shenjë kjo e një antidialogu në mos gjenetik, të paktën kongjenital.

Madje, edhe ngjyrat e flamurit tonë tmerrësisht kombëtar, e kuqja dhe e zeza, shprehin po këtë dyzim deri te dy shprehje frazeologjike semantikisht të barasvlershme në fjalorin e gjuhës shqipe: “s’i nxihet fytyra” dhe “s’i skuqet fytyra” në kuptimin “nuk turpërohet për asgjë, është i pacipë”. Të dy këto fytyra, hera-herës të pafytyra me njëra-tjetrën, marrin poza diku tragjike dhe diku komike, madje deri në pafytyrësi, sidomos këto dy vitet e fundit, kur sapuni po na shitet për djathë në mënyrë që populli shqiptar të hajë sapun dhe, rrjedhimisht, të lahet pa sapun, do të thoshte duke qesëndisur Vangjeli, miku im i lezetshëm, kurse djathin ta hajë e djathta në opozitë, ndërsa mjaltin e majta në pozitë.

Kohët e fundit po qarkullon rrezikshëm një thashetheme fort interesante: një grup deputetësh të djathtë do t’u shkëputkan nga PD-ja për të themeluar një parti të re e cila do të na bëka aleancë me PS-në për të shmangur nga pushteti LSI-në. Them rrezikshëm, sepse do të paralajmëronte për një stad të ri, më të lartë, të sindromës së lavjerrësit të vënë re deri tani te partitë e vogla, si PDK-ja dhe FRD-ja, ndër të tjera, që hyjnë si satelitë herën në orbitën e PS-së, herë në atë të PD-së; e thënë ndryshe, aleancat partiake nuk do të kenë më nevojë për vidha të vogla, por për impiante madhore në mënyrë që të qëndrojnë gjatë, shumë gjatë në pushtet. (Mos vallë fjala “lavjerrës” vjen nga fjala “lavire”? – më pyeste dikur gjithë lezet miku im Vangjel).

Them rrezikshëm, sepse kushedi se sa duar do të na u dashkan për të larë kushedi se sa fytyra! Them rrezikshëm, sepse termi “dyfytyrësi” mund të zhvleftësohet në dobi të termit “shumëfytyrësi”, çka do t’i jepte një hov të paparë zhvillimit të industrisë së maskave në Shqipëri (me 300 000 vende të reja pune?), dhe do të nxirrte frikshëm në pah jo më maskaradën e politikës aktuale shqiptare, por karnavalet e saj, në krahasim më të cilat karnavalet e Rio de Zhaneirios nuk do të ishin asgjë fare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura