Fusnin e shisnin drogë në burg, arrestohen gardianët

Aug 29, 2015 | 7:13
SHPËRNDAJE

Fusnin e shisnin drogë në burg, arrestohen dy gardianë të burgut të Shënkollit. Ditën e djeshme, Policia e Lezhës njoftoi kapjen në flagrancë të dy punonjësve të burgut.

foto ilustruese
foto ilustruese

Miklovan Kuliçi, 37 vjeç, dhe Ram Tosku, 45 vjeç, u prangosën pasi u bllokuan me një sasi lënde narkotike, e llojit kanabis sativa.

Burimet zyrtare të Policisë së Lezhës thanë dje se fillimisht u bë arrestimi i Kuliçit, banues në Tiranë, punonjës policie në IEVP Shënkoll, Lezhë. Zbulimi i tij u bë nga kamerat e sigurisë, pas dyshimeve për praninë e lëndëve narkotike brenda ambienteve të sigurisë së lartë.

“Arrestimi i tij u bë pasi, duke qenë me shërbim, dhe nga monitorimi i veprimeve të tij nëpërmjet kamerave është konstatuar dhe fiksuar se diçka ka nxjerrë nga trupi, duke e hedhur në krahun e djathtë të tij. U konstatua dhe u sekuestruan 3.55 gramë lëndë e dyshuar cannabis sattiva”, bëri të ditur Policia.

Fillimisht gardiani është munduar që ta mohojë praninë e drogës, por është vënë përballë fakteve, të dokumentuara nga regjistrimi në kamera. Pa kaluar disa minuta, policia bëri arrestimin edhe të kolegut të Kuliçit, pikërisht 45- vjeçarit Ram Tosku, banues në Babrru të Tiranës.

Ky i fundit nga hetimet rezulton se ishte i implikuar në veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikeve për punonjësin e policisë së burgut, Miklovan Kuliçi. Tosku akuzohet se i gjente dhe i dërgonte në ambientet e burgut kolegut të tij sasi droge, të cilat shkonin te të burgosurit e Shënkollit.

Nuk bëhen të ditur emrat e personave të dënuar, për të cilët ishte destinuar lënda narkotike. Sipas policisë, dyshohet se kundrejt përfitimit, gardianët u siguronin drogën të dënuarve që ishin konsumatorë të marijuanës. Pas arrestimit ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Në njoftimin e saj thuhet se fillimisht ka pasur informata për praninë e drogës në qelitë e të dënuarve.

Nga verifikimi i realizuar nga Punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe drejtuesi i këtij institucioni, është bërë e mundur evidentimi, zbulimi dhe parandalimi i ngjarjes, ku punonjësit e Policisë, Ram Tosku dhe Miklovan Kuliçi kanë tentuar të fusin sende të ndaluara, të dyshuara si lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura