Pengmarrja 1 milion USD, arrestohet në gjumë anëtari i “Hakmarrjes”

Apr 25, 2015 | 6:55
SHPËRNDAJE

Një person i akuzuar dhe i dënuar si anëtar i “Hakmarrjes për Drejtësi” është arrestuar në orën 01:00 pas mesnatës së të enjtes në Pogradec.

Gentian Çaka

Efektivat e repartit të forcave speciale RENEA në bashkëpunim me Policinë e Elbasanit dhe Pogradecit, kanë vendosur në pranga shtetasin Gentian Çaka, 43 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “rrëmbimit të personit të kryer në bashkëpunim”.

I arrestuari Gentian Çaka, sipas Policisë, është kapur teksa ishte në gjumë, pasi forcat speciale hynë në banesën ku ai strehohej në Pogradec. Bëhet fjalë për një vilë dykatëshe ku i kërkuari ndërkombëtar strehohej prej disa muajsh në qytetin e Pogradecit.

Në datën 16 shtator 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte nxjerrë urdhrin e kërkimit ndërkombëtar për 43-vjeçarin që akuzohej se ka marrë pjesë në pengmarrjen e biznesmenit Halit Nazifi në Tiranë, në vitin 2002. Një burim i Policisë nga operacioni në Pogradec, ka pohuar se ndërhyrja ka qenë e befasishme në banesën ku strehohej i kërkuari.

Ai nuk ka kuptuar asgjë derisa forcat speciale kanë hyrë në dhomën ku flinte 43-vjeçari, duke i vendosur prangat në duar. Pas arrestimit në Pogradec, Gentian Çaka është transportuar nga forcat speciale në paraburgimin e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, ku është bërë ekzekutimi i urdhrit të arrestit të lëshuar ndaj tij në mungesë. 

PENGMARRJA DHE DËNIMET
Personi i arrestuar gjatë natës së kaluar në Pogradec nga forcat speciale të Policisë ishte akuzuar e dënuar për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të biznesmenit Halit Nazifi. Ngjarja në fjalë ndodhi në vitin 2002 kur biznesmeni u mor peng nga pesë persona të veshur si efektivë policie. Për këtë akuzë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi me 12 vjet burg Gentian Çakën, ndërsa Apeli i Krimeve të rënda e ashpërsoi dënimin në burg përjetë. Ky vendim mori formë të prerë për 43-vjeçarin që u shpall në kërkim nga ana e Prokurorisë dhe Policisë. Sipas akuzave të prezantuara nga Prokuroria në procesin ndaj Gentian Çakës, ai ishte akuzuar për rrëmbimin e biznesmenit të rrobave Halit Nazifi, së bashku me shtetasin Kreshnik Spahiu, edhe ai i pandehur si anëtar i “Hakmarrjes për Drejtësi”. Biznesmeni i rrobave të përdorura, Halit Nazifi, ishte rrëmbyer nga persona të armatosur dhe me uniforma policie në qershor të vitit 2002, duke u kërkuar familjarëve të tij 1 milion dollarë kundrejt lirimit të tregtarit.

RRËMBIMI I BIZNESMENIT
Rrëmbimi dhe mbajtja peng e biznesmenit Halit Nazifi kishte mbetur pa autor derisa Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi dosjen vite pas ngjarjes. Mbledhja e një sërë dëshmish mbi ngjarjen, sipas Prokurorisë, identifikoi autorët e dyshuar të krimit. Në vendimin e Gjykatës për dënimin e shtetasit Gentian Çaka thuhet se rrëmbimi i biznesmenit të rrobave ka ndodhur më datën 29 qershor të vitit 2002, rreth orës 13:30 të drekës. Sipërmarrësi Nazifi ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij të markës “Audi” me targa “TR 4382 H” në drejtim të banesës së tij në lagjen Allias. Atij i kanë dalë para mjetit pesë persona të armatosur, me maska dhe me armë që kanë rrëmbyer biznesmenin dhe më pas familjes së tij i kanë kërkuar 1 milion dollarë. Sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin e 43- vjeçarit Çaka, dy anëtarët e “Hakmarrjes për Drejtësi”, Kreshnik Spahiu dhe Gentian Çaka, ishin autorët e pengmarrjes së biznesmenit rom Halit Nazifi. Ata thuhej se janë arrestuar në vitin 2002, vetëm për pak orë sepse më pas janë lënë të lirë nga Policia e kryeqytetit derisa u shpallën në kërkim prej Prokurorisë. TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura