Eksperimenti me makinë, Prokuroria: Frroku kishte kohë të largohej nga Shqipëria pasi vrau Lamajn

Feb 26, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Në orën 18:27 dy makina të Gjykatës së Krimeve të Rënda u nisën nga vendi ku u vra komisari Dritan Lamaj, për në Korçë, për eksperimentin hetimor për llogari të vrasjes së Lamajt. Automjetet mbërritën në Kapshticë në orën 21:13. Sipas prokurorisë, koha prej 2 orë e 50 minuta është e mjaftueshme për të përshkuar aksin Tiranë-Kapshticë dhe se eksperimenti sot vërteton se Frroku ka pasur kohë që të kryejë vrasjen dhe të largohet. 

Testi, u krye per te provuar nese vrasesi i komisar Lamajt pati kohe per t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, gjykata do vendosë nëse do e vlerësojë si provë për të vërtetuar krimin e 24 shkurtit të vitit 2013.

Në njërin automjet që udhëtoi drejt Kapshticës, ishte shoferi i Gjykatës dhe sekretari gjyqësor. Ndërsa në automjetin tjetër, gjyqtari dhe avokati. Mësohet se ka pasur edhe përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila më herët kundërshtoi eksperimentin, të cilin kërkuan që të kryhej nga persona sipas tyre të çertifikuar dhe të kenë aftësi të mira në drejtimin e mjetit, në kushte të ndryshme klimaterike. Zyrtarisht nga Prokuroria konfirmohet qe ne eksperiment moren pjese prokuroret Ened Nakuci dhe Njasi Seferi. 

Sipas provave të paraqitura nga organi i akuzës, Arben Frroku është filmuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në orën 21:27 duke kaluar kufirin për në Greqi.  

Makina e përdorur nga Arben Frroku për udhëtimin në Greqi/ Arben Frroku gjate arrestimit

PENGESAT 

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, distanca nga rruga “Ibrahim Dervishi”, ku ka ndodhur ngjarja, deri në pikëkalimin kufitar të Kapshticës është 194 kilometra. “Kjo distancë e ndarë në tri orë, llogaritet një shpejtësi mesatare lëvizjeje me 64.6 kilometra në orë”, janë shprehur prokurorët. Ata kanë pohuar se nuk është përcaktuar saktësisht nëse udhëtimi i të pandehurit nga Tirana në Korçë është bërë me automjetin “Mercedez ML”. “Mund të ketë qenë një automjet i një lloji tjetër, më i shpejtë se ai”, janë shprehur prokurorët në seancë.

Në vijim, një shkak që diferencon situatat, sipas përfaqësuesve të akuzës, është fakti që segmentet rrugore kanë ndryshuar nga viti 2013 deri më tani. Prej tyre është përmendur ndërtimin e tunelit në aksin Tiranë- Elbasan, çka ka shmangur kalimin e automjeteve në Qafë-Krrabë, si edhe aksin Qafë-Thanë-Pogradec, ku janë kryer punime.

Më tej, prokurorët kanë pohuar se është përcaktuar gjendja psikologjike e të pandehurit pas ngjarjes. “Nuk dimë gjendjen psikologjike të të pandehurit në atë moment. Nëse një person që ka kryer një vepër penale dhe tenton të largohet, ka prirje të ecë me shpejtësi dhe të mos respektojë tabelat sinjalizuese apo rregullat e qarkullimit rrugor”, kanë pohuar prokurorët.

Publikimi i orës së kryerjes së eksperimentit, sipas Prokurorisë, përbën shkak që të merren masa për vështirësimin e rrugës, përmes lëvizjes së qëllimshme të ndonjë automjeti të tonazhit të rëndë, apo situata të krijuara pengesash. Po ashtu, prokurorët janë shprehur se ngjarja ka qenë ditë e diel, fakt që mendohet që rruga të ketë qenë më e lirë sesa në një ditë jave, si ajo e përcaktuar për kryerjen e eksperimentit.

KERKESAT
Kërkesa e Prokurorisë ka qenë kryerja e një eksperimenti hetimor nga dy automjete të veçanta, të cilat do të udhëtonin të pavarura nga njëra-tjetra. Njëra prej tyre do të ishte me përfaqësues të Gjykatës e mbrojtjes dhe tjetra me përfaqësues të Prokurorisë e Gjykatës, duke përcaktuar edhe mënyrën e përzgjedhjes së shoferëve.

Në të dyja automjetet, akuza ka kërkuar që t’u vendoseshin transmetues satelitorë GPS, përmes të cilëve Gjykata do të kontrollonte në çdo çast vendndodhjen e tyre, ndalesat, apo ndërprerjen e lëvizjes. Po sipas akuzës, automjetet do të niseshin në orë të ndryshme, të cilat nuk do të publikoheshin më parë.

Vrasja e Lamajt, Frroku në Kapshticë në 21:27

Krahasimi i orarit të vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj me atë të kalimit të Arben Frrokut në pikëkalimin kufitar të Kapshticës më 24 shkurt 2013 ka qenë një nga argumentet kryesore të mbrojtjes në procesin gjyqësor në ngarkim të tij te Krimet e Rënda.

Gjatë gjykimit, i pandehuri ka pretenduar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja, ai ka qenë rreth 50 kilometra larg kryeqytetit, në Elbasan, duke udhëtuar drejt Greqisë, për çështje personale.

Sipas të pandehurit, ishte e pamundur që, nëse do të ishte në vendin e ngjarjes në orën 18:30 të mbërrinte në kufirin me Greqinë në orën 21:27.

Përmes mbrojtësve, Frroku ka pretenduar se ditën e ngjarjes është nisur nga zyrat e biznesi i tij pranë ish-“Misto Mames” në 17:28 në drejtim të Selanikut dhe se në 18:30 i pandehuri ka qenë në afërsi të qytetit të Elbasanit.

Gjatë procesit gjyqësor, i pandehuri disa herë ka kërkuar që të bëhet verifikimi i lëvizjeve të tij përmes transmetuesit satelitor GPS, të instaluar në një prej aparateve telefonikë që ai ka pasur me vete teksa udhëtonte drejt Greqisë.

Nga ana e saj, në kërkesën për gjykim Prokuroria përcakton orën 18:30 për momentin e ngjarjes kur kryekomisari Lamaj është qëlluar me armë automatike brenda mjetit të tij.

Po sipas Prokurorisë, i pandehuri Frroku ka kaluar në pikëkalimin e Kapshticës në orën 21:27.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky i fundit menjëherë pas ngjarjes ka udhëtuar nga Tirana në drejtim të qytetit të Korçës dhe rreth orës 21:27 ka kaluar pikën e kalimit kufitar Kapshticë për në Greqi”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura