FOTOT/ “Si më parashikoi ime më në botën e artit pamor”, Greg Rama: Nuk do resht kurrë së luftuari që një ditë të ekspozoj në një vend të botës

Mar 5, 2020 | 15:46
SHPËRNDAJE

greg rama ekzpozite linda edi

ANILA DEDAJ/ “Kam kapërcyer kontinente për të parë më të lartën e botëve, kam shpenzuar një pasuri për të përshkruar dete dhe nuk kam pasur kurrë kohën të vë re një bulëz uji të kapur pas një fije bari, dy hapa larg pragut të shtëpisë”…

Filozofia poetike e Rabindranath Tagore për përditshmërinë dhe detajet, në dukje të papërfillshme, u jetësuan përmes artit bashkëkohor të Greg Ramës ditën e djeshme në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura. Ambientet modeste të kësaj hapësire ekspozuese dukeshin të zëna ngushtë nga numri i madh i vizitorëve në ceremoninë e hapjes së “Ex Nihilos”(“Nga asgjëja”), të kuruar nga Ardian Isufi.

greg rama 1

“Jam shumë i gëzuar që shoh në këtë ekspozitë njerëz që më kanë qëndruar pranë”, thotë Gregu i emocionuar.

Ndërkohë që Kryeministri Edi Rama, teksa përpiqet të mos “rrëmbejë” protagonizmin, përshkon nxitimthi tri dhomëzat e instalacionit. Qëndron pak minuta, ndërsa zonja e tij, Linda Rama, e shijon ekspozitën për më gjatë.

gregrama2

Për “Panoramën”, artisti i ri rrëfen më në detaje rrugëtimin për tek “Ex Nihilo-s” dhe se si u konceptua ekspozita.

“U bë disa kohë që po e mendoja. Momentet e para kur lindi koncepti përbëjnë një periudhë relativisht të tensionuar dhe në njëfarë mënyre unë kërkoja të shkëputesha nga këto tensione, ndonjëherë edhe naive të jetës së përditshme. Me pak fjalë, ka ardhur tamam ‘nga asgjëja’, por mbart synimin për t’i dhënë kuptim një fenomeni në dukje të parëndësishëm, që pas një reflektimi nuk mbetet më i tillë. Pra, ajo dukuri e papërfillshme, në një moment tjetër, merr një rëndësi të veçantë dhe kjo lidhet edhe me një ndryshim që ndodh në perceptimin që ne kemi për jetën, për këtë botë”.

greg rama3

Dy elementët minimalistë, mbi të cilët ndërtohet simbolika e instilacionit, janë një fije bari dhe një bulëz… fillimisht e kapur në të, e mandej fizikisht e shkëputur në dhomën e tretë.

“Në përditshmërinë tonë jemi mësuar që të shikojmë me trilionë apo një pafundësi fijesh bari, duke harruar se në të vërtetë ato janë disa copëza, që kur bashkohen bëhen pjesë e së tërës. Në këtë proces ose marrin një rëndësi shumë të veçantë, ose e humbasin krejtësisht peshën e tyre, sepse nuk arrijnë dot të bashkëjetojnë me pjesën tjetër. Kështu, në këtë rast, ideja ka qenë që të shkëputej një detaj mikroskopik nga pjesa e së tërës për t’i dhënë një dimension të ri mbinatyral. Ndikimin e këtij detaji, ne as nuk e parashikojmë, as e pengojmë dot”, tregon ai.

gregrama5

Prej “Fidem”, të ekspozuar afro një vit më parë po në “FAB”, shumëçka ka ndryshuar, dhe, siç vetë artisti pohon, ngjarjet e 2019-ës kanë ndikuar edhe në procesin kreativ.

“Çdo punë ka diçka ndryshe nga ajo e mëparshmja. Pavarësisht se mund të perceptohet si vazhdimësi, jo gjithmonë është e tillë. ‘Fidem’ ka pasur një koncept krejt të ndryshëm, një tjetër energji. Që nga ajo ekspozitë, brenda një viti kanë ndodhur shumë ngjarje, të cilat natyrisht kanë lënë shenjë tek unë…”.

ARTISTI, PËRBALLË VEPRËS SË JETËSUAR

gregrama4

Teksa qëndron përballë “Ex Nihilo-s”, nuk arrin t’i fshehë emocionet… Ndonëse këtë proces kreativ shumëkush mund ta shikojë edhe si një shteg çlirimi, me humor Gregu thotë: “S’po marr dot frymë…”. Tregon se ndjesitë që e përshkojnë janë të përziera. “Nga një anë të duket e pamundur që tashmë është e përfunduar, dhe kjo është pjesa e këndshme, e nga ana tjetër ideja se një detaj apo një tjetër mund ta kisha bërë më mirë është ndonjëherë edhe torturuese. Ndihem mirë për faktin se më në fund kam konkretizuar diçka, të cilën e kisha përjetuar prej disa kohësh e që më në fund doli në dritë. Por, nga ana tjetër, më janë shtuar pikëpyetjet për atë që vjen më pas…”, shton më tej. Rrëfen se më shumë se sa perfeksionimit të instilacionit në dukje, i ka mëshuar konceptit dhe zbulon se pse u rikthye përsëri në “Fab”. “Është një ambient jo shumë i madh, por as me përmasa minimale. Me pak fjalë, e mesmja e artë që i përshtatej më së miri konceptit tim”.

NDIKIMI I PRINDËRVE

gregrama6

Gjatë prezantimit që Gregu i bën “Ex Nihilo-s”, vërehet një lloj kujdesi që ai tregon për të mbajtur profilin artistik, të shkëputur nga Gregu si djalë i Kryeministrit…

“Unë jam krenar për babanë tim dhe do të jem gjithmonë, por kam vendosur që të merrem me këtë punë dhe do doja të identifikohesha për vlerat e mia si artist, jo si djali i dikujt. Nëse do të ishte në dorën time, do zgjidhja që ky fakt të mbetej në hije në lidhje me punën që bëj dhe kështu veprat do të gjykoheshin siç duhet. Unë së fundmi hapa ekspozitën time në Janinë dhe reagimi i vizitorëve më dha kënaqësi, pikërisht sepse ishte i pandikuar nga fakti se djali i kujt jam. Kjo është një zgjedhje e imja personale, që ndoshta jo shumë njerëz mund ta kuptojnë”, thotë artisti.

gregrama7

Pas ekspozitës në Janinë, Greg Rama nuk e mohon mundësinë e një karriere edhe në skenën ndërkombëtare, ku ai shikohet për profilin e tij artistik, e jo si Gregu, djali i aktores së njohur Matilda Makoçi dhe i Kryeministrit Rama.

Besoj se do të vijë edhe ai moment për në skenën ndërkombëtare, edhe pse nuk përbën prioritet në jetën time. Unë nuk do resht kurrë së luftuari që një ditë të ekspozoj në një vend të botës e ku prindërit e mi të jenë pranë meje si të ftuar. Pra, njerëzit të thonë: Ata janë prindërit e Gregut. Besoj se është një dëshirë e imja, jo e pamundur!”.

Për sa i përket ndikimit të prindërve në zgjedhjen e Gregut për të ndjekur rrugën e artit pamor, artisti tregon se kanë qenë një mbështetje e fortë morale për të.

greg rama10

Në moshë të vogël, ime më e ka dëshiruar fort që unë të merrem me art. Unë kam pasur idenë se të bëje këtë punë ishte humbje kohe, por instinkti dhe parashikimi i nënës sime dolën. Ajo më pat thënë: Ti ke për t’u marrë me këtë punë! Dhe ja, kështu ndodhi. Po ashtu, edhe im atë ka qenë optimist për zgjedhjen time, për të vazhduar rrugën e artit”, tregon ai.

Duket i bindur për ta vijuar rrugëtimin e tij artistik dhe i ndërgjegjshëm se kjo kërkon këmbëngulje e përkushtim.

gregrama9

Përpiqem të punoj shumë, por jo sa të tërheq vëmendjen nga jeta sociale apo kënaqësitë e vogla të jetës. Jeta e përditshme është e lidhur me punën dhe me misionin tim që të vazhdoj të eci përpara, të mos mbetem në vend…”, shprehet artisti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura