FOTOT/ Kundër harresës, tek “Artet” performohet për dhunën seksuale ndaj të miturve

Jul 20, 2020 | 12:56
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Tymnaja e abuzimeve seksuale ndaj të miturve bën që artistët t’i bien kambanës së alarmit përmes teatrit. “Loja në oborrin e pasmë” shënon performancën e parë teatrale në publik pas karantinës dhe regjisorja Ema Andrea, për të shkundur ndërgjegjen sociale, thërret historinë e kobshme të Edna Mazya-s, bazuar në një ngjarje të vërtetë të ndodhur 32 vite më parë në Kibbutz Shomrat të Izraelit të Veriut, duke e përshtatur me aktualitetin vendës.

ema andrea1

Abuzimi seksual e psikologjik i të miturve, në ditën e parë të këtij korriku në oborrin e Universitetit të Arteve erdhi therës, gati me të njëjtën fytyrë mashtruese, edhe pse historitë, koha, vendet e personazhet janë të ndryshme. Emrat e viktimave thërriten ngadalë, një pas një, pastaj ritmi ndryshon… Të abuzuarit janë të shumtë e abuzuesit mbizotërojnë. Ndaj, aktorëve të rinj e Suela Bakos do t’u ishte dashur një kohë e gjatë për të përmendur të gjitha viktimat, së paku ato për të cilat është folur mediatikisht.

Historia e 32 viteve më parë në Izraelin e largët, ku një 14- vjeçare u dhunua seksualisht dhe psikologjikisht nga 7 djem (në shfaqje janë 4) të moshës 17 vjeç, vjen sot në rrethanat e një vendi të vogël si Shqipëria edhe më tronditëse. Tronditja e parë që performanca “Loja në oborrin e pasmë” rrëfen zbuluar, shënohet nga fakti se shoku publik që shkakton një lajm i tillë zgjat pak. Shuhet nga një tjetër lajm i ngjashëm po aq apo më shumë tronditës, që fatkeqësisht nuk vonon të vijë.

“PËRDHUNIMI I DYTË” DHE DEGËZIMET KOMPLEKSE LIGJORE

ema andrea Kundër harresës1

Pastaj të abuzuarat i nënshtrohen një “përdhunimi të dytë” ligjor (siç citohet në shfaqje), ku viktima papritur nuk është më viktimë, po ajo që nxiti aktin. “Ç’bënte një femër e vetme në atë orë të natës me 4 djem?” Abuzuesit e së shkuarës të shfajësuar ka gjasa të bëhen gjykatësit e së ardhmes, edhe për ngjarje të tilla. Regjisorja Ema Andra ua vesh kostumet e sigurisë dhe komfortit, që shpesh dhe vetë ligjet (apo interpretimi jo i drejtë i tyre) ua mundësojnë. Duket sikur format e abuzimit dhe rrugëdaljet ligjore përmes neneve “dredharake” shkojnë në raport të drejtë. (“Pranoje që të ka pëlqyer, do marrësh djemtë në qafë. Ata janë djem të mrekullueshëm. Janë e ardhmja e kombit”). Ironia e mprehtë e Andreas i flet një publiku që mbyll sy e veshë pas ngjarjeve të errëta të atyre që vihen të “ndriçojnë” fatet e një kombi. Apo të tjerëve që do të vijnë falë indiferencës, mosndëshkimit apo stimulimit të krimit…

ema andrea Kundër harresës2

Edhe në skenë, femrat (Enisa Hysa, Arte Misa dhe Rosella Pelliçiotti) mbeten më të brishta, kur vjen fjala për të “rrëfyer” dramacitetin e kësaj ngjarjeje, apo për të vënë abuzuesit “me shpatulla pas murit”. Zëri i dy personazheve që do gjykojnë vjen i shuar (gati si në aktin e abuzimit, qëndrimi pak imponues. Rebelimi përmes argumenteve ligjore(por edhe përmes aspektit human, siç përmendin vetë personazhet) është i zbehtë. Abuzuesit janë të frikësuar, po jo mjaftueshëm… Ata ende ngrenë zërin e kërkojnë rrugë shpëtimi, në vend të faljes e pendesës…

“PËRDHUNIMI” I TRETË, MEDIA DHE RRJETET SOCIALE

Përdhunimi është përdhunim, por jo për ata që me lirinë e pacensuruar të fjalës cenojnë të drejtat themelore tjetrit. Rrjetet sociale ua shpërndajnë më lehtë moralistëve mendimin (apo mungesën e një mendimi?) dhe media “ua servir” viktimën me rastin e parë… Në performancën e “Loja në oborrin e pasmë”, viktima e abuzuar (Suela Bako) vihet përballë mikrofonit. Ajo është përsëri “preja”. Për shikueshmëri, klikime a komente… Komente të pamëshirshme, reale, që gozhdojnë viktimën e mitur dhe justifikojnë abuzuesit. “Po të ulte kokën e të shikonte rrugën e vet, s’e ngacmonte kush”. Protestat ndaj këtyre akteve “mbyten” në dallgët gjithëpërfshirëse të komenteve, që përçmojnë çdolloj mbrojtjeje ndaj viktimave, sepse ato “medoemos diçka duhet të kenë bërë” që përdhunimi ndodhi. Tek rrëzohet edhe kjo mbrojtje simbolike, viktimës së përdhunuar fizikisht, verbalisht, psikologjikisht s’i mbetet tjetër, veçse të presë “mbrojtjen nga shteti”. Ndërsa shteti vet, në mungesën e nismave për të kultivuar mentalitetin përmes edukimit, forcimit ligjor e rregullatorit për mbrojtjen e viktimave prej ekspozimeve të dëmshme edhe mediatike, rriskon të bëhet “koleksionues” dhe vëzhgues i abuzuesve e i historive tragjike…

ART NË KOHË PANDEMIE

ema andrea Kundër harresës3

Të ruhet distancimi mes njerëzve, veçanërisht në shfaqje e performanca të tilla, ku afrimiteti i dhunshëm fizik bëhet bërthama e zhvillimit të historisë, duket gati mision i pamundur. Por, me sa duket, nuk është subjekti i rrëfimit ai që imponon qëndrimin, pasi sikundër aktorët, spektatorët janë ende të pamësuar me rregullat e reja. Nëse jashtë dyerve të Akademisë së Arteve ndihet fryma ballkanase e bisedave “kokë më kokë”, bëhet e vështirë që rregullat të imponohen në oborr të tij, ku ritmi i shfaqjes bën që mendimet për shëndetin të shpengohen.

ema andrea Kundër harresës4 ema andrea Kundër harresës5 ema andrea Kundër harresës6

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura