Fotot e Shqipërisë “sekrete” zbuluar nga dy francezë

Apr 6, 2011 | 11:57
SHPËRNDAJE
Loic Chouvin ka botuar një album me fotografi kushtuar dinastisë Marubi me titull “Albanie, visage des Balkans” (Shqipëria, fytyra e Ballkanit, Arthaud 1995)

Vështrime shqiptarësh, femra e meshkuj që nuk e fshehin historinë e tyre. I pari që i fotografoi shqiptarët ishte italian.I lindur më 1834 në Piaçencë të Emilje Romanjes, ai quhej Pietro Marubi.  Tingëlloi çuditshëm strehimi politik që erdhi të kërkojë në këtë vend, por përderisa Shqipëria fitoi një fotograf të madh, tashmë nuk ka më rëndësi nëse arsyeja e arratisjes nga Italia ishte vrasja e një fisniku italian kundërshtar i pavarësisë, ku ishte përzier, apo një zënkë për punë dashurie. Ai krijoi një dinasti, atë të Marubëve. Ata që vendosin të tregojnë historinë që nisi prej tij me foto për Shqipërinë, janë dy francezë. Christian Raby dhe Loic Chaovin kanë menduar të publikojnë librin “Shqipëria 1858-1945, një rrugëtim fotografik”. Dy studiuesve francezë dhe botueses shqiptare Loreta Mokini u shkon mendja të ndërmarrin këtë rrugëtim për të shkruar e botuar librin me 95 foto surprizë, të cilat do të bëjnë xhiron e botës. Një bashkëbotim franko-shqiptar i shtëpisë botuese “Ecrits de lumieres” në Francë dhe “Albimazh” në Shqipëri, i botuar në gjuhët shqip, frëngjisht dhe anglisht ka ngjallur shumë interes në sferat e larta të artit fotografik europian për historinë e shfaqur në faqet e tij. Rrugëtimi nis me një burrë, Pjetër Marubin në zemër të shekullit XIX, italiani që do të bëhej tërësisht shqiptar, dhe mbyllet në mesin e shekullit XX, në shoqërinë e një femre, skocezes që u bë me zemër shqiptare në Elbasan, e quajtur Margaret Hasluck. Fotot janë ekspozuar me bujë në Bruksel, ku është çelur edhe një ekspozitë fotografike atje. Televizionet e Belgjikës e kanë filmuar ekspozitën, madje televizioni prestigjioz franko-gjerman ARTE, ka intervistuar dy autorët e librit. Ata japin këtë intervistë për gazetën “Panorama”, duke treguar aventurën e tyre në botimin e këtij libri të veçantë për fotografinë shqiptare. U është dashur të shikojnë me mijëra negativë, duke përsëritur poza konvencionale, për të arritur deri aty sa të entuziazmohen nga aksh shkrepje e pazakontë, ku shpaloset “mençuria e thellë e një vështrimi”, siç ata e quajnë vështrimin e shqiptarit. Loic Chouvin rrëfen rrugëtimin fotografik në Shqipëri.
Një libër për fotografinë shqiptare, pse ky pasion për Shqipërinë?

Gjyshi me dy nipërit. Një fotografi e realizuar mes viteve 1900-1930 nga fotografi Dhimitër Vangjeli. Pjesë e albumit personal të kryetarit të Bashkisë së Ersekës

Shqipëria, pa pikë dyshimi ka një trashëgimi fotografike të pashembullt në Ballkan, e cila ka mbetur deri më sot e panjohur për shumëkënd, si përtej kufijve ashtu dhe brenda vetë këtij vendi. Shumica dërrmuese e pamjeve që po paraqesim në këtë libër nuk kanë qenë kurrë objekt ekspozimi, as botimi. Fotografia është dëshmi e njëfarë kulture, e pohimit të një identiteti, e krijimit të një kujtese. Ndjenja e identitetit kombëtar shqiptar dhe ecuria e kësaj fotografie kanë përkuar së bashku në kohë dhe e kanë ndriçuar në mënyrë të ndërsjellë njëra-tjetrën. Ishte kjo arsyeja…
Në libër i jeni referuar një shekulli që nis me fillesat e fotografisë kur Shqipëria bënte ende pjesë në Perandorinë Osmane. Deri në cilin vit ju do ta cilësonit “kohë të artë” për fotografinë?
Po, e vërtetë që rrëfimi nis që nga Perandoria e Osmane dhe shtrihet deri në vendosjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës më 1946, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht kjo është koha e artë që ne tregojmë në këto faqe. Pra është viti 1858, data e së parës fotografi të njohur si shqiptare, që vazhdon deri në fund të viteve 1940.
Sa e larmishme është tematika e këtyre fotove, çfarë kanë fiksuar fotografët e asaj kohe?

 

Fotografitë e qëmtuara këtu parashtrojnë një larmi të madhe tematike: skena nga jeta e përditshme, peizazhe fshati e qyteti, ceremoni fetare, portrete kryengritësish shqiptarë, personalitetesh të njohura apo njerëzish të panjohur. Shumë prej autorëve të këtyre klisheve mbeten anonimë. Disa prej tyre ka rrezik ta kenë përfundimisht këtë fat, siç është rasti i shumicës së autorëve të negativave në pllaka xhami apo të stampimeve në letër që ruhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Për arsye

përvetësimi, trashëgimie a sekuestrimi nga policia e fshehtë e diktaturës komuniste, emri i autorit të klisheve ka humbur fare ose ka shpënë në ngatërresa të tilla, që vështirë se mund të kapërcehen.
Si arritët t’i siguronit fotot, çfarë ju befasoi në hulumtimet tuaja në Arkivin e Shtetit Shqiptar?
Sigurisht që kemi pasur gjithmonë përkrahjen e palëkundur të Arkivave të Shtetit, përveç kërkimeve tona në fondetprivate. Në pamë që Arkivi Shqiptar i Shtetit zotëron një fond fotografik me një rëndësi të pakrahasueshme. Përveç stampimeve të panumërta në letër, 6 000 deri 7 000 negativa në pllaka xhami, të formateve të ndryshme, përbëjnë një koleksion të jashtëzakonshëm për historianët e fotografisë. I themeluar më 1947, i vënë nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme më 1951, ky institucion, ashtu siç e kanë për mision tërë arkivat kombëtare, ruan dokumentet me interes historik.
Pjesë interesante e këtij hulumtimi mund të ketë qenë historia e fotografisë shqiptare gjatë viteve të regjimit komunist. Çfarë arritët të zbulonit?

Gruaja e fotografit. Fotografi e realizuar rreth vitit 1940 nga Kel Marubi

Sigurisht ne pamë që Arkivi shqiptar ka për më tepër edhe disa fonde të një natyre krejt tjetër. Ai ka grumbulluar tërë dokumentet personale që u janë konfiskuar personave të arrestuar, të internuar apo të ekzekutuar si armiq të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Por, Arkivi Shqiptar është interesuar më fort për skenat e paraqitura nga një pikëpamje historike a etnografike, sesa për ato të paraqitura nga një pikëpamje fotografike. Pjesa më e madhe e klisheve, kushtuar më së shumti ngjarjeve familjare e private, janë anonime. Veshjet e mbajtura dhe disa parametra të tjerë lejojnë të përcaktohet se shumica e tyre kanë të bëjnë me Korçën dhe krahinën e saj, sidomos me Dardhën që ishte asokohe një qendër e rëndësishme në Shqipëri.
Mund të flisni për atë pjesë të fotove që janë identifikuar, a mund të bëni një biografi të tyre?
Mund të themi se disa foto janë identifikuar, por biografia e tyre mbetet shumë e paqartë. Kështu, çfarë mund të mësojmë, bie fjala, për Dhimitër Vangjelin, këtë fotograf nga Erseka, një qytet në juglindje të Shqipërisë?! Kopertina e rimtë e albumit, ku gjendet e mbledhur puna e tij fotografike, është damkosur nga autoritetet komuniste me shënimin: “Shumë sekret”.
Ndalojmë në këtë moment historik. Sipas jush, çfarë na zbulojnë vallë ato pamje të gjykuara si të dyshimta a të rrezikshme nga regjimi i Enver Hoxhës?

Kryengritëse shqiptare. Fotografi e realizuar rreth vitit 1912. Autori, anonim

Ceremoni martesash, varrimesh, portrete familjare, skena të rëndomta të një kohe të perënduar. Vetëm atëherë jemi në gjendje ta kuptojmë dhe ta shohim se çfarë përmasash kishte marrë e keqja: e gjithë puna pask

ësh qenë që të mbahej fshehur thjesht ajo jetë e përditshme e kohës para regjimit totalitar! Fotografia ka të bëjë sa me krijimin artistik aq edhe me industrinë tregtare qoftë në Shqipëri, qoftë kudo. Origjinaliteti i pamjes së marrë, në njërën anë, mundësia për t’i riprodhuar

stampimet në shkallë të zmadhuar, në anën tjetër. Veprimtaria e fotografit brendashkruhet në zemër të kësaj dyvlershmërie. Sigurisht që na është dashur të shikojmë me mijëra negativa, duke përsëritur poza konvencionale, për të arritur deri aty sa të entuziazmohemi nga aksh shkrepje e pazakontë ku shpaloset mençuria e thellë e një vështrimi.
Loic, kur flisni për fotografi pa autorë, a ishit para dilemave: Kujt t’ia atribuojmë këtë apo atë foto?
Sigurisht dhe ishte detyrë e vështirë. Për shembull, falë një sasie fotografish që i atribuoheshin Vani Burdës, kishim shpresuar, njëfarë kohe, se mund t’i konsideronim si të të njëjtit artist, disa fotografi ku shiheshin të njëjtat sfonde të pikturuara. Na u desh ta ulim hundën kur zbuluam disa fotografi që i atribuoheshin Thimi Racit, me po ato sfonde. Gabim klasifikimi duke u nisur nga përvoja? Do të duhet të qëmtohen edhe tregues të tjerë, prova të tjera. Hulumtim i gjerë e plot pasion…
Natyrisht që talenti i fotografit është ajo çfarë ju ka bërë të përzgjidhni mes shumë fotove. Si i seleksionuat 95 fotot e librit tuaj, pse nuk ishin 100 për shembull?

Vëllezërit Balkameni, kryengritës shqiptarë. Foto e realizuar në viti 1912 nga Kiço Venetiku. Zbuluar në fondin e Institutit të Kulturës Popullore

Përveçse me interes historik, klishetë e përzgjedhura këtu dëshmojnë të gjitha për një ndjeshmëri të pashoqe të artistit që i ka bërë. Pasi është përmbushur ky kusht, ju mund të pyesni se cila ka qenë vallë ana ekzotike e temës apo ana estetike e fotografisë ajo që na ka shtyrë të zgjedhim këtë negativ më fort sesa një tjetër, ndër më të mirët e marrë në shqyrtim? A mos është ndoshta nostalgjia e një Shqipërie, pasqyrimin e së c

ilës rrekemi ta gjejmë në sytë e këtyre grave e burrave që na shikojnë me ngulm? Dëshmi e prekshme, objekt etnografik, vepër artisti, vështrim i një shoqërie mbi vetveten, secili do të provojë me habi, teksa e sodit, një mori ndjenjash vetjake. Por një gjë është e sigurt, këto pamje trandin edhe gurin….
Disa e kanë cilësuar një modë të re të shprehjes historike, atë të artistëve fotografë të asaj periudhe? Cili ishte ndikimi i fotografëve pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane?
Në fillim të shekullit XX-të, shpërbërja e Perandorisë Osmane i ktheu Shqipërisë dimensionin e saj europian. Brezat e parë të fotografëve shqiptarë qenë kështu dëshmitarët e oksidentalizimit të vendit, i cili i preku në trajta kulturore komplekse kategoritë e ndryshme të popullsisë. Fotografitë u bënë pasqyra e kësaj udhe të përshkuar. Ato na shtrojnë disa pyetje tejet të mprehta edhe sot, në këtë fillim të shekullit XXI, kur Shqipërisë i duhet sërish ta përkufizojë vendin e saj midis kombeve të Europës.

 

Christian Raby: Fotografia mortore, shpikje shqiptare

Christian Raby ka dhënë lëndën e Historisë së Fotografisë në Universitetin e Çikagos në Paris (Francë)

Përsëritja e herëpashershme e skenës së përmortshme në punën e fotografëve shqiptarë nuk mund të mos e shtrojë një pyetje para vëzhguesit. Duke figuruar nëpër fonde njëlloj si fotografitë e martesave, fotografitë e përgjimeve të përzishme myslimane ose katolike, ashtu si edhe ato të varrimeve ortodokse, nuk kanë vonuar të marrin vlerë zakoni.

 

Prej jush do të na interesonte historia, ajo histori që ju keni ndërtuar me këto foto…
Po. Në fillimin e periudhës me të cilën jemi marrë e deri në Konferencën e Londrës, Shqipëria kishte një përvijim gjeografik të paqartë. Shumë-shumë, mund të flitej për një rajon shqipfolës. Shkodra dhe Korça qenë asokohe dy nga qendrat kulturore më të rëndësishme në shprehjen e identitetit shqiptar. Qyteti i Shkodrës në veri, ishte kryeqendra katolike e hapësirës shqip folëse të Perandorisë Osmane. Aty ndodhej kërthiza gjuhësore e gegërishtes, njërit prej dy dialekteve të shqipes. Qyteza e Korçës në juglindje, ishte nga ana e saj kryeqendra ortodokse e krahinës dhe pika nevralgjike e të folmes toskërishte, trajtës tjetër dialektore të shqipes. Nuk është pra për t’u habitur që këto dy qytete dhe rrethinat e tyre kanë qenë vendet

e privilegjuara për zhvillimin e ushtrimit të fotografisë.
Ndërsa i referoheni kësaj historie, cili ka qenë interesi i shqiptarëve ndaj fotografisë. U pëlqente të pozonin, ia dinin vlerën asokohe fiksimit të jetës së tyre në celuloid?
Si pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane, Shqipëria e asaj kohe ishte kryesisht myslimane. Vlerësohet se kësaj feje i përkisnin atëherë dy të tretat e shqiptarëve. Qëndrimi mysliman ndaj shëmbëlltyrave, të cilit i shtohet fakti se muhamedanët përbënin klasën sunduese të shoqërisë, ngjan të ketë luajtur njëfarë roli në interesin e paktë që shqiptarët, në pjesën e tyre dërrmuese, tregonin ndaj ushtrimit të fotografisë. Megjithatë, sado që nuk u dhanë me shumicë pas këtij arti, ata nuk shfaqnin kurrfarë ngurrimi, me sa duket, për të qëndruar përballë objektivit. Nuk kundërshtonin që të shihnin drejt fotografit teksa ky vepronte, madje edhe në çastet më dramatike të jetës së tyre, si përgjimet e të vdekurve. K

Ruajtja e të vdekurit. Ceremoni mortore myslimane. Anonime. Pa datë.

y paradoks në dukje, nxjerr në pah mjaft mirë një prej vetive të shquara të mendësisë shqiptare: tolerancën ndaj besimeve të tjera dhe sinkretizmin fetar, të cilët vazhdojnë të jenë tipari dallues i frymës që mbizotëron në këtë vend edhe sot në shekullin XXI.
Ju thoni Shkodra dhe Korça, por ka pasur dhe krahina të tjera ku është realizuar fotografia, të cilat i përfshini në këtë botim?
Përveç Shkodrës e Korçës patjetër që edhe krahina të tjera të Shqipërisë kanë përjetuar një veprimtari fotografike interesante. Tirana, Berati, Elbasani, Durrësi, Gjirokastra kanë pasur fotografët e tyre. Në këtë libër gjejnë vendin e vet edhe Lilo

Xhimitiku për Beratin ose Sotir Beu për Elbasanin. Por, sidoqoftë, prodhimtaria fotografike e Shkodrës dhe e Korçës mbetet e pashoqe.
Flisni për një pasuri të tillë fotografike, por sa përmendet Shqipëria në historinë botërore të fotografisë?
Në fakt Shqipëria vazhdon të mos përmendet në historinë botërore të fotografisë. Asnjë referim, kurrfarë emri nuk është sjellë si shembull për të treguar se, në këtë fushë, ky vend ka pasur sa e sa artistë të talentuar. Madje edhe dinastia e pashoqe e Marubëve mbetet jo aq e njohur sa duhet. E pra, janë të pakta ato vende që mund të krenohen si truall i një lulëzimi të tillë fotografësh të shquar gjatë atij shekulli.
Përmendët pak më lart fotografitë e realizuara gjatë përgjimit të të vdekurve, si mund të shpjegohet futja e këtij rituali fotografik në mes të ritit fetar? Me çfarë ka lidhje kjo dëshirë kaq e papërmbajtur për të fiksuar pamjen e të ndjerit dhe të ceremonisë së funeralit të tij?

Ceremoni mortore katolike. Fotografi e realizuar nga Kel Marubi mes viteve 1900-1919.

Natyrisht që këto ishin pyetje që ne ia bëmë vetes, ndërsa punonim. Dhe një shpjegim historik po e jap këtu. Shqipëria ishte një truall mërgimi. Shqiptarët e ikur për të punuar në dhe të huaj, më të shumtën e rasteve, nuk kishin fare mundësi për t’u kthyer në atdhe kur vinte çasti për të varrosur një të afërm. Fotografia shërbente në këtë rast, me siguri, për ta mbajtur gjallë frymën e bashkësisë. Familja, miqtë, nganjëherë ndonjë kuvend i madh i fshatit të mbledhur në një klishe, bëheshin kështu dëshmi për ata anëtarë që ndodheshin të shpërndarë nëpër botë.
A keni vënë re teknikë të caktuar në mënyrën e realizimit të një fotoje mortore? Ku ndryshon nga një fotoje dasme e asaj kohe?
Sigurisht. Këto klishe të habisin edhe me teknikën se si janë bërë. Regjia e një fotografie martese kërkon që vështrimet e personazheve të konvergojnë të gjitha te fotografi, duke zbuluar kështu, si të ishte një nga të dhënat e ceremonisë, praninë e këtij të fundit. Madje, edhe kur të sapomartuarit shikojnë njëri-tjetrin, qëndrimi i tyre nënkupton qartas porositë e një operatori.
Po fotografia e përgjimit të të vdekurit, çfarë na thotë? Edhe në këtë rast bëhet fjalë për regji fotografike?
Te fotografia e përgjimit të vdekurit apo e varrimit, loja e vështrimeve e mohon këtë lloj veprimi me dashje. Disa i shpien sytë tek i ndjeri, disa të tjerë te fotografi, ca të tjerë duken të mbyllur brenda vetes, me një shprehje dhimbjeje e përqendrimi në heshtje. Origjinaliteti i marrëdhënies me vdekjen shprehet në këtë rast përmes vetëpërmbajtjes në hije, jo aq të fotografit sesa të funksionit të tij. Kështu, ai dëshmon vetëm si njeri, pra me më shumë dramatizëm, për një rast zie në bashkësinë njerëzore.
Mund të flitet për një formë novatore këtu, çfarë do të thoshte thirrja si dëshmitar i një fotografi në mort?
Po, kemi të bëjmë me një novacion. Do të thoja se kjo formë novatore e fotografisë mortore lindi në thelb, me sa duket, nga vullneti për të ruajtur një traditë siç e përmenda pak më sipër; ndjenjën e bashkësisë, pavarësisht nga shpërndarja nëpër diasporë. Gjithsesi, në rastin e myslimanëve, vetë kjo formë kthehej në një përmbysje të vërtetë kulturore. Thirrja e fotografit si dëshmitar në këtë ngjarje të rëndësishme përbënte në vetvete një shkelje të atij moslejimi të shëmbëlltyrës, që shpall besimi islam. Në të vërtetë, në këtë mënyrë përjetohej njëfarë osmoze kulturore.
Ju thoni se është një thyerje e riteve myslimane, apo një mbivendosje e ritit të krishterë mbi atë mysliman?
Ja, po jua tregoj. Në ato çaste të rënda, kishte familje myslimane që u porositnin fotografi ca operatorëve, të cilët, për vete, ishin më së shumti të krishterë. Temat ikonografike lënë kështu të depërtojë një kulturë e krishterë, siç janë aluzionet për vajtimin e Krishtit, dhe e përziejnë atë me ritualin e përgjimit të përmortshëm mysliman. Numri i fotografive të ruajtura me këtë temë funeralesh lë vend për të menduar se kanë qenë shumë të paktë ata që ia ndalonin vetes një gjë të tillë, po t’i kishin mundësitë financiare për ta bërë. Falë dyvlershmërisë së tij mes artit të mirëfilltë dhe thjesht regjistrimit të reales, fotografi bëhet këtu vektori i një tejkalimi kulturash, drejt pajtimit të tyre.

 

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura