Finalja e Conference League, ndikim në imazh dhe miliona euro të ardhura, flasin ekspertët: Pasaportë që do shënojë suksesin apo…

May 25, 2022 | 14:55
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Finalja e Ligës së Konferencës ndërmjet Romës dhe Feyenordit, që do të luhet sonte në mbrëmje në stadiumin “Air Albania”, do të thotë më shumë të ardhura njëkohësisht promovim, pasi e vendos vendin në sytë e mijëra tifozëve dhe mediave ndërkombëtare.

air albania

Rreth 60 mijë tifozë do të shkelin tokën shqiptare sot nga deti dhe qielli, ndërsa një pjesë prej tyre kanë mbërritur që dje. Duke e cilësuar ngjarje të rëndësishme për shkak edhe të përmasave, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi, thotë se ndeshja e sotme e vendos vendin në fokus global duke promovuar më parë turizmin e më pas sportin.

“Ka mbi një javë që kryesisht Tirana po vizitohet nga turistë të ndryshëm, por dhe të rinj jo domosdoshmërish sportdashës, por falë jehonës dhe publicitetit të ndeshjes së datës 25 maj. Mendohet të jenë rreth 50-60,000 persona që do të lëvizin këto tri ditë. Ka një atmosferë festive që ndihet kudo në Tiranë. Hyrjet në Shqipëri janë bërë në rrugë të ndryshme. Pjesa kryesore nëpërmjet Aeroportit Rinas me linjat e zakonshme, por dhe çarter që do të sjellin tifozët nesër dhe pasnesër do t’i kthejnë përsëri. Është një situatë që po manaxhohet me kujdes dhe graduale. Akomodimi është kryesisht në hotelet dhe apartamentet Tiranë-Durrës. Një pjesë që vijnë me çarter do të kthehen direkt pas ndeshjes”, thekson Topuzi.

Në terma financiar efekti nga ndeshja, sipas kryetarit të Unionit Turistik Rrahman Kasa pritet të jetë rreth 20 milionë Euro, pa llogaritur efektin në rritjen e numrit të turistëve, që do të vizitojnë vendin këtë verë. “Jehona e kësaj jave do t’i japë një impuls të rëndësishëm turizmit të këtij viti në Shqipëri. Mendoj se do të ketë një rritje të numrit të tyre me 10-15% krahasuar me vitin 2019, duke ndihmuar ndjeshëm ekonominë e vendit pasi çdo turist ndikon në punësimin e 6-7 personave në mënyrë indirekte”, vë në dukje kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit.

SPROVË

Por, sa të përgatitur jemi ne për të mirëpritur këtë fluks qytetarësh jo vetëm në kapacitete, por edhe cilësi shërbimi? Për kryetarin e Shoqatës Shqiptare të Turizmit ngjarja është një pasaportë e rëndësishme që do të shënojë suksesin apo dështimin tonë. “Strukturat akomoduese, por dhe njësitë e shërbimeve si bare e restorante kanë marrë masa për të shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim që vendi të hyjë në mediat botërore si një finale model për nga menaxhimi, kulinaria dhe mikpritja, dy nga pikat më të forta tonat. Kjo ngjarje do të jetë një pasaportë e rëndësishme dhe do të shënojë suksesin apo dështimin tone”, tha Topuzi.

Ndërsa për kreun e Unionit Turistik, të pakënaqur do të ketë për shkak të çmimeve shumë të larta të hoteleve, të cilat nuk do justifikojnë shërbimin që do iu bëjnë.

“Për sa i përket promovimit, unë mendoj se duhet parë në dy këndvështrime, i pari është për sa i përket imazhit të Shqipërisë si destinacion që prodhon siguri dhe besueshmëri, ndërsa i dyti është për turizmin. Turizmi është imazh dhe unë mendoj se do kemi plot njerëz, të cilët do ngelin të pakënaqur për shkak të çmimeve shumë të larta të hoteleve, të cilat nuk do justifikojnë shërbimin që do ju bëjnë. Për sa i përket numrit, unë mendoj se jemi në gjendje të presim një numër të tillë, por si turistë, jo si tifozë, se po qe si tifozë i bie që të paralizohet jeta siç bëhet nesër në Tiranë”, thekson Kasa.

ÇMIMET

Sa i takon shtrenjtimit të çmimeve, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Topuzi, thotë se në situatat kur ka ngjarje të rëndësishme si një ndeshje sot, kërkesa për akomodim është disa herë më e madhe se mundësia dhe do të ketë rritje çmimesh, kjo është e natyrshme, por kur ato kalojnë masën, me çmime dhjetëra herë mbi çmimin bazë, bëhen shqetësuese dhe ndikojnë në imazhin e vendit.

“Hoteleria është në bursë si nafta. Motori kryesor i shitjes ‘booking.com’ rankon hotelet apo çdo njësi akomodimi në bazë të vlerësimit të klientëve. Qëllimi kryesor i tij, është jo vetëm fitimi, por edhe mbrojtja e konsumatorit, në rastin konkret klientit dhe siguria e tij. Kemi parë që po abuzohet me çmimet. Një hotel, që deri dje shiste një krevat 10 euro kur në dhomë flenë 4-5 vetë me banjë të përbashkët në korridor po tenton të shesë 800 deri 1500 euro, nuk është aspak normale. Si rezultat i thirrjes apo sensibilizimit të bërë nga Shoqata Shqiptare Turizmit, ATA, por dhe media, kemi një stabilizim të tyre dhe sot që flasim, çmimet janë dy deri tri herë më të larta, duke e konsideruar situatë normale për ngjarje te këtyre përmasave”, thekson Topuzi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura