Filmat nën diktaturë, flet Kristaq Dhamo: Të trajtohen si pjesë e historisë

Oct 18, 2019 | 20:19
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Do të vijë një kohë që e sotmja, Shqipëria jonë, do të kujtohet edhe përmes kinemasë. Jo më kot filmi shqiptar, krahas pasionit bëhet edhe shqetësimi i tij.

Si një nga baballarët e kinemasë sonë, regjisori Kristaq Dhamo, pavarësisht se jeton në Amerikë, nuk e shkëput vëmendjen nga “produktet filmike” të nxënësve të tij. Besnik Bisha në premierën e filmit të tij “INANE”, e dallon mes publikut bashkë me Dhimitër Anagnostin (si gjithmonë në krah të Rozës së tij) dhe iu shpreh falënderimet që në kohë të vështira i shtruan rrugën filmit shqiptar. Kanë kaluar më shumë se 7 dekada që kur Dhamo, tanimë në të 86-at, realizoi filmin e parë artistik shqiptar. Fill një vit pas kthimit nga Budapesti, “Tana” e tij do të kalonte në filtrat e sistemit, sipas të cilit, disa shtojca për ta bërë “më real” qenë të domosdoshme.

Jo më kot është kujdesur që të rinjve, krahas mësimeve kinematografike, t’u japë gjithnjë edhe mbështetje morale. “Të gjithë ne të vjetrit kemi pasur besim të madh te të rinjtë. Janë po këta të rinj, që u kanë dhënë guxim edhe të rinjve të tjerë. Sot ne kemi shumë kineastë që po krijojnë rrugën e tyre, të cilët duhen ndihmuar edhe më shumë”, thotë mjeshtri. Është optimist për filmat e Besnik Bishës e tregon se e ka ndjekur nga filmi i parë deri tek i fundit. “Më pëlqen se ka guximin të ndryshojë, çka duket në të gjithë filmat e tij. ‘INANE’ është një nga më të mirët që ka realizuar”, rrëfen për mediat.

kinema

REGJISORI: MOS KRYQËZONI FILMAT

Lidhur me filmat që u bënë gjatë diktaturës, Dhamo mban qëndrim të njëjtë me kolegët e tij, të cilët punuan që edhe Shqipëria sot të kishte një histori kinematografie. Me rëndësi për ta nuk është zhbërja e historisë, e themeleve të filmit shqiptar, por e tashmja dhe ardhmja e tij. “Arti është art në çdo epokë. Mirë apo keq, është shenjë e historisë dhe historia duhet respektuar. Më duket idiotësi që të ndalohen filmat, pasi dikush kërkon t’i vendosë kryqin një historie. Mirëpo, historisë s’mund t’i vihet kryq. Mund ta kritikosh, por historia duhet njohur, pasi vetëm kur të njohim mirë historinë tonë, mund të bëjmë përpara.

E filmi është një nga mjetet më të forta të historisë”, shprehet regjisori. Dhamo tregon se filmat sot janë gjithashtu një pikë referimi për sociologët e historianët, të cilët po kthejnë sytë nga kinematografia për të kuptuar psikologjinë e mënyrën e jetesës së një populli në një periudhë të caktuar.

“Le të shikojmë dokumentarët më shumë të kritikuar. ‘T’u heqim atyre tekstin’, pasi dihet se më së pari i ka shërbyer propagandës së kohës, por përsëri mbetet fotografia. Ajo është reale, nuk gënjen, tregon si kanë jetuar njerëzit në atë periudhë, me të mirat e të këqijat që kishte. Pra, këta filma janë pjesë e historisë, duhen trajtuar si të tillë e jo t’u vihet kryqi”, shton më tej kineasti.

MË SHUMË VËMENDJE PËR KINEMANE, DHAMO: DY FILMA NË VIT JANË PAK

Edhe pse në diktaturë kufizimet ai i ka provuar në lëkurë, rrëfen se në filmat e atëhershëm regjisorët mundoheshin që të gjenin mundësinë për të shprehur edhe mendimin përparimtar. “Një mendim i tillë kryesisht thuhej përmes personazhit negativ dhe kritikave, që në mënyrë indirekte ishin për atë regjim”, trgeon Dhamo. Sipas regjisorit, mundësitë sot janë më të mira për kineastët, por këta të fundit s’mund të përparojnë pa ndihmë financiare.

“Duhen ndihmuar më shumë, se me kaq pak para që jep shteti, edhe me mungesën e sponsorizimeve, është e vështirë. Të bësh dy filma në vit është pak”, thotë ai. E shqetëson po ashtu, mungesa e shpërndarjes së filmit që do të mundësonte njohjen e kinemasë sonë nga shqiptarët. “Shpërndarja është zero. Është e çuditshme si nuk e kuptojnë. Kineastët e rinj, kolegët e mi duhet të bëjnë më shumë që ta detyrojnë qeverinë të bëjë shpërndarjen e filmit.

Bisedoj me shumë të rinj që kanë harruar kinemanë. Kinemaja të jep emocione të tjera, të shohësh një film në shtëpi nuk është e njëjta gjë. Filmi e ka vendin në kinema, atje ku brezi i ri mund të mësojë edhe më mirë të çmojë çka duhet çmuar.

Edhe pse televizioni ka rolin e vet të padiskutueshëm, Shqipëria mbetet i vetmi vend pa kinema. Jemi i vetmi vend në botë që mburremi se bëjmë një film në vit dhe kjo është e turpshme”, thotë regjisori. Dhamo kujton se pavarësisht vështirësive, dikur kinemasë i kushtohej më shumë vëmendje. “Në atë kohë, ne e donim dhe e çmonim shumë kinemanë. Përpiqeshim të ishim vetvetja e kush qëndron vetvetja, do të bëhet diçka…”, shton kineasti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura