Fibroadenomat, tumori beninj që prek moshat e reja, rreziku për komplikacione

SHPËRNDAJE

Një fibroadenoma është një formacion që mund të zhvillohet në gji dhe zakonisht shfaqet te femrat. Ato janë beninje, që do të thotë se janë jokancerogjene dhe shfaqen kryesisht në moshat nga 20 deri në 30 vjeç.

ygh

Por sipas mjekes onkologe, Esmeralda Sera, kjo nuk e përjashton mundësinë që të shfaqen edhe te moshat më të mëdha apo te meshkujt, ndonëse te ka të fundit në përqindje të ulët.

“Fibroadenomat janë kondicione beninje të gjirit, që më së shumti zhvillohen gjatë pubertetit dhe ndeshen mjaft në mosha shumë të reja. Kjo nuk përjashton mundësinë e shfaqjes se tyre dhe në mosha më të mëdha, si edhe në përqindje mjaft të vogël te meshkujt”, pohon doktoresha. Fibroadenomat kanë tendencë të tkurren pasi një grua kalon në menopauzë. Por ato mund të ndryshojnë përmasa duke u bërë më të mëdha gjatë shtatzënisë, ushqyerjes me gji ose gjatë marrjes së terapisë për zëvendësimin e hormoneve. Sidoqoftë, ato zakonisht kthehen në madhësinë e tyre të mëparshme pas këtyre luhatjeve hormonale.

SHKAKTARËT

Lidhur me shkaktarët, ata janë të paqartë. “Një fibroadenoma zakonisht ndihet si masë në gji, që është e butë nga prekja dhe lëviz lehtësisht nën lëkurë. Fibroadenomat janë zakonisht pa dhimbje, por ndonjëherë ato mund të ndihen të buta ose edhe të dhimbshme, veçanërisht pak para menstruacioneve. Nuk dihet çfarë e shkakton një fibroadenoma. Mendohet se ndoshta ndodh për shkak të rritjes së ndjeshmërisë ndaj estrogjenit. Gjinjtë janë të përbërë nga lobula (gjëndra prodhuese të qumështit) dhe kanalet (tubat që bartin qumështin në thithkë). Fibroadenomat zhvillohen nga një lobule”, thotë mjekja Sera.

VENDOSJA E DIAGNOZËS

Fibroadenomat apo tumoret beninje të gjirit janë një patologji që haset shpesh te moshat e reja. Doktoresha apelon që të gjitha gratë që vënë re një masë të huaj, të drejtohen menjëherë te mjeku, sepse duke bërë ekzaminimet e nevojshme, do të përcaktohet edhe origjina e masës. “Duhet të jemi të sigurt që masa e prekur është beninje dhe në bazë të saj, pacientët të marrin informacionin e nevojshëm për ndjekjen në vazhdim”. Një biopsi (nxjerrja e indit të gjirit për ta kontrolluar atë në laborator) është e nevojshme për të ditur nëse është një fibroadenoma ose ndonjë problem tjetër.

TRAJTIM

Shumë mjekë rekomandojnë heqjen e fibroadenomave, veçanërisht nëse ato vazhdojnë të rriten ose ndryshojnë formën e gjirit. Ndonjëherë, këto tumore ndalojnë së rrituri apo edhe tkurren vetë, pa ndonjë trajtim.

Për sa kohë që mjekët janë të sigurt që masat janë fibroadenoma dhe jo kancer gjiri, ato mund të lihen në vend dhe të vëzhgohen për t’u siguruar që nuk rriten. Kjo qasje është e dobishme për gratë me shumë fibroadenoma që nuk rriten.

Në raste të tilla, heqja e tyre mund të nënkuptojë heqjen e shumë indeve normale të gjirit pranë, duke shkaktuar dhimbje, por edhe duke ndryshuar formën dhe strukturën e gjirit. Kjo gjithashtu mund t’i bëjë mamografitë e ardhshme më të vështira për t’u lexuar.

Është e rëndësishme për gratë që kanë fibroadenoma të bëjnë ekzaminime të rregullta të gjirit ose teste imazherie për të siguruar që fibroadenomat nuk po rriten. Ndonjëherë, një ose më shumë fibroadenoma të reja mund të shfaqen pasi të hiqet një. Kjo do të thotë që është formuar një tjetër fibroadenoma dhe jo rikthim i fibroadenomës së vjetër.

“Ndjekja e fibroadenomave mund të jetë konservative, duke u ndjekur me eko gjiri çdo 6 muaj. Në rastet kur ato zmadhohen apo kanë nëntip jofavorizues, atëherë duhen hequr me ndërhyrje kirurgjikale. Fibroadenomat janë beninje dhe nuk kanë rrezik të kthehen në kancer. Gjithsesi, disa studime kanë treguar se në familjet e femrave të prekura nga kanceri i gjirit vërehej prania e fibroadenomave“, shton më tej doktoresha.

 

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.