Festivali i të Drejtave të Njeriut, një javë debat mbi radikalizmin

Sep 19, 2017 | 14:27
SHPËRNDAJE

Ka nisur dje pasdite me një ceremoni të posaçme, të denjë për standardet e një festivali ndërkombëtar e me të ftuar specialë, edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri – IHRFFA, i cili organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”.

Kujtim Çashku

Festivali, që nisi dje, do të vijojë deri më 23 shtator 2017. Filmi që ishte përzgjedhur për të hapur siparin e festivalit ishte “DUGMA-THE BUTTON”, i regjisorit norvegjez Pål Refsdal. Filmi tregonte jetët e një grupi shumë të ndryshëm kamikazësh të Al Kaedës që veprojnë në Siri. Regjisori Refsdal kishte mbërritur në Tiranë dhe ishte i pranishëm gjatë shfaqjes së filmit.

Ai është një gazetar i njohur freelance, fotograf dhe dokumentarist, që ka raportuar nga shumë zona të nxehta lufte, ku puna e ka lidhur me grupe të ndryshme rebele për të dëshmuar nga krahu tjetër i frontit. Në vitin 2009, ai u infiltrua mes trupave talebane në Afganistan, ku u zu rob dhe u mbajt peng për një javë.

Është i njohur bashkëpunimi i Pål Refsdal me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në 1998, ku qëndroi tre muaj në spital pas plagosjes nga forcat jugosllave. Ministri norvegjez i kohës, Knut Vollebæk, zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm jugosllav të kohës që të ndërmjetësonte për nxjerrjen e Refsdal nga zona e luftës.

FESTIVALI

Aktivitetet e festivalit që do të vijojnë për ditët e ardhshme janë kthyer tashmë në një ngjarje me rëndësi jo vetëm për qytetin e Tiranës, por dhe një nga eventet më të rëndë- sishme kinematografike që zhvillohen në Shqipëri. Nëse vitet e kaluara festivali ishte i fokusuar te krimi i organizuar dhe korrupsioni apo migracioni, këtë vit aktiviteti vjen me një tematikë të mprehtë, që në fokus do të ketë populizmin dhe radikalizmin.

“Ashtu si çdo vit, edhe në këtë edicion kanë ardhur një numër i madh filmash nga vende të ndryshme të botës, që na japin mundësinë, në të njëjtën kohë, të zbulojmë kahjet apo dinamikat se ku lëviz ajo që ne e quajmë dhuna, terrori, apo shkelja e të drejtave të njeriut. Në një festival të tillë, këto problematika bëhen më të dukshme, pasi ti ke një pasqyrë më të gjerë në rang botëror. Kjo na mundëson ne që vazhdimisht të qëmtojmë se cila do të jetë tema specifike që do të zgjedhim për festivalin, në funksion të së cilës do të operojmë. E për këtë, na duhet një punë njëvjeçare që të hulumtojmë në mënyrë graduale se cili është krimi më prezent në shumatoren e vet në këtë peizazh botëror”, thotë regjisori Çashku.

PJESEMARRESIT

Një nga surprizat e këtij edicioni, që do të zgjasë plot një javë, është pa dyshim zgjerimi i rrjetit të vendeve ku do të shfaqen filmat e përzgjedhur. Përveç Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, si dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, filmat do të shfaqen edhe në Akademinë e Sigurisë, Qendrën Multifunksionale TEN, instalacionin REJA, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, dhe në sheshin “Skënderbej”.

Edicioni i 12-të i IHRFFA ka shënuar këtë vit një shifër mbresëlënëse prej 3000 aplikimesh, nga të cilat bordi profesional ka përzgjedhur 39 prodhime, disa prej të cilave me çmime nëpër festivale të ndryshme të botës. Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, i cili organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, hyn në edicionin e 12-të, me çeljen e siparit të hënën në mbrëmje, ora 19:00, me ceremoninë hapëse dhe shfaqjen e filmit të parë “Dugma: The Button”, të regjisorit norvegjez Pål Refsdal.

Regjisori Kujtim Çashku, i angazhuar në këtë sfidë, jo vetëm për të ngritur strukturën e një Festivali për të Drejtat e Njeriut, por dhe për ta bërë Shqipërinë pjesë të hartës ndërkombëtare ku flitet për këto çështje, bashkë me bordin përzgjedhës sjellin këtë vit një numër mbresëlënës të ftuarish: Zaki Schiff nga Izraeli, Pål Refsdal nga Norvegjia, Andrea D’Ambrosio nga Italia, Hans Busstra nga Holanda, Gabriel Tempea nga Rumania, Thomas Isler nga Zvicra, Elton Baxhaku dhe Eriona Çami nga Shqipëria, Angelique Kourunis nga Greqia, Martin Gerner nga Gjermania, Veton Nurkollari, Isa Qosja, Mathieu Jouffre dhe Besa Luçi nga Kosova. Gjatë ditëve të festivalit janë parashikuar disa aktivitete të rëndësishme: Së pari, Forumi në Universitetin Europian të Tiranës mbi Radikalizmin dhe Fondamentalizmin.

PROGRAMI

Ditën e martë, 19.09.2017, pas shfaqjes në orën 12:00 të dokumentarit “Jihad-A story of the others”, të regjisorit Deeyah Khan

Ditën e mërkurë, 20.09.2017, ora 11:00, me një shfaqje speciale me 40 gra të privuara nga liria të Burgut 325, të cilat do të vijnë në ambientet e Akademisë “Marubi” për të ndjekur dokumentarin “Home”, të regjisores More Raça, dhe më pas do të marrin pjesë në forumin për “Dhunën në familje”

Ditën e mërkurë, 20.09.2017, ora 18:00, në qendrën TEN, në bashkëpunim me Universitetin POLIS shfaqet dokumentari “Selita” i Elton Baxhakut dhe Eriona Çamit, dhe më pas vijohet me diskutimin me temë “Planifikimi urban”

Duke qenë se për drejtuesit e festivalit mbetet prioritet fokusimi dhe përfshirja gjithnjë e më e madhe e të rinjve, në subjektet që trajtojnë filmat është menduar që

ditën e enjte, 21.09.2017, ora 12:00, në sallën e kinemasë “Marubi”, në bashkëpunim me gjimnazin “Sami Frashëri”, të shfaqet filmi “The girl of 672K” dhe të vijohet me një debat me nxënësit me temë “Komunikimi virtual”

Ditën e premte, 22.09.2017, ora 11:00, në Akademinë e Sigurisë shfaqet dokumentari “Cyberjihad / Xhihadi Kibernetik” i Hans Busstra dhe vijohet me debatin me temë “Krimi kibernetik”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura