Festivali i Butrintit, teatri “ringjall” për 4 ditë skenën antike

Jul 18, 2016 | 15:41
SHPËRNDAJE

Tri shfaqje teatrale dhe një koncert. Ky do të jetë edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar i Teatrit “BUTRINTI 2000”, që do të marrë udhë nesër deri 23 korrik në Teatrin e Qytetit Antik të Butrintit, në Sarandë.

orkestra e korfuzitFestivali më i rëndësishëm ndërkombëtar i teatrit në Shqipëri, tashmë është reduktuar në 4 ditë.

Vështirësitë financiare bëjnë të vetën dhe festivali, i cili zgjaste nga 7 deri në 10 ditë e që sillte në Shqipëri trupa nga vende të ndryshme të Europës, madje edhe më larg, prej të cilit kemi parë se ç’do të thotë të vësh në skenë vepra të antikitetit apo Shekspirit, është tkurrur në fare pak shfaqje.

Edhe pse Ministria e Kulturës e ka mbështetur edhe këtë vit këtë aktivitet, kanë ikur kohërat kur ky institucion financonte deri në 7 milionë lekë të rinj për Festivalin e Butrintit.

Tashmë fondi maksimal që jepet nga Ministria e Kulturës për aktivitete të këtij lloji është vetëm 2 milionë lekë. Dhe janë me “fat” ata që përfitojnë maksimumin. Organizatorët duhet të përpiqen vetë për të mbajtur gjallë aktivitetet e tyre. E megjithatë, “Butrinti 2000” rikthehet edhe këtë herë.

Në këtë edicion do të performojnë në skenën e Butrintit trupa teatrore nga Shqipëria, Bullgaria dhe Spanja, sikundër edhe një shfaqje koncertale nga Greqia.

Shqipëria prezantohet me një vepër origjinale, një dramë shqipe, ndërsa do të kemi dy vepra të Federico Garcia Lorkës, që vijnë nga vende të ndryshme, duke sjellë në këtë mënyrë dy këndvështrime të ndryshme në trajtimin e veprave të një prej poetëve dhe dramaturgëve më të mëdhenj spanjollë, ndonëse i ndarë nga jeta, në mënyrë tragjike, në një moshë ende të re.

FESTIVALI

Tragjikomedia “Made in Albania”, me autor Stefan Çapalikun dhe regjisor Altin Bashën, do të hapë natën e parë të festivalit, nesër mbrë- ma. Nata e dytë e festivalit do të vazhdojë me një shfaqje koncertale nga Korfuzi, Greqi, drejtuar nga dirigjenti Alkis Baltas.

Në këtë koncert të veçantë pritet pjesëmarrja e 60 artistëve. Shfaqja “Shtëpia e Bernarda Albës”, e regjisores Diana Dobreva, prezantohet nën interpretimin e aktorëve bullgarë nga Sofja.

Një nga regjisoret më të njohura në Bullgari, Diana Dobreva, rikthehet në Butrint si fituese e çmimit të kritikës në Avignon, në vitin 2011. Fituese e çmimit ASKER si shfaqja më e mirë e vitit 2015 në Bullgari.

Për t’u veçuar nata e fundit e festivalit, me rikthimin e Teatrit Tribuene, Madrid, Spanjë, me shfaqjen “Dasma e Gjakut”, Federico Garcia Lorka dhe regjisores Irina Kouberskaya. Kjo shfaqje është realizuar posaçërisht për Festivalin e Butrintit.

Pas suksesit të shfaqjes “Shtëpia e Bernarda Albës” 3 vjet më parë në Butrint, “Dasma e Gjakut”, sipas realizuesve, “do të tronditë gurët e lashtë të Butrintit”. Ky edicion, organizuar nga Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar, Parku Kombëtar Butrint, mbështetet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Sarandë dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura