Festivali folklorik i diplomacisë shqiptare

May 24, 2015 | 12:48
SHPËRNDAJE

TOMOR ALIZOTI

                              Në vitet ‘90, një shtetas gjerman merr dënim me vdekje nga gjykata në SHBA. Ai akuzohej për vrasje dhe gjykata e shpalli fajtor, duke i dhënë dënim kapital. Kaq mjaftoi për të vënë në lëvizje Ambasadën dhe të gjithë diplomacinë gjermane, e cila u mobilizua për të mbrojtur të dënuarin.

Ministria e Jashtme ngriti një shtab për të ndjekur enkas këtë çështje dhe pas një lufte të madhe ajo ia del të ndryshojë vendimin nga dënim me vdekje, në burg. Kjo është mënyra se si një vend dinjitoz mbron çdo shtetas të tij në çdo vend të botës, qoftë ky edhe një vrasës, i cili, sidoqoftë, meriton të trajtohet me dinjitet.

Në Maqedoni, 22 veta, shumica shqiptarë, mbetën të vrarë në këmbime zjarri tepër të dyshimta dhe jashtë çdo procedure ligjore, ndërsa Shqipëria mjaftohet me një deklaratë të akullt, ku u kërkon palëve të ulin armët dhe ku nuk shpreh asnjë reagim ndaj mënyrës se si u zhvilluan ngjarjet dhe se si po trajtohen shqiptarët në vendin fqinj.

Vërtet ne nuk jemi Gjermani, por aq më pak Maqedonia nuk mund të jetë SHBA. Raporti i diferencave të fuqive tona në rrafshin ndërkombëtar është i pakrahasueshëm me atë midis Gjermanisë dhe SHBA-ve. Ajo që na mungon për të reaguar si gjermanë, nuk është mundësia, por dinjiteti, dhe natyrisht, vullneti për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tanë kombëtarë. I gjithë opinioni publik shqiptar gjatë kë- tyre ditëve mbeti pezull, i mbërthyer me sytë nga Kumanova.

Rrjetet sociale buçisnin nga indinjata ndaj qeverisë Gruevski, ndërsa një frymë e jashtëzakonshme solidariteti me viktimat shpërtheu ngado. Vetëm qeveria nuk e prishi terezinë, duke kaluar gjithçka në heshtje dhe indiferencë, a thua se bëhej fjalë për ndonjë fatkeqësi natyrore në ndonjë kontinent të largët.

Edhe Greqia reagoi më fort në mbrojtje të shqiptarëve se Shqipëria. E gjithë kjo dëshmoi jo vetëm mungesën e shtetit dhe distancën e tij nga shqetësimet reale të vendit, por mbi të gjitha përulësinë tonë politike në rrafshin ndërkombëtar, duke u treguar inferiorë edhe ndaj një vendi kaq të dobët e pa fuqi sa Maqedonia. Shqipëria nuk lëvizi as gishtin për të zbatuar detyrimet e saj kombëtare, por edhe kushtetuese, të cilat në nenin 8.1 obligojnë shtetin shqiptar të mbrojë ”të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve”.

ÇFARË DUHET TË BËNTE DIPLOMACIA SHQIPTARE?
Shqipëria përfaqësohet sot në Maqedoni, ku popullsia shqiptare përbën 30% të popullsisë, jo me një ambasador, por me një per son të Ngarkuar me Punë. Që këtu, duket se shteti shqiptar nuk e ka seriozisht politikën e jashtme, një luks i paimagjinueshëm ky për një vend që ndodhet në zemër të Ballkanit.

Megjithatë, në Kumanovë ndodhi një ofensivë policore me mjete të rënda në një zonë të banuar totalisht me shqiptarë. Bazuar në Konventën e Vjenës – të cilën e ka ratifikuar edhe Maqedonia – në Kumanovë duhej të ndodhej i Ngarkuari me Punë dhe stafi i tij për të vëzhguar dhe raportuar pikë për pikë operacionin. Kemi një deklaratë nga i Ngarkuari me Punë se nuk kemi informacione. Pra, e thënë shqip: Nuk dimë gjë, – as prezencë në vendngjarje dhe asnjë lloj informacioni.

Lind pyetja për çfarë duhet Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, kur në një rast të tillë, me përmasa kaq tragjike, jo që nuk kryen detyrën e saj referuar Kushtetutës dhe konventës ndërkombëtare të Vjenës, por madje nuk di asgjë? Nga ana tjetër, askush nuk e ka çarë kokën në qeveri a në Ministrinë e Jashtme. Asnjë shtab i ngritur enkas për popullsinë shqiptare, asnjë takim me ambasadorët përkatës, asnjë notë, madje asnjë survejim rreth situatës.

Megjithëse ata që vriteshin ishin shqiptarë, më aktive në këto ngjarje ishte Serbia, e cila doli me një sërë deklaratash e qëndrimesh, sigurisht në funksion të interesave të saj. E, ndërkohë që njerëzit vriteshin në Kumanovë, Kryeministri përuron një festival folklorik dhe mjaftohet me një minutë heshtje. Gjithçka është spektakolare në cinizmin infantil që ofron ky shtet. Shqipëria ia ka dalë më së miri të ndërtojë një politikë folklorike teksa historikisht ka politizuar edhe folklorin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura