“Fëmijët në shkolla, pa mbledhur më një tufë me letra”- Edhe regjistrimet për klasat e para në “e-Albania”

Jun 18, 2021 | 9:10
SHPËRNDAJE

Klasa-pare-regjistrimi-E-Albania

Për herë të parë, regjistrimet në klasat e para do të bëhen në rrugë elektronike, përmes sistemit “e-Albania”. Lajmin e dha vetë Kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar këtë një arritje.

“Erdhi dita të regjistrojmë fëmijët në shkolla, por pa mbledhur më një tufë me letra nëpër duar e pa mbajtur më radhë në asnjë derë institucioni arsimor”, shkruan kreu i qeverisë bashkëngjitur videos që tregon me detaje hapat e regjistrimit për klasat e para.

Dy javë para, shkollat janë udhëzuar që të informojnë prindërit që të përgatisin dokumentet për të aplikuar më tej nëpërmjet portalit qeveritar.

Por mësohet se kjo mënyrë regjistrimi do të pilotohet këtë vit vetëm për 182 shkolla dhe jo të gjitha institucionet arsimore 9-vjeçare në të gjithë vendin. Pjesa tjetër do t’i referohen regjistrimit tradicional me dorëzimin e listës së dokumentacionit të kërkuar në shkollë. Përveç shmangies së abuzimeve nga drejtoritë me regjistrimet e nxënësve që banojnë në rrugë që nuk i përkasin asaj shkolle, ky mekanizëm përkthehet në më pak lodhje për prindërit.

“Pjesa më e madhe e të dhënave plotësohen automatikisht nga ndërveprimi i sistemit në kohë reale. Nuk ka nevojë për asnjë dokumentacion shoqërues që të mblidhet fizikisht. Vetëm ditën e parë numërohen mbi 500 aplikime”, sqaron drejtoresha e portalit, Nevila Repishti.

Portali do të shërbejë vetëm për marrjen e aplikimeve online, ndërsa do të jenë institucionet arsimore ato që do të certifikojnë regjistrimin e fëmijëve në bazë të kapaciteteve. E njëjta rrugë do të përdoret edhe kur sistemi gjeneron probleme dhe refuzon regjistrimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura