Fatos Kongoli: Një rrëfim që ia kisha borxh vetes

Apr 8, 2011 | 12:19
SHPËRNDAJE
Shkrimtari Fatos Kongoli

Zakonisht shkrimtarët i mbledhin kujtimet, kur i kanë thënë të gjitha. Kujtimet janë si një lloj kapaku i florinjtë.Në rastin e shkrimtarit Fatos Kongoli mund të duket i çuditshëm botimi i një libri me kujtime, por në të vërtetë, ai s’është veçse një libër që mbyll një kapitull e hap një tjetër në krijimtarinë e tij. Dje pasdite, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, shkrimtari promovoi veprën e tij më të fundit “Iluzione në sirtar”, botim i shtëpisë botuese “Toena”. Ishin të shumtë miqtë e pranishëm në këtë prezantim e që vlerësuan sinqeritetin e rrëfimit të Kongolit. Në këtë libër, të cilin e ka quajtur një “pothuajse roman”, Kongoli rrëfen për jetën e tij, çka në një mënyrë, apo në një tjetër, ai e ka bërë edhe në romanet e tij të pas viteve ’90. Dhe këtë na e bën të njohur pikërisht përmes këtij “pothuajse romani”. Pasi ka rrëfyer e ka trilluar në romanet e mëparshëm, tani ai nis e zbulon një nga një të gjithë personazhet e tij. Shumica janë figura reale, si Sejfulla Malëshova, të cilin ai e quan “Profesori”, apo Liri Belishova, të cilën e quante “Gruaja me syze”, tek romani “Lëkura e qenit”, apo Vladimir Shehu, i biri i Mehmet Shehut, për të cilin u tha se u vetëvra, të cilin e thërret shkurt Ladi tek “I humburi”. Madje zbulon se histori personale ai i ka futur nëpër libra, si në rastin e romanit “Kufoma”, ku tregon episodin e dëshmisë në gjyqit të një ish-kolegu gjatë viteve të komunizmit. Tek “Iluzione në sirtar” hyjnë e dalin personazhe të njohur e të panjohur, figura publike, shkrimtarë e politikanë, si Shuteriqi, Agolli, Kadare, Ramiz Alia etj., apo edhe çuna lagjesh. Në varësi të historive të treguara, tonet e dramacitetit ulen e ngrihen në libër. Ka nga ato që të bëjnë të vësh buzën në gaz, si në rastet kur tregon për fëmijërinë, apo ëndrrat e rinisë, por dhe nga ato ku ndihet ankthi dhe tensioni nën ndrydhjen e një sistemi, që të përdorte e pastaj të flakte. Përmes një interviste shkrimtari flet për të gjitha këto.

E quani librin tuaj “pothuajse roman”, çfarë doni të thoni me këtë?
Është një gjetje konvencionale. Zakonisht romani është i gjithi trillim, kurse ky libër nuk është i tillë. Ai ngrihet mbi dy linja që gërshetohen me njëra-tjetrën. Disa nga momentet më të rëndësishme të jetës sime personale dhe krijuese janë përfshirë aty. Për nga dramaciteti i ngjarjeve, të jep përshtypjen e një romani, ndaj dhe e kam quajtur “pothuajse roman”.
Zakonisht shkrimtarët e shtyjnë në kohë mbledhjen e kujtimeve, ju përse tani?
Është shumë e vërtetë. Unë nuk vendosa menjëherë për ta shkruar këtë libër. Kisha një ide të tjetër, për të shkruar një roman të mirëfilltë. Ngurova shumë dhe më në fund hoqa dorë. Mes disa muajsh luhatjeje, më në fund vendosa të bëj këtë libër. Por në fakt kjo pyetje më lindi edhe mua brenda vetes. Sepse ky është një libër që ka në thelb kujtimet e mia dhe njerëzit zakonisht shkruajnë kujtime, kur e kanë mbyllur ciklin e vet dhe në njëfarë mënyre janë jashtë loje dhe nuk kanë më se ç’të presin. Por pastaj u rimendova dhe pashë se nuk është edhe aq e saktë kjo gjë. Kur mora vendimin për të shkruar këtë libër, ndodhesha në një moment kyç dhe duhet të merrja një vendim me rëndësi për krijimtarinë time. Krijimtaria ime ndahet në dy faza. E para është ajo e para viteve ’90, gjatë së cilës kam shkruar 5 libra, tre me tregime dhe novela dhe dy romane. Ndërsa pas viteve ’90, me romanin “I Humburi”, botuar në vitin 1992, fillon një fazë e dytë, që përkon me përmbysjen e diktaturës dhe atë që quhet periudha e tranzicionit. Një periudhë shumë e gjatë, e vështirë, me trauma të jashtëzakonshme njerëzore. Gjatë kësaj kohe kam shkruar pjesën më të rëndësishme të romaneve të mi, që hapet me “I humburi” dhe mbyllet me “Bolero në vilën e pleqve”. Pas këtij të fundit mendova se duhej të vija pak rregull në këtë krijimtari timen. Ka shumë njerëz që mendojnë se me futjen e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave, periudha e tranzicionit ka marrë fund. Të tjerë thonë jo, megjithatë mund të ishte fundi i një faze të dytë dhe fillimi i një faze të re në krijimtarinë time.
Nuk po ju pyes për librin e radhës, por si e shihni fillimin e kësaj faze të re?
Di t’ju them se s’ka për të qenë aspak e lehtë, sepse çfarë kam pasur për të thënë, i kam thënë dhe aq më tepër në letërsi nuk është mirë të përsërisësh veten. Ne kemi një lexues shumë të mirë, por edhe shumë të paduruar për shkak të temperamentit. Nuk falin kollaj.
Do ta quanit “Iluzione në sirtar”, një libër-nyje mes dy fazash krijimtarie?
Ky libër është një rrëfim për jetën time, që e kam shkruar si një detyrim ndaj vetes sime në radhë të parë, por edhe ndaj lexuesit tim. Atij lexuesi që e ka lexuar veprën time dhe mund të gjejë lidhjet mes jetës dhe letërsisë sime. Në fakt aty nuk ka shumë gjëra të reja. Lexuesi do të shohë se shumë gjëra që i kam shkruar në librat e tjerë nuk janë krejt trillime, por janë ngjarje që më kanë ndodhur mua. Nuk e fsheh këtë. Kam dashur të bëj një rrëfim, për aq kohë sa bashkëkohësit e mi të përmendur në këtë libër janë gjallë. Nuk kam dashur t’i shpëtoj gjykimit të njerëzve. Pjesa dërmuese e personazheve janë gjallë. Dhe një nga arsyet pse kam dashur ta shkruaj librin është pikërisht për këtë fakt. Më vonë, kur ca prej tyre të mos jenë më, ndoshta do të ishte shumë vonë, sepse nuk do të kishte kush të më gjykonte. Libri përshkruan disa momente dramatike, të cilat janë mirëpritur. Kam marrë përgëzime edhe nga njerëz të cilët nuk i njoh aspak. Ka pasur edhe ndonjë që nuk e ka pëlqyer, por kur e nxjerr një libër, ai ka fatin e vet.
Thuhet se grupimet dhe xhelozitë kanë qenë të shpeshta në rrethet artistike, zënë vend ato në librin tuaj?
Jo, shumë pak. Gjatë gjithë jetës sime nuk kam qenë pjesë e tarafeve. Por është ashtu si thoni ju, tarafe ka pasur dhe do të ketë, por unë kam hyrë në letërsi, paksa nga dera e mbrapme. Kam studiuar për matematikë dhe jo për letërsi si shumica e shkrimtarëve, të cilët kishin njohjet e tyre qysh në universitet. Kjo ka bërë që të mos jem pjesë e këtyre grupimeve. Kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta. Qysh në kryet e herës mendova se s’kisha pse të studioja për letërsi, sepse s’kisha se çfarë të mësoja në atë fakultet dhe me sa duket bëra mirë. Nga ana tjetër, matematika i jep një autori atë që quhet logjika matematike dhe kjo pasqyrohet në të gjithë krijimtarinë. Por kishte të keqen e vet, se duke qenë larg këtyre kontakteve, grupeve, ti ishe më i izoluar. E kështu jam edhe sot. Jo se kam qenë në ndonjë kullë të fildishtë, por vazhdoj të jem larg grupimeve.
Pse e keni quajtur “Iluzione në sirtar”, keni pengje, ëndrra të parealizuara?
Mund ta kisha titulluar “Iluzione të zhgënjyera”, por ky është një titull mjaft i njohur për mua i një autori italian. Po cilat kanë qenë këto iluzione të zhgënjyera? Së pari kanë qenë iluzionet e tim eti. Ai ka qenë komunist. Ky është një fakt i njohur. Ai zë një vend kryesor në këtë libër, sepse ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në jetën time. Gjatë studimeve për violinë në Itali, përqafoi idetë komuniste. Por, në fund të jetës së tij pësoi një zhgënjim shumë të madh, sepse e përjashtuan nga partia. I shërbeu gjithë jetën me ndershmëri dhe në fund e hodhën tutje, si një limon i shtrydhur pa asnjë arsye. Fatkeqësia e tij ishte shumë e madhe, sepse në fund të jetës pësoi një deziluzion. Iu shemb krejtësisht themeli, sepse pa se i kishte shërbyer një ideologjie dhe një regjimi kriminal, që e flaku tej pa hezitim. Kështu që fatkeqësia e tij më e madhe ishte zhgënjimi.
Po iluzionet tuaja?
Në një masë të madhe aty përshkruhen iluzionet e mia personale, të cilat i kam pasqyruar në të gjithë librat që kam shkruar nga vitet ’90 e këtej. Një zhgënjim shumë i madh ka qenë realiteti i ri, mungesa e humanizmit. Si gjithë shqiptarët, e prita vendosjen e demokracisë me iluzione të mëdha. Do të vinte një epokë e re, ku gjithçka do të shkonte shumë mirë dhe njerëzit do të merreshin vesh me njëri-tjetrin. Por, nga pikëpamja njerëzore, realiteti ishte shumë i egër. Çmimi që duhej paguar ishte tmerrësisht i lartë. Unë nuk e imagjinoja këtë dhe jam zhgënjyer. Këto janë iluzionet në sirtar, megjithatë jeta vazhdon e po kështu dhe misioni i shkrimtarit. Objekti i tij është shpirti njerëzor edhe letërsia ime është e prirë ndaj letërsisë së dhimbjes njerëzore dhe kjo nuk kushtëzohet nga fakti nëse dikush ka një gjendje materiale më të mirë, ose jo. Dhimbja është tjetër gjë, ajo shumë më e thellë, më metafizike.
Thatë që në këtë libër keni përfshirë disa ngjarje të rëndësishme të jetës suaj…
Në këtë libër kam paraqitur disa momente shumë të rëndësishme të jetës sime. Libri është një rrëfim, ku diku unë bëj edhe ndonjë pendesë për veprimet e mia. Ky është një libër që nuk ka për qëllim të tregojë se sa i zoti kam qenë unë në jetë, por të shpjegojë letërsinë time. Aty ka edhe ngjarje të kohës së diktaturës, mes tyre edhe ndonjë episod, shumë traumatik i jetës sime, që kanë qenë një arsye më shumë për të shkruar librin.
Vjen ky libër si një çlirim, apo si një katarsis (ndonëse kjo fjalë ka marrë edhe konotacion politik ndër të tjera)?
Sigurisht që kjo çështje ka anën e vet politike. Po flitet shumë për dosjet e diktaturës dhe sipas mendimit tim ato duhet të hapen, sepse po spekulohet shumë mbi to. Por në këtë rast, brengat e njeriut nuk shlyhen kurrë.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura