Familja braktis Sokol Mjacajn, e largoi që pas vrasjes së 13-vjeçarit

Jul 7, 2015 | 8:05
SHPËRNDAJE

Familja Mjacaj braktis djalin e madh të saj. Sokol Mjacaj prej 5 vitesh ishte refuzuar nga familjarët e tij, të cilët vazhdojnë të jetojnë në fshatin Lotaj të Dukagjinit.

Sokol Mjacaj

Krimi i parë, ai që i mori jetën fëmijës 13 vjeç, Agim Leraj, solli tronditjen e parë për familjen e Fran e Tone Mjacajt. Djali i parë i tyre, ende pa mbushur 15 vjeç, u burgos për vrasje në bashkëpunim për një varëse floriri. Viktima ishte shoku i tij i shkollës.

Vetë Sokoli e mohoi gjithmonë faktin se kishte marrë pjesë në krim, por çarja e parë kishte ndodhur. Pas daljes nga burgu Sokol Mjacaj nuk gjeti asnjëherë dhe nuk dha mbështetje për familjarët e tij, prindërit, motrën dhe vëllain më të vogël.

Atyre iu desh që vitin e shkuar të mësonin se djali i madh ishte arrestuar sërish për vjedhje, ndonëse emri i ishte përfolur dhe për sulmin me armë ndaj helikopterit të Policisë që patrullonte për drogë mbi Dukagjin.

Gati një vit burg bëri sërish Sokol Mjacaj, duke përfunduar në izolim në qelitë e Kavajës, por as aty nuk e pa njeri. Vetëm udhëtimi nga fshati Lotaj i Dukagjinit e deri në burgun ku po vuante dënimin 20-vjeçari shkonte gati 7 orë, por as dëshira nuk ka qenë për ta parë. Kur Sokol Mjacaj la qelinë e burgut në prill të këtij viti, familja nuk e ka pranuar.

Gjatë këtyre muajve jeta e të riut, i cili më 14 shkurt mbushi plot 20 vjeç, përmblidhej me udhëtimet sa në një zonë në tjetrën të Dukagjinit, duke kërkuar sesi të grumbullonte para. Kjo deri mbrëmjen e 3 korrikut, kur plani i tij për t’u bërë me makinë dështoi, duke lënë dy viktima pas. Michael Svatos, 27 vjeç dhe Ana Kosinova, 36 vjeçe, mbetën të vrarë nga sulmi i grabitësit që u kërkonte t’i dorëzonin paratë dhe makinën “Nissan” me targa çeke.

Prej asaj mbrëmjeje, Sokol Mjacaj ka lëvizur në disa fshatra, gjithmonë duke zbritur nga Prekali, ku ndodhi krimi, drejt afërsisë me Shkodrën. Streha e fundit ishte fshati Grudë e Re, ku siç mësohet nga burime të Policisë, ai e njihte mirë se disa të afërm të tij jetonin aty. Por edhe ata nuk e kishin afruar të riun, sidomos pasi ai ra në burg për herë të dytë. Në Policinë e Shkodrës kur pyesim nëse dikush është interesuar për Sokol Mjacajn kthejnë përgjigje negative.

“Që kur është izoluar, askush nuk ka pyetur për të. Familja e tij jeton larg, në varfëri. I morëm në pyetje pas krimit dhe thanë se nuk donin të bënin më me të”. As nga kontrolli i banesës në fshatin e largët nuk është gjetur ndonjë gjë që të rëndojë pozitën e të riut edhe pse deri tani i fundosur për vrasjen e dyfishtë. Në ambientet e izolimit, ku u fut për herë të tretë brenda 5 vitesh, 20-vjeçari ka vazhduar me të njëjtën qetësi, siç e përshkroi dhe gruaja që negocioi për dorëzimin e tij. Me të njëjtën qetësi ai ka dëshmuar sërish para një grupi hetimor, ku edhe këtë herë ka thënë të njëjtat deklarime.

“Hyra me forcë në makinën e çekëve. Doja t’u merrja makinën, por ata nuk kuptonin ose bënin sikur nuk kuptonin. Kur djali tentoi të më merrte armën e qëllova. Fillimisht atë e më pas gruan”. Edhe në seancën e dytë të marrjes në pyetje, Sokol Mjacaj ka këmbëngulur se nuk ka pasur bashkëpunëtorë në krim. Megjithatë, hetimet po vazhdojnë në këtë pjesë.

Ditën e nesërme pritet që 20-vjeçari të ballafaqohet me togat e zeza, ndërsa shteti parashikon që t’i caktojë një avokat mbrojtës. Akuzat ndaj tij janë ato të vjedhjes me pasojë vdekjen, si dhe armëmbajtje pa leje. Për Mjacajn është dosja e tretë penale e hapur për të, në dy prej të cilave akuzohet se ka marrë jetë njerëzish.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura