“Euro 2016”, ja si do ishte renditja me Francën si konkurrent

Jun 16, 2015 | 20:39
SHPËRNDAJE

Shqipëria do i kishte marrë 4 pikë ish-kampiones së botës, por asnjëra prej tyre nuk vlen për ‘Euro 2016″. Gjatë përballjeve miqësore, Kombëtarja shqiptare e futbollit i ka marrë një fitore dhe një barazim Francës, por që nuk kanë pasur vlerën e pikëve.

Shqiperi – France

Sipas “Panoramasport”, nëse bëhet një renditje hipotetike me rezultatet e gjashtë miqësoreve të “gjelave” me skuadrat e Grupit I, ku bën pjesë Shqipëria, sërish kuqezinjtë e De Biazit do të ishin në vendin e tretë.

Skuadra e Didier Deshamp, e kualifikuar direkt si organizatore e Europianit 2016, gjatë takimeve miqësore të deritanishme ka grumbulluar 11 pikë (3 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje). Nga kalkulimet, rezulton se Portugalia, edhe pse ka humbur në ndeshjen direkte me “gjelat”, do të ishte sërish e para në Grupin I me 12 pikë.

Nga ana tjetër, të dytët do të ishin francezët, por me pikë të barabarta me Shqipërinë (11).”Gjelat” do të përfitonin nga golavarazhi më i mirë ndaj kuqezinjve. Më të “djegurit” nga kjo renditje hipotetike janë danezët, që nga vendi i dytë në renditjen reale, shkojnë të katërtit, gjithnjë nëse do të ishte edhe Franca konkurrente. Ndërkohë, si për ironi, Serbia dhe Armenia, do të qëndronin në të njëjtat pozicione.

Nga përballjet që kanë bërë në testet me Francën, serbët kanë barazuar 1-1, ndërsa Armenia ka humbur 3-0. E vetmja skuadër me të cilën blutë e ka pasur pisk në këtë tur miqësoresh është Shqipëria e De Biazit, që i ka marrë plot katër pikë. Për më tepër, i ka shkaktuar Francës humbjen e vetme nga përballjet me skuadrat e Grupit I eliminator. Sikur ndeshjet me “gjelat” të kishin vlerën e pikëve, tashmë kuqezinjtë do të kishin më shumë shanse për t’u kualifikuar direkt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura