Et’hem Ruka, deputeti i përjashtuar: Biseda 30 minutëshe me Ramën, do mbetem socialist

May 9, 2013 | 9:36
SHPËRNDAJE
Ethem Ruka me Edi Ramen

Deputeti i PS që s’u përfshi në listë, flet në një interviste per gazeten “Panorama”.  “E kam filluar karrierën kur miqtë tanë refuzonin të kandidonin për PS”.

Deputeti socialist, Et’hem Ruka, tregon takimin me kryesocialistin Rama për listat, ndërsa shprehet se do të respektojë vendimin e Kryesisë dhe se do të punojë për fitoren e 23 qershorit. Profesori i diplomuar në Paris, tregon historinë e tij në Partinë Socialiste dhe u kujton kandidatëve për deputetë se të qenurit në një vend të sigurt në listë nuk do të thotë se ke siguruar fitoren e PS. Ruka i kujton atyre se duhet të mos shpërdorohet mandati i PS dhe të zhvillojnë kontakte të vazhdueshme dhe direkte me njerëzit.

Zoti Ruka, ju jeni jashtë listës së kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste. Cilat ishin kriteret që ju klasifikuan ju jashtë saj?

Tashmë është fakt që nuk jam pjesë e listës së kandidaturave për deputet të Parlamentit të ri, që do të konstituohet si fryt i zgjedhjeve të 23 qershorit. Para kësaj vendimmarrjeje pata një bashkëbisedim për gati një gjysmë ore me z.Rama, por nuk besoj se do të ishte normale dhe as e nevojshme të bëja publike përmbajtjen e saj. Unë thjesht respektoj vendimmarrjen e Partisë në të cilën bëj pjesë.

Ishte zgjedhja e bërë nga ju për t’u marrë me politikë vendimi më i mirë?

Në respekt të vetes, por edhe të gjithë socialistëve shqiptarë, më duhet të kujtoj se e kam filluar karrierën time politike në drejtimin e PSSH, por edhe si deputet i saj në ditët më të vështira dhe të mbijetesës së saj. Ishte koha kur mua të sapodoktoruarit në Paris të Francës, për shkak të angazhimit politik në PSSH, nuk guxonin të më përshëndesnin edhe miqtë e kolegët e afërt. Ishte koha kur u luteshim miqve tanë të pranonin të kandidonin si deputetë për PS, por, edhe pse donin, u mungonte guximi dhe refuzonin. Kishte edhe nga ata që pranonin e pastaj thoshin na hiqni emrin nga lista. Ishte koha kur niseshe i gjallë për aktivitete partie dhe nuk dihej nëse do të ktheheshe mbrapsht shëndoshë e mirë. Ka qenë një rrugëtim i vështirë, por jo i pasuksesshëm. PSSH u rrit dhe u bë një ndër forcat kryesore lëvizëse të ndryshimeve demokratike në vend. Jam krenar që vura në shërbim të kombit një pjesë të qenësishme të jetës sime më të mirë, kur mund të kisha zgjedhur një jetë më të qetë si shkencëtar në Paris a ndonjë kryeqytet tjetër. Por kjo ishte zgjedhja ime e lirë. Unë i besova ndërgjegjes sime politike dhe asnjëherë nuk kam menduar se nuk veprova drejt.

Ju jeni një parlamentar i vjetër, një ndër ministrat më jetëgjatë të qeverisjes socialiste. A ndiheni i pavlerësuar nga strukturat drejtuese të PSSH tani që lista e kandidaturave u bë fakt i kryer?

Po, unë kam një karrierë të gjatë politike, por edhe akademike. Isha deputet i kësaj partie që nga viti 1992 e deri në vitin 2005 dhe nga 2009 deri më 2013-n. Besoj se jam pjesë e historisë së parlamentarizmit shqiptar gjatë gjithë periudhës së pluralizmit pas viteve 1990 e deri me sot. PSSH më rriti dhe e rrita bashkë me mijëra e mijëra socialistë idealistë e të ndershëm shqiptarë. Kam qenë pjesë e strukturave më të larta politike të kësaj partie dhe vazhdoj ende të jem. Kjo parti ma ka vlerësuar kontributin duke më emëruar ministër për shtatë vite, nga tetë vite qeverisje. Kam drejtuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në vite të vështira, ngrita Ministrinë e Mjedisit duke qenë dy herë ministër i saj, ashtu siç kam pasur fatin të drejtoja edhe Ministrinë e Pushtetit Vendor e Decentralizimit. Kam punuar me shumë kryeministra, duke filluar nga Fatos Nano e duke vazhduar me Pandeli Majkon e Ilir Metën. Unë kam një kontratë të thellë shpirtërore me socialistët shqiptarë, të cilëve u jam mirënjohës për vlerësimin që më kanë bërë. Kjo është shumë e shumë më tepër sesa një qejfmbetje për të vazhduar karrierën si deputet. Unë kam qenë dhe mbetem një socialist i palëkundur dhe, si i tillë, deputet ose jo, nuk ndryshon asgjë në kontratën time me socialistët shqiptarë.

Ju keni edhe një karrierë të gjatë akademike, kërkimore e botuese. Nuk ju ka penguar qenia në politikë?

Aspak. Nuk e kam tradhtuar kurrë profesionin tim si profesor biologjie. Unë jam produkt i Shkencave Natyrore si këtu në Tiranë, edhe në universitetin “Pierre et Marie Curie” në Paris të Francës. Kam një karrierë të gjatë e të suksesshme akademike, titullar i të gjithë titujve shkencorë, punë kërkimore të certifikuar me dy doktorata të mbrojtura brenda e jashtë vendit, lektor në shumë universitete shqiptare e jashtë vendit, autor i mbi 130 botimeve universitare e parauniversitare, udhëheqës i shumë doktoratave, autor i një sërë librash për publikun etj. Fakulteti i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës ka qenë dhe mbetet dashuria e jetës sime profesionale. Kjo karriere nuk është ndërprerë, vazhdon si edhe ditën e parë kur e kam filluar. Unë jam njeriu më i pasur se gëzoj respektin e brezave të tërë intelektualësh, që kanë në formimin e tyre edhe kontributin tim. Unë jam i pasur se gëzoj dashurinë e qindra-mijëra fëmijëve e gjimnazistëve shqiptarë, që mësojnë edhe me librat e mi të “Diturisë së natyrës” e të “Biologjisë”.

Mendoni se ka vend për kontestime sa i takon procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe në fund të hartimit të listës së kandidatëve nga ana e kryetarit?

Gjithmonë thuhet se mund të ishte bërë më mirë dhe mendoj se mund të bëhej më mirë. Listimi i deputetëve është një çështje delikate dhe e vështirë. Ky proces ka mbaruar dhe nuk kam dëshirë të kthehemi pas. Uroj që ekipi i përzgjedhur të marrë përgjegjësinë në këtë fushatë, që nuk do të jetë e lehtë. Kush mendon se është i sigurt dhe nuk jep maksimumin e kontributit për të siguruar edhe votën e fundit, do të gabojë rëndë dhe do të shpërdorojë besimin e elektoratit tonë. Kam frikë se jo të gjithë kandidatët e kanë këtë përvojë. Vetëm kontakti me njerëzit dhe besimi që krijon tek ata, është garancia e fitores. Një kandidat duhet të jetë i palodhur, pasionant në misionin e tij, i dashur me njerëzit, i qetë, këmbëngulës, të besojë në kauzën për të cilën lufton, të besojë ai vetë te programi i partisë së vet, të ketë lidhje shpirtërore të thella me partinë e tij dhe të ketë forcën të bindë me fjalën e vet, se programi ynë është programi i shpresës dhe i kthimit të besimit të qytetarëve te qeverisja e ndershme

(Intervisten e plote, marre nga Aristir Lumezi e lexoni sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura