Është sistemi, o “budalla”…

Jan 15, 2021 | 10:15
SHPËRNDAJE

ZEF PREÇI

zef preci

Shumëkush mban mend deklarimet e përsëritura publike gjatë periudhës ku zoti Rama ndërmori (jo pa të drejtë) kryqëzatën kundër sistemit të drejtësisë: “…nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por janë sistemet që i korruptojnë njerëzit”. Se si u katandis kjo luftë dhe përse mungojnë rezultatet, këtë tashmë e ka të qartë gjithkush, por nuk është ky qëllimi i këtij shënimi.

Fjalën e kam për historinë e “headlines” të këtyre ditëve, d.m.th., historinë e një sanitareje, njëfarë “All… (në fakt, ajo përfaqëson një rast për të kuptuar sistemin e “modernizuar” këto vite e që kemi aktualisht në vendin tonë në ofrimin e shërbimit shëndetësor). D.m.th., është “All” në të gjitha aspektet dhe një model emblematik, jo sepse merrte lekë nga një familjare e një viktime fatkeqe të Covid-19. As se me gjestin e saj në shkelje të etikës dhe të ligjit po u nxinte fytyrën “bluzave të bardha”. Dukuri të tilla të shkëputura ndodhin kudo në vendet e Amerikës Latine, Azisë etj., kudo ku sundon mentaliteti se “sistemi korrupton njerëzit”, duke harruar se termi “sistem” nuk ka kuptim pa bartësit materialë të tij, d.m.th., pa njerëzit që ushtrojnë funksione të caktuara në hierarkinë e ofrimit të shërbimeve publike, në rastin konkret të shërbimit shëndetësor spitalor…

“Bluzat e bardha”, edhe para pandemisë, por sidomos gjatë saj, kanë bërë një punë të shkëlqyer në ofrimin e shërbimeve të tyre në mbrojtje të shëndetit dhe të jetës se qytetarëve shqiptarë, në edukimin shëndetësor të tyre dhe në moderimin e vendimmarrjeve arbitrare të qeverisë. Është fakt i njohur që kjo e fundit i ka përdorur një numër syresh, por nuk është koha për të gjykuar arsyet apo mosarsyet e përdorimit politik të një numri autoritetesh shëndetësore të vendit… Ne të gjithë duhet t’u jemi mirënjohës atyre për punën e bërë dhe që bëjnë ditë pas dite, orë pas ore.

Të kthehemi te rasti i “All…”. Unë nuk pretendoj të bëj hetim dhe as të hamendësoj për rolin e saj si gjobëvënëse për shërbimin që duhej t’i ofronte pacientes, shërbim që duhej të ishte pjesë e punës së saj të paguar nga taksat e të gjithë qytetarëve shqiptarë… As se mund të ketë shërbyer si ndërmjetëse për një rreth më të gjerë përfituesish brenda asaj njësie të shërbimit mjekësor. As të mendoj se nën kulturën e mangët ligjore që ka, shumica e popullsisë sillet pak a shumë njëlloj përballë bluzave të bardha: u ofron para në këmbim të “një shërbimi (të presupozuar) më të mirë. Shqetësimi im lidhet me “overreaction” (mbi reagimin) shtetëror ndaj një sanitareje, kur situata mund të shihet edhe nga këndvështrime të tjera.

Kështu, për të shmangur reagimin e fortë publik (siç ndodhi), sidomos te pjesa e pakontrolluar nga qeveria të masmedias – kryesisht në portalet, Ministria e Shëndetësisë nxitoi të “shkarkojë sanitaren e COVID-2 për korrupsion”. Në fakt, ajo mund t’i përcillte provat denoncuese njësisë vartëse të QSUT dhe vendimi të merrej për pezullim nga puna për sqarimin e rrethanave të rastit nga kjo njësi. Por duket se qeverisë kjo dhuratë i erdhi nga qielli dhe strategjistët përkatës e panë si një mundësi për të zhvendosur, qoftë edhe për pak kohë, vëmendjen e opinionit publik nga afera e dyshuar e Dubait (Nus-Ret-i), por edhe për ta shitur në publik ndëshkimin e këtij rasti si “një luftë pa kompromis kundër korrupsionit”.

“Over-reaction” tjetër lidhet me drejtësinë dhe arrestimin, madje edhe me mbajtjen në burg të saj. Kjo, jo thjesht për faktin se vrasës të rrezikshëm, përdhunues, skafistë, grabitës rrugësh, vjedhës votash dhe pasurish publike e private, janë të lirë apo ndaj të cilëve as që guxon njeri të hetojë… Por, për mendimin tim, këto janë vendimmarrje nën presion, pa mbledhur evidencat dhe provat e mjaftueshme dhe ndoshta sipas parimit të njohur sovjetik “ta çojmë fillimisht në burg, se provat i gjejmë më vonë”…

“Over-reaction” i tretë lidhet me spitalin, shoqatën e infermierëve, etj. Përpjekjet e tyre për të mbrojtur “nderin e humbur” apo për të pastruar fytyrën e vet duke i ardhur në ndihmë qeverisë, nuk mjaftojnë. Sepse, cilido qytetar i këtij vendi mund të pyesë: deri kur do të vazhdojë kjo hipokrizi kolektive e mbulimit të problemeve dhe jo e përballimit me realizëm të tyre? D.m.th., vendi ka nevojë për një qasje pro aktive, që i del përpara problemit dhe pamundëson që fenomene të tilla të frikshme dhe të neveritshme të mos ndodhin më në të ardhmen… Sepse opinioni publik pret sqarim nga institucionet përgjegjëse se perse disa qytetarë fatkeq zgjodhën t’i japin fund jetës së tyre tragjikisht në ambientet e po këtij spitali? Njerëzit kudo në botë, edhe këtu, në spital shkojnë për ta shpëtuar dhe zgjatur jetën dhe jo për të vdekur ne to. A janë hetuar mjaftueshëm shkaqet e atyre tragjedive të padëgjuara askund në botë?

“Over-reaction” i fundit sapo ndodhi. Vetë zoti Rama e cilësoi “personazh i turpshëm”. Me Kushtetutë dhe me ligj, përderisa “dënimi” është dhënë vetëm nga “STOP” (respekt për punën e këtij emisioni televiziv), njohim e pranojmë për gjithkënd prezumimin e pafajësisë, d.m.th. “All…” do të jetë e pafajshme derisa Gjykata të vendosë ndryshe. Meqë jemi te drejtësia: sa mirë do të ishte sikur këtë shpejtësi reagimi ta kishte edhe ndaj grabitësve me dhe pa ligj të pronës publike, të fondeve buxhetore, të së ardhmes së fëmijëve tanë…

Po Ministria e Shëndetësisë a ka procedura të shpallura dhe të njohura publikisht, mbi bazën e përvojës botërore të marrjes në punë dhe largimit nga puna të personelit ndihmës ku bënte pjesë “All…”? A i hetoi njeri administrativisht procedurat ekzistuese për të gjetur “shtegun” se si individë të tillë problematikë arrijnë të penetrojnë në sistem? A ka standarde profesionale për arsimin, inteligjencën e këtyre shërbimeve?

Meqë jemi te spitalet Covid-19, po sjell një informacion që mund të ndihmojë vendimmarrësit dhe të tjerë të interesuar. Një mjek i njohur në një vend pritës të pacientëve tanë që mundën të gjejnë shpëtim jashtë vendit, i tha pacientit shqiptar të radhës (një profesor i njohur i mjekësisë) kur po e përcillte: nuk bëmë asgjë për ju, ishte trupi juaj që e përballoi sëmundjen. Ne ju ofruam vetëm shërbimin e specializuar”. A e kemi vallë këtë shërbim në vendin tonë, se nëse është kështu në ato 100 milionë euro të vlerësuara si të shpenzuara nga qytetaret shqiptare privatisht ne Turqi, në Itali dhe në vende të tjera, një pjesë jo e vogël kanë shkuar për shërbimin…

Duke shprehur keqardhjen për viktimat, mendoj se këtu duhej të ndaleshin sulmet ndaj një fatkeqeje (All…), pjesë e sistemit dhe fillonte analiza e sistemit në këto dhe në elemente të tjera të funksionimit të tij për ta vënë në funksion të një Shqipërie të jetueshme… E në këtë rast pajtohem plotësisht me zotin Rama të 2016- ës, të cituar ne fillim të këtij shënimi.

*Titulli i shkrimit është përshtatur nga “Është ekonomia, o budalla”, – slogani i krijuar nga James Carville, menaxheri i fushatës së Bill Clinton në vitin 1992, për të bindur publikun të ndryshojë udhëheqjen presidenciale në mes të një recesioni. Funksionoi, Clinton u zgjodh President i SHBA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura