ERNESTO SABATO DHE SHQIPERIA

May 3, 2011 | 9:21
SHPËRNDAJE

Ernesto Sabato e deshi Shqiperinë për shkak të njerëzimit, shqiptarët e nderojnë Sabaton për arsye të artit dhe gjithashtu njerëzimit. Në 1996, Sabato erdhi në Shqipëri. Mosorania e tij fizike është prapëseprapë prani shpirtërore.
Në kryeveprën e tij “Abadoni, engjëlli i errësirës”, shkrimtari argjentinas Ernesto Sabato në formë sentenciale, tepër të përkorë dhe të papritur, rrëfehet për origjinën shqiptare nga ana e gjyshit dhe italiane, nga ana e gjyshes.
Sabato flet për heroin Skënderbe të shqiptarëve, jep konsiderata filologjike në gjuhën shqipe, konstrukton kështu një dëshmi krejt të veçantë, unikale për të. Këto të dhëna janë të dyfishta, në formën e kujtesës familjare, tepër të mjegullt, si dhe të leximeve që do të ketë bërë Sabato, i përqendruar në optikën e këtij motivi.
Për të formuluar diçka më tipike dhe lapidare, Sabato shkruan edhe këtë pasazh: “Shiko çfarë thotë Apolineri për Kanurin, mikun e tij shqiptar: një vitalitet mbinjerëzor për të mbijetuar dhe një prirje vetëvrasëse, duket e pakrahasueshme, apo jo? Dhe për mendimin tim, ky është një tipar karakteristik i racës”.
Natyrisht që emri Kanuri është një lapsus, ose një sajesë etimologjike. Duhet të ketë qenë patjetër emri i njohur i Konicës. Nëse ka lexuar (dhe pa dyshim, ka lexuar) Apolinerin, këtë kryemjeshtër të poezisë europiane, të modernitetit të shek. XX, nuk ka se si të mos ketë lexuar emrin e Faik Konicës, i cili ishte i adhuruar prej Apolinerit. Apolineri ka botuar disa shkrime dhe kujtime për Konicën, në rrafshin e një dishepulli për mjeshtrinë e tij.
Pse Sabato e ndryshon emrin e Konicës në emrin Kanuri? Në kujtimet e Apolinerit botuar në “Mercure de France” në 1912, mund të kuptohet intrigimi inkadeshent që shkakton emri i Konicës tek të tjerët. Duke marrë guximin jo për ta zbuluar të vërtetën, por për ta saktësuar, dua të përqendrohem në këtë pikë.
Tek Faik Konica, si një homo-albanicus, si një shqiptaroid, si modul psikik dhe etnik, Sabato heton dy dimensione të kundërta, madje antagoniste. Kështu, çështja ekzistenciale paraqitet si një kundërthënie e tmerrshme edhe sipas nocionit heraklitian të luftës së përjetshme. Ky tipar i racës shpjegon enigmën shqiptare në të kaluarën, të sotmen dhe besoj (a kam të drejtë vallë të besoj?) dhe të ardhmen.
Sagat e mëdha kontinentale të ilirëve, si ndër europianët e parë (zanafillorë, parakë, madje edhe sipas metaforës homerike “proselinoi”, dmth, të lindur përpara Hënës etj, etj) nuk u shkruan kurrë, mbetën anonime në fjalë, dhe vetëm arkeologët me aventurat e tyre të dijes kanë tentuar të njohin disa thërrime të ndritshme. Por bota e ilirëve, konsiderohet si një botë e mbyllur, është e vështirë të gjesh një portë të saktë, ose disa porta për të hyrë me vështirësi në reliktet e fosilizuara të shpirtit të mijëvjeçarëve.
Shqiptarët e Mesjetës e kanë një yll solomonik, të padyshimtë: Skënderbeun. Ne dimë diçka të vrullshme dhe madhështore për të, por dimë shumë pak për dilemat shpirtërore dhe arketipat ekzistues të popullit të tij në “epokën kastriotase”.
Shqiptarët modernë kanë mbijetuar duke u vetëvrarë pafundësisht.
Për racën shqiptare (emërtimi “racë” është tepër konvencional) ka dy lagje teorish, absolutisht përjashtuese dhe asgjësuese për premisat kontestuese. Virhofi (Ëirchov) i ka quajtur shqiptarët “racë superiore”. Akoma më entuziast dhe apologjistik është H.H.Breillsford, që i mbiquan shqiptarët si “Mbinjerëzit e Niçes”. Teoria e kundërt, është shqiptaro-fobe, e kobshme, getoiste, një farë gjenocidi i letrarizuar me metafora apokaliptike, sipas të cilave shqiptarët janë raca më inferiore, njerëz me atavizma fiziologjike, si për shembull me bisht, të prapambetur, tibetianët e Europës, kombi shqiptar nuk është komb, gjuha shqipe nuk është gjuhë, kemi të bëjmë vetëm me disa jashtëqitje etnish të ndryshme dhe gjuhësh të ndryshme. Nuk ka optikë më të skajshme dhe më të zezë, sesa kjo për shqiptarët.
Në të vërtetë, shqiptarët janë një komb i vjetër, fisnik, me dinjitet, si gjithë të tjerët. Është e vërtetë që kanë mbijetuar dhe mbijetojnë, siç është e vërtetë se për fatalizmin e tyre (historik?) kanë pasur si një ritual një lloj harikiri individial, qoftë edhe të kultizuar, si një relikte historike, siç është gjakmarrja etj, etj. Si mund të shpjegohet? Sipas parametrave dhe paradigmave të teorive të filozofëve? Sipas interesave të historianëve dhe politikanëve që i kanë profilizuar edhe zhdukjen e kombit shqiptar? Jo, shpjegimi bëhet vetëm duke pasur parasysh historinë e tyre, të fqinjëve gjeografikë dhe të vetë Europës. Nuk duhet të shpikim shpjegime sa të karakterit instiktiv, frojdian, aq edhe shpjegime të karakterit emocional dhe irracional. Kundërshtitë e mëdha (gjithashtu relative) në monadën shqiptare, në tipin, në etnoarketipin, në futuro-tipin, kanë karakter të kuptueshëm historik. Shpjegimet dhe interpretimet nuk janë të lehta për t’u bërë.
Shqiptarët nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë një popull “i zgjedhur”. Ata janë një popull si gjithë të tjerët. Por ata nuk janë asnjë popull i mallkuar. Ata kanë tragjeditë, marrëzitë, humbjet, por edhe fitoret e tyre. Qytetërimi shqiptar, është pjesë e atij europian, pa diskutim. E ardhmja, u ka kthyer shpinën shpesh në histori shqiptarëve, por nuk i ka braktisur kurrë, sidomos sot.
Ernesto Sabato ilustron me figurën e Konicës kombin shqiptar, natyrisht mendime në një thënie të Gijomë Apolinerit. Karakteri gjithashtu relativ, është sa i pranueshëm, aq shpreh edhe një intimitet rrëqethës dhe lirik, një të vërtetë të prekshme, që ne shqiptarët e përjetojmë në mënyra të shumëfishta dhe më tepër me shqetësim aktual. Ngaqë politika ende e zotëron rrafshin shqipëror të shqiptarëve, e ndiejmë se ka një satanizim përçarjesh, krejt të pafalshme për fillimin e mijëvjeçarit III. Formula e Apolinerit për mbijetesën, prirjen vetëvrasëse të Konicës dhe kombit që ai i përket, kurrë nuk ka pasur një vlerë përfundimtare si epitaf, është thjesht një nga paradokset e kapërcyeshme, ose një metaforë paradoksale. Mund të përmendet edhe në një parathënie për një histori më normale të së ardhmes.
I pari dhe më i sakti për shqiptarët ka qenë Xhorxh Bajroni, i cili duke e ndriçuar historinë e shqiptarëve, në kryeveprën e vet poetike, nuk ka harruar të shtojë që të gdhendë në bronz vargun paradigmë: “Vetitë nuk u kanë munguar, veç t’i kishin pak më të arrira”.
Ernesto Sabato është një nga dinozaurët e letërsisë botërore, me ndikim të jashtëzakonshëm në këtë letërsi. Pas ardhjes së tij në Shqipëri para disa vitesh, emri i Sabatos u bë më intim, shqiptarët e njohën më mirë. Në ceremonitë që u bënë për të, kam pasur fatin të jem edhe unë i pranishëm, ruaj si kujtim edhe një fotografi të përbashkët, si edhe një libër të tij në spanjisht që ma dhuroi me një dedikim të ngrohtë dhe të paharruar. Ai premtoi që do të shkruante diçka më të shumëfishtë, rrjedhimisht me një njohje më substanciale për shqiptarët. Jam në dijeni që ka shkruar diçka. Duke qenë një shkrimtar universal, jo thjesht një shkrimtar argjentinas, këto kohët e fundit, ai ka bërë nga shkrimet më të çuditshme që lidhen me dramën, krizën, pasigurinë e të ardhmen e njerëzimit. Ai mendon për njerëzimin si një të tërë. Kohët e fundit, në një shkrim të tijin kam lexuar disa nga mendimet më tronditëse të cilat kanë vlerë edhe për ne shqiptarët. Ai i drejtohet një njeriu të thjeshtë që ka shkruar një letër.
“Do t’ju flisja për çka ndodh sot në botë. Për rrezikun ku ndodhen të gjithë, të pasurit dhe të varfrit. Pikërisht këtë nuk e dinë ata, njerëzit me pushtet. Nuk e dinë se dhe bijtë e tyre gjenden në një situatë mjerane. Nuk mund të zhyteni në depresion, sepse është një luks i tillë, të cilin nuk mund t’ia lejojnë vetes prindërit e fëmijëve që vdesin urie. Dhe nuk mundemi të mbyllemi me kyç nëpër shtëpitë tona. Duhet t’i hapemi botës. Mos mendo se shkatërrimi është atje jashtë, por djeg si një zjarr brenda dhomave tona të ngrënies. Jeta dhe toka janë në rrezik. Po shkruaj një rresht të Helder Linit: “Vetë zjarri i perëndive na shtyn ditë e natë të bëjmë përpara. Eja! Të shohim hapësirat e lira, të kërkojmë sa na takon, sado larg që të jetë. Jeta e botës duhet të jetë angazhimi ynë dhe duhet të dalim e ta mbrojmë. Ky është misioni ynë. Nuk duhet të mendojmë se do të kujdesen vetëm qeveritë. Qeveritë kanë harruar në mbarë botën se qëllimi i tyre është të promovojnë të mirën e përbashkët. Solidariteti luan kështu një rol vendimtar në këtë botë pa krye, përjashtuese të llojeve të ndryshme. Po të bëhemi përgjegjës për dhimbjen e tjetrit, kompromisi ynë do të na dhurojë një domethënie që do të dalë mbi fatalitetin e historisë. Por së pari, duhet të pranojmë se kemi dështuar. Në të kundërtën, do të gjendemi të sunduar prej profetëve të televizionit, prej atyre që e kërkojnë shpëtimin në hiperzhvillim. Konsumi nuk është një zëvendës i Parajsës. Gjendja është tepër e rënduar dhe na përket të gjithëve. Por ka ende nga ata që stërmundohen për të mos i tradhtuar vlerat fisnike…”
Më befasuesja dhe më e papritura është që më në fund Sabato e përmend dhe emrin e një shqiptari tjetër. Gjatë kohëqëndrimit të shkurtër në Shqipëri, ai e paska njohur për pak çaste një djalosh shqiptar me emrin Valter. Sabato shkruan: “Gjatë udhëtimit në Shqipëri, njoha një djalë të mbiquajtur Valter, i cili kishte braktisur shtëpinë për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve në bashkësinë fetare të Nënë Terezës shqiptare të Kalkutës. E kujtoj me emocion të gjallë. Sa herë që dëgjoj lajmet e tmerrshme të ardhura nga Shqipëria, të këtij vendi kaq të mistershëm, them me vete: “Ku do të jetë vallë ai? A do të mund t’i lexojë ndonjëherë këto fjalë mirënjohje për heroizmin e tij fisnik?
Ernesto Sabato, bir i njerëzimit dhe tashmë një patriark, nuk mëton të jetë profet, por mëton të njohë dhe të thotë të vërtetën. Zhvillimi i qytetërimit teknologjik është marramendës, por degradimi i vlerave morale është i frikshëm. A është i kotë ky apel, që u drejtohet të gjithëve? Ky apel duhet artikuluar nga të gjithë, nga politikanët dhe ekonomistët, nga shkrimtarët dhe të papunët, nga kriminelët dhe të varfrit. Jeta njerëzore është mrekullia më e madhe dhe për fat të keq, është e kërcënuar. Prandaj, Sabato thekson: “Në kohërat e errëta, na ndihmojnë ata që dinë të na drejtojnë neve. Vetëm ai që do të jetë i aftë të mishërojë utopinë e dashurisë, do të jetë gati për ndeshjen vendimtare, për të që përcakton rifitimin e vlerave njerëzore që kemi humbur”
Tani Sabato i ka mbyllur sytë.
Ka ikur nga bota fizike për në amshim.
I paharruar. Sfinksor, madhështor, intim, profetik. Amen!

Për romanin e botuar në shqip “Tuneli”

“.. sidoqoftë, ekzistonte një tunel, në s’kishte tjetër, i errët dhe vetmitar: tuneli im”.

Sabato ka pohuar se asnjëherë nuk është fort i ndërgjegjshëm për ato që shkruan. Personazhet, bota e fiksionit dhe fati i tyre ecin nëpër udhë të përcaktuara nga forca që nuk drejtohen dot nga autori; forca që u përgjigjen më tepër personalitetit të personazheve dhe strukturës së botës së rikrijuar.Kur vendosi të shkruante “Tuneli”-n, mendoi se para së gjithash do të rrëfente se si një piktor u çmend nga pamundësia e komunikimit, madje edhe me gruan, e vetmja, që kishte arritur, sipas intuitës së piktorit, ta kuptonte nëpërmjet pikturës së tij. Kjo ideja e tij e parë u kthye në një tjetër drejtim. Sabato tregon se më pas mori më tepër rëndësi problemi i xhelozisë, në nivel fizik dhe psikik dhe jo si një problematikë e rendit metafizik. Sabato e shpjegon kështu kthesën e idesë së tij të fillimit:
Qeniet njerëzore asnjëherë nuk munden t’i paraqesin ankthet metafizike në gjendjen e ideve të pastra, por e bëjnë këtë duke i mishëruar ato… Kështu, idetë metafizike transformohen në probleme psikologjike, vetmia metafizike transformohet në izolimin e një njeriu konkret në një qytet të përcaktuar, dëshpërimi metafizik transformohet në xhelozi dhe, romani apo rrëfimi që janë destinuar për ta ilustruar këtë, përfundon në rrëfimin e një pasioni dhe krimi.

 

MOIKOM ZEQO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura